Strasburgu ndëshkon Shqipërinë 10 vendime me vlerë 8 mln euro

Shqipëria

Strasburgu ndëshkon Shqipërinë 10 vendime me vlerë 8 mln euro

Më: 9 prill 2014 Në ora: 08:53

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka zbardhur dje dhjetë vendime që e penalizojnë shtetin shqiptar për çështjen e pronave me tetë milione euro. Sipas vendimeve të hedhura në faqen e Gjykatës së Strasburgut, bëhet fjalë për kthimin dhe kompensimin e pronave për familjet Karagjozi, Koço, Shehu, Dvorani, Sallabanda, Gogo, Tartari, Okaj dhe Budina të cilët i janë drejtuar ndër vite gjykatës europiane, duke paditur shtetin shqiptar.

Avokati për çështjet e Strasburgut, Sokol Puto i cili përfaqëson disa nga këto familje, shpjegon procedurat që do të ndjekë pala fituese. “Ankuesit duhet t’i drejtohen Avokaturës së Shtetit dhe Ministrisë së Financave për të ndjekur procedurën për ekzekutimin e vendimit dhe procedura që ndiqet në të tilla raste është një vendim i qeverisë për çështjet konkrete dhe ekzekutimi i të tilla vendimeve përgjithësisht bëhet nga Fondi Rezervë i qeverisë”, sqaron Sokol Puto, avokat i çështjeve në Strasburg. Por sa kohë ka në dispozicion shteti shqiptar për të paguar detyrimin e vendosur nga Gjykata e Strasburgut.

“Vendimet e gjykatës në rastin konkret duhet të ekzekutohen brenda një afati 3-mujor nga zbardhja e tyre, përndryshe, nëse ky afat kalohet, nisin të llogariten edhe penalitete të tjera ose interesa”, thotë Puto. Aktualisht me të njëjtin kazus ndodhen në Strasburg edhe gati 379 çështje të tjera të shtetasve të ndryshëm kundër shtetit, ndërkohë që 60 çështje të tjera Gjykata e të Drejtave të Njeriut i ka dhënë kohë Shqipërisë që të gjejë zgjidhje. Dhe që me kalimin e afatit ato hyjnë në fuqi automatikisht duke penalizuar rëndë buxhetin e shtetit.

Pasi nga 413 padi të pronarëve shqiptarë në Strasburg vetëm për 8 syresh shteti duhet të dëmshpërblejë deri në qershor pronarët me shumën prej 37 milionë euro. Sipas ish-pronarëve çështjet e fituara deri tani në Strasburg nga pronarët e Shqipërisë, mund të kenë një kosto financiare prej 150 milionë Euro e deri në qershor kjo Gjykatë do shqyrtojë “en block” 60 dosje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat