Ministria e Mbrojtjes: Nuk janë prekur kompetencat e Presidentit

Shqipëria

Ministria e Mbrojtjes: Nuk janë prekur kompetencat e Presidentit

Më: 9 prill 2014 Në ora: 09:42

Ministria e Mbrojtjes reagon pas debatit në media dhe deklaratës së presidentit Bujar Nishani në lidhje me çështjet kryesore që janë trajtuar në ligjin për pushtetet e autoritetet e komandimit, lidhur me kompetencat e Presidentit. Duke këmbëngulur se s’është prekur asnjë kompetencë e kreut të shtetit në ligj, ministrja sqaron elementët që janë saktësuar në këtë ndryshim në p/ligj që pritet të kalojë në mbledhjen e qeverisë.

“Nuk është prekur kompetenca për të miratuar planin e vendosjes e përhapjes, si dhe strukturën organizative të FA-së, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes. Nuk është prekur kompetenca për të graduar të gjithë gjeneralët. Në këtë grup të gjeneralëve, i është lënë emërimi, shkarkimi në detyrë, si dhe nxjerrja në rezervë e lirim e tre komandantëve të forcave dhe e shefit të shtabit. Emërimet, shkarkimet, nxjerrjet në rezervë e lirim të gjeneralëve të tjerë (komandantët e strukturave mbështetese, apo përfaqësues të lartë ushtarakë në NATO etj...), i janë kaluar kryeministrit me propozimin e ministrit të Mbrojtjes”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes. Ndërsa vihet afat në lidhje me shprehjen për emërimet, shkarkimet dhe motivimin e kandidaturës.

“Presidentit i është vënë afat për t'u shprehur për emërimet e shkarkimet që ka në kompetencë, 30 ditë nga propozimi i ministrit të Mbrojtjes, si dhe i është vënë detyrimi të motivojë refuzimin e kandidaturës, kur nuk e miraton atë”, thuhet në deklaratë. Ndërsa PD akuzon kryeministrin Rama për zaptimin e institucioneve të pavarura dhe zaptimin e kompetencave të presidentit. Demokratët nënvizojnë se Rama kërkon t’i marrë 11 kompetenca presidentit të Republikës, përsa i përket drejtimit dhe menaxhimit të Forcave të Armatosura.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat