Xhafaj kundër ekzekutivit: Nuk jemi mazhorancë fiktive

Shqipëria

Xhafaj kundër ekzekutivit: Nuk jemi mazhorancë fiktive

Më: 9 prill 2014 Në ora: 09:52

Fatmir Xhafaj jep rezerva ndaj Ministrisë së Financave. Në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ligjeve u miratua në parim projektligji për pagesën e detyrimeve të prapambetura ku kryetari i Komisionit Fatmir Xhafaj theksoi se ky draft do të hasi kundërshti nga ana e deputetëve pasi nuk është i hartuar saktësisht në mënyrë ligjore.

Mbledhja
Pavarësisht se mbledhja u zhvillua me një interes të pakët nga ana e deputetëve të dy kampeve, mazhorancë-minorancë, debnati ndërmjet përfaqësuesve të ekzekutivit dhe deputetëve nuk mungoi. I pari që hapi këtë debat ishte deputeti Armando Subashi i cili theksoi se drafti i paraqitur nga qeveria binte ndesh me Kodin e Procedurave Civile. Sipas Subashit, e keqja më e vogël që mund të bënte ekzekutivi ishte të mbivendoste ligjin, pasi mund të bëheshin amendamente teknike, ndërsa projektligji i propozuar ishte tërësisht në kundërshtim me Kodin e Procedurave Civile.

“Si mendoni, si është ky ligj në raport me Kodin Civil, pasi në nenet e mëposhtme kemi përplasje me Kodin Civil. E keqja më e vogël që mund të bënit ishte të mbivendosni ligjin, por ju e keni sjell në përplasje me të”,- tha Subashi. Në të njëjtën linjë ishte edhe kryetari i Komisionit të Ligjeve i cili në mbyllje të mbledhjes i tërhoqi vëmendje përfaqësuesve të Ministrisë së Financave duke theksuar se mazhoranca që ata përfaqësojnë nuk është fiktive që të miratoi ligje siç vijnë. “Është një ligj delikat dhe nuk do të kaloi shpejt në seancë plenare. Mos ecni me idenë se jemi të mazhoracës. Ne nuk jemi mazhorancë fiktive. Ka shumë nene që krijojnë përplasje dhe për këtë do të ketë përplasje”,- tha Xhafaj

Por vërejtjet e deputetëve të mazhorancës nuk ishin vetëm për përfaqësuesit e ekzekutivit, por edhe për Konferencën e Kryetarëve. Duke qenë se Komisioni i Ligjeve nuk është komisioni përgjegjës për këtë draft, deputeti Armando Subashi e cilësoi si një gabim të Konferencës së Kryetarëve që nuk e kanë përcaktuar një gjë të tillë. Sipas tij, problematika që lind nga mënyra se si është bërë artikulimi i ligjit është shumë i madhe dhe për këtë, duhet që të ishte Komisioni i Ligjeve kompetent për të bërë ndryshimet e nevojshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat