Sokol Bizhga: Morën në mbrojtje denoncuesin e killerit Sinanaj

Shqipëria

Sokol Bizhga: Morën në mbrojtje denoncuesin e killerit Sinanaj

Më: 9 prill 2014 Në ora: 07:58

Komisioni Hetimor për lëvizjet në Policinë e Shtetit, në seancën e djeshme dëgjimore me punonjësit e policisë si dhe ish-drejtorë të liruara nga detyra, u përfshi në debate dhe akuza për emërimet e reja që janë bërë në strukturat e Policisë së Shtetit. I pari që raportoi në komision, ishte zv.drejtori i policisë, Sokol Bizhga, i cili gjatë pyetjeve të deputetëve të djathtë sqaroi dhe emërimet që janë bërë në polici si dhe lirimet nga detyra. Nëndrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka sqaruar fillimisht emërimin e tij në këtë funksion më pas i është përgjigjur pyetjeve të deputetëve për çështje të ndryshme, përfshi këtu edhe shpërthimet me tritol. “Në 1999-2006 isha drejtor i parë me gradë ekuivalente. Në mënyrë të paligjshme më kanë hequr 2 grada në 2006”, u shpreh Bizhga para deputetëve, ndërsa ka pohuar se emërimi i tij në këtë detyrë është bërë në përputhje me ligjin. Pyetjes së Kryetarit të Komisionit Hetimor, Arben Ristanit nëse ka pasur masa disiplinore ndaj tij, Bizhga iu përgjigj “isha i penalizuar, por jam rritur në gradë kur isha në detyrë. Masa disiplinore tani është shlyer. Ligjërisht jam zv/drejtor pa asnjë mangësi dhe shkelje”. I pyetur nga deputeti Taulant Balla se kush e propozoi tek ministri Tahiri, Bizhga tha se është propozuar nga Hysni Burgaj. “Kam karrierë 20-vjeçare në polici, jam plagosur në detyrë. Nëse ka shkelje në emërimin tim, largohem nga detyra, jo nga policia”, theksoi Bizhga. Duke replikuar, deputeti Noka, tha se “Burgaj tha që nuk ju ka propozuar për zv/drejtor”. Nga ana tjetër Bizhga sqaroi “unë kam urdhërimin e ministrit për t’u bërë zv/drejtor”. Një nga çështjet për të cilat numri dy i policisë u pyet nga deputeti demokrat Eduard Halimi ishte ajo e shpërthimeve. Halimi kërkoi të dijë më shumë për denoncimin e Ndriçim Gjokonës në media, pasi ky i fundit kishte deklaruar se policia nuk kishte pranuar denoncimin e tij për killerin me pagesë Julian Sinanaj. “Nuk është e vërtetë që nuk e kemi pritur N. Gj. E kemi dëgjuar dhe kemi marrë në mbrojtje familjen e tij. Atij menjëherë i është marrë gruaja dhe fëmija dhe janë vendosur në mënyrë sekrete, në një vend që ende nuk dihet. Ai vet është shëtitur edhe në disa vende të tjera që duhet t'i verifikojë. Çështja e eksplozivëve është çështja e krimeve më të vështira për shumë organizata më të emancipuara, më të përparuara dhe më të fuqishme nga ana financiare dhe policia shqiptare e ka shumë të vështirë për ta zbuluar. Megjithatë po të shikoni treguesin e zbulimit të eksplozivave janë shumë të lartë në raport me shumë përvoja të tjera. Ne morëm shumë pak nga ky rezultat i hatashëm dhe u morëm më shumë me ca gjëra që mbase do t’i kishim bërë më mirë,” tha Sokol Bizhga.

Dëshmia e Rrumbullakut

Në mbledhjen e djeshme nuk munguan as përplasjet mes anëtarëve të Komisionit Hetimor me ish-nëndrejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku. I pyetur nga deputetët në Komisionin Hetimor parlamentar, nëse ka dhënë dorëheqjen apo është larguar nga detyra, Rrumbullaku tha se ka “ka patur urdhër nga Ministria e Brendshme, të cilin e ka komunikuar gojarisht Hysni Burgaj”. “Fillimisht mu tha gojarisht për t’u larguar nga posti dhe për të shkruar në një post tjetër si shef i trajnimeve në shkollën e Policisë së Shtetit, ku edhe jam aktualisht”, tha Rrumbullaku. Një tjetër çështje për të cilën ish-zëvendës drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit është pyetur nga deputetja Ermonela Felaj, është ajo për një fotografi ku Rrumbullaku shfaqet me Arben Frrokun dhe persona të tjerë. “I kam bërë thirrje dhe e përsëris prapë dhe jam absolutisht ballëhapur që nuk kam të bëje me rastin. Të hetojnë mbi sfondin tim, jo vetëm në atë drejtim, por në të gjitha drejtimet”, tha Rrumbullaku.

Akuzat për Perlat Çullhaj

Drejtori i Policisë së Durrësit, Perlat Çullhaj, gjatë raportimit të tij, hodhi poshtë akuzat publike të opozitës se ai ka mbështetur trafikun e bimëve narkotike. Shkak për këto akuza është bërë një foto e tij në Facebook mes një fushe me kanabis, por Çullhaj shpjegoi para Komisionit Hetimor se si ajo dhe foto të tjera janë bërë në vitin 2008 gjatë një operacioni për shkatërrimin e kanabisit, kur ai punonte tek sektori kundër krimit të organizuar në Gjirokastër. “Fotoja është bërë gjatë shkatërrimit të drogës. Unë kam në zotërim edhe foto të tjera që tregojnë se kjo arë është shkatërruar pikërisht pas disa çasteve pas shkrepjes së fotos”, tha ai.

Raportimi i Arjan Hoxhaj

Balla, ish-shefit të antikrimit ekonomik: Ke falsifikuar diplomën, do hetohesh

Seanca dëgjimore me ish-shefin antikrimit ekonomik në Tiranë, Arjan Hoxhaj është kthyer në debat të ashpër mes këtij të fundit dhe deputetit të PS-së, Taulant Balla. Hoxhaj e ka kundërshtuar Ballën dhe është shprehur se do të ngrejë padi për shpifje, i mbështetur nga deputetët demokratë, por Balla, jo vetëm që nuk e ka tërhequr akuzën, por ka kërkuar publikisht ndërhyrjen e Prokurorisë dhe Policisë për këtë rast falsifikimi.

Arben Ristani: A jeni ju ai që keni hetuar babain e ministrit?

Arjan Hoxhaj: Jo unë, po struktura që unë drejtoja. Ai ka qenë operacion i suksesshëm. Por, Tahiri më tha se po morëm pushtetin, do të të heqim. Këta na liruan të gjithëve pa të drejtë, 7 vetë të seksionit të Krimit Ekonomik. Unë kam ankimuar në gjykatë shkarkimin tim dhe po pres gjykimin.

Taulant Balla: A e keni ju z.Hoxhaj, diplomën e Akademisë?

Arjan Hoxhaj: Po, e kam!

Taulant Balla: A jeni në dijeni z.Hoxhaj që e keni falsifikuar diplomën?

Arjan Hoxhaj: Kjo është shpifje, do të ngre padi për shpifje.

Taulant Balla: Nga dokumentet zyrtare rezulton që ju keni diplomë të falsifikuar dhe jeni objekt hetimi.

Eduard Halimi: Z.Balla, këtu ju nuk bëni dot akuza penale. Çojani Prokurorisë, mos i bëni presion dëshmitarit. Ky komision nuk ngre akuza penale.

Taulant Balla: Z.Hoxhaj, e keni mbaruar Akademinë në ’99-ën apo jo?

Arjan Hoxhaj: Po, dhe mbaj përgjegjësi për këtë përgjigje!

Gent Strazimiri: Faji i Hoxhajt është vetëm arrestimi i babait të gabuar.

Pirro Lutaj: Hoxhaj atakoi Ministrin e Brendshëm, ndërkohë që është mashtrues, falsifikator.

Taulant Balla: Prokuroria dhe policia duhet të nisin veprimet ndaj z.Hoxhaj si falsifikator.

box

Konsensus për zgjedhjen e anëtarëve të KD-sw së RTSH-së

Komisioni i Medias, pas më shumë se tre orësh debate miratoi dje formulën e zgjedhjes së 10 anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSH-së: ata do të përzgjidhen me konsensusin e palëve politike, ku pesë do të mbështeten nga mazhoranca dhe pesë nga opozita. Formula që do të përdoret do të jetë pikërisht ajo që është propozuar nga deputetët e mazhorancës. Nënkryetari i këtij Komisioni, Alfred Peza i ka rikujtuar opozitës dhe kryetarit të Komisionit se kjo zvarritje e qëllimtë po e mban prej kohësh peng Radio-Televizionin Shqiptar. “Drejtori i Përgjithshëm i Radio-Televizionit Publik Shqiptar ka dhënë dorëheqjen më datë 13 dhjetor 2013. Prej 4 muajsh ky institucion është pa drejtor. Kryetari i Këshillit Drejtues të RTSH-së i ka përfunduar mandati më datë 28 korrik 2011 dhe prej 35 muajsh ky institucion është pa kryetar të Këshillit Drejtues. Zgjidhja konsensuale ka pesë muaj që po kërkohet. Konsensusi u dha dhe ju u tërhoqët dhe në momentin ku për një ligj konsensual nuk gjendet një formulë konsensuale kalohet në procedurë. Kemi propozimet konkrete, të kalojmë në procedurë meqë ju vazhdoni në të njëjtin pozicion”, tha nënkryetari i Komisionit, Alfred Peza. Por edhe zgjidhja e këtij hapi të parë procedurial nuk ka qenë e lehtë. Mazhoranca propozoi që secila palë të mbështesë 20 kandidaturat e saj, më pas të nisë përzgjedhja finale për të arritur tek 10 emrat që do të përfaqësohen në Këshillin Drejtues të RTSH-së. “Një listë prej 20 emrash të mbështetur nga mazhoranca dhe një listë tjetër me 20 emra të mbështetur nga opozita. Përzgjedhja përmes përjashtimit të bëhet nga mazhoranca në listën e opozitës dhe nga opozita në listën e mazhorancës deri sa të arrihet numri pesë nga secila listë”, ishte propozimi i mazhorancës bërë nëpërmjet deputetes socialiste Mimoza Hafizi. Pas miratimit të formulës, Komisioni ka vendosur që relator për zëvendësimin e vendeve bosh të Autoritetit të Medias Audiovizive të jetë nga mazhoranca nënkryetari i Komisionit të Medias Alfred Peza dhe nga opozita Luçiano Boçi. Me konsensus u miratua edhe raporti dhe projektrezoluta për veprimtarinë e Këshillit Drejtues të RTSH-së. Në rezolutë thuhet se Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik pasi u njoh me Raportin e Këshillit Drejtues mbi “Veprimtarinë e RTSH-së për vitin 2013, vëren se Këshilli Drejtues i RTSH-së gjatë vitit 2013 e ka ushtruar veprimtarinë e tij në kushtet kur mandati i anëtarëve të tij ka përfunduar prej mëse 2 vitesh dhe se Drejtori i përgjithshëm i RTSH-së gjatë vitit 2013 është dorëhequr dhe institucioni është drejtuar nga zv/drejtori i përgjithshëm. Përmes kësaj rezolute, Komisioni i Medias kërkon nga Këshilli i ri Drejtues për vitin 2014, emërimin sa më parë të drejtuesve të rinj të RTSH-së, Bordit të Administrimit dhe të Këshillit për shikuesit dhe dëgjuesit në përputhje me kërkesat e ligjit;miratimin e statusit të RTSH-së; reformimin e thellë strukturor të RTSH me qëllim kthimin e këtij institucioni në një transmetues të mirëfilltë publik;angazhimin maksimal të të gjithë strukturave të RTSH-së në procesin e dixhitalizimit në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e tjera të ngarkuara me ligj; rritjen e cilësisë së programeve të transmetuara nga RTSH, hapjen e kanaleve të reja duke i shërbyer sa më mirë të gjithë grupeve të shoqërisë. Implementimin e plotë të kërkesave të ligjit të ri” Për mediat audio-vizive në Republikën e Shqipërisë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat