Komandot në Afganistan kundështojnë taksën progresive

Shqipëria

Komandot në Afganistan kundështojnë taksën progresive

Më: 9 prill 2014 Në ora: 18:40

Komandot shqiptare me shërbim në Afganistan kanë probleme me pagesat. Instituti i Studimeve të Inteligjencës dhe Sigurisë dhe në disa media të tjera shkruajnë se veç rrezikut të përditshëm që përmban detyra e tyre, 50 komandot shqiptare që ndodhen në rajonin rrezikshëm të Spin Boldakut, në kufi me Pakistanin, jo vetëm që nuk janë paguar prej dy muajsh, por kanë shfaqur kundërshti me uljen e shpërblimit për shkak të taksimit progresiv.

Me vendimin e vitit 2010 të qeverisë shpërblimi për shërbimin në Afganistan ishte 12 mijë leke dhe pas taksimit të sheshtë pagesa shkonte në 10 mijë e 800 lekë. Ndërsa sot kontigjenti i Misionit “Eagle 9” me taksimin progresiv, duhet të marrë 9 mijë e 200 lekë.

“Morali është përtokë, ndërsa rreziku është i madh, sepse sapo kanë përfunduar zgjedhjet. Nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga gjeneralët në Tiranë dhe kjo na mërzit”, ka thënë për gazetën MAPO njëri prej ushtarakëve, i cili ka dashur të mbetet anonim.

Ndërsa Instituti i Studimeve të Inteligjencës dhe Sigurisë thotë se kontigjenti nuk u përgjigjet detyrave për të dalë nga baza me forcat amerikane dhe se drejtuesi i kësaj njësie, major A. K nuk është në gjendje ta komandojë atë.

Përsa u përket pagesave, Ministria e Mbrojtjes e kontaktuar nga Televizionin Klan, sqaron se “Të gjithë efeketivët e Forcave të Armatosura janë paguar në kohë dhe vijojnë të paguhen siç edhe me ligj u takon. Për herë të parë efektivëve që janë nisur në mision në Janar të vitit 2013 u është dhënë edhe paradhënie të shpërblimit të tyre. Ndërsa pjesa tjetër ashtu siç e parashikon ligji është në process” – thuhet në njoftim.

Për shqetësimin që raportohet se komandot kanë në lidhje me taksimin progresiv, Ministria nuk ka asnjë koment.

Komandot do të vazhdojnë të preken nga kjo taksë, derisa nga qeveria nuk ka asnjë vendim që i përjashton ata nga kjo skemë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat