Shtatë politikanë nën hetim për pastrim parash

Shqipëria

Shtatë politikanë nën hetim për pastrim parash

Më: 9 prill 2014 Në ora: 07:55

Drejtori i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave, Gent Gazheli gjatë raportimit të tij në Komisionin e Sigurisë për Raportin vjetor të vitit 2013 të institucionit që ai drejton, evidentoi se nga viti i kaluar janë 7 politikanë që janë nën hetim nga Prokuroria me akuzën e pastrimit të parave. Për shkak të procesit hetimor, Gazheli nuk bëri të ditur as emrat e të dyshuarve për pastrim parash. “Kemi në procedim dhe po bëjmë një punë shumë të mirë duke i'u referuar policisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Vjet kanë qenë 7 raste''-, theksoi Gazheli. Referuar raportit vjetor, rezulton se subjektet që kanë raportuar më shumë raste për transaksione të dyshimta janë pikërisht bankat me 420 raste, ndërsa institucioni që nuk ka raportuar asnjë rast të vetëm për transaksione të dyshimta është pikërisht Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë (ILDKP). Sipas Gazheli, gjithsej për vitin e kaluar janë 558 raste të raportuara si të dyshuara për pastrim parash, ku nga këto më kryesoret janë ato të transaksioneve, derdhjeve me para në dorë në shuma të konsiderueshme, përdorimi i llogarisë individuale për evazion fiskal, blerje pasurish të paluajtshme me burim të panjohur fondesh etj. Ndërkohë që për periudhën Janar- Dhjetor, 2013 janë nxjerrë 15 urdhra bllokimi për fonde dhe llogari bankare të dyshuara si të lidhura me aktivitete të jashtëligjshme. Shuma e sekuestruar është 29,890,522.8 lekë, e cila përbën 24.2% të shumës totale të bllokuar prej rreth 123,433,898 lekë. Dyshimet më të shpeshta konsistojnë për veprën penale të evazionit të lartë tatimor, me 28 raste të referuara; trafikimin e lëndëve narkotike, që edhe këtë vit zë një peshë relativisht të rëndësishme me 18 raste të referuara. Vitin e kaluar, sipas Gazhelit, është vërejtur një ulje e numrit të raportimeve krahasuar me vitin 2012, e cila vjen si pasojë e reduktimit të periudhës së raportimit të transaksioneve të lidhura nga 72 orë në 24 orë, uljen e përdorimit të parasë fizike në ekonomi të ndikuar edhe nga legjislacioni fiskal dhe ndikimit të krizës ekonomike në vend. Viti 2013 ka njohur rritje të numrit të raportimeve që vijnë nga noterë, por edhe rritje të numrit të noterëve raportues, kjo e ndikuar edhe nga liçensimet e reja që kanë ndikuar në rritjen e ndjeshme të numrit të noterëve aktivë në vend.

Raporti me Prokurorinë

Gjatë raportimit në Kuvend, kreu i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave lëshoi kritika në drejtim të organit të Prokurorisë, pasi për Gazhelin ky institucion nuk i heton si duhet dosjet e referuara nga drejtoria e tij. ''Konstatohen vonesa të paarsyeshme në hetimin e rasteve, hetime krejt të mangëta, arsyetime të pabazuara, mos kuptimi i veprës penale dhe pastrimi i produktit të veprës penale nga Prokuroria. Pushohen nga Prokuroria, nuk shkojnë në gjyq"-u shpreh Genti Gazheli. Gazheli kritikoi ndërkohë edhe punën e paraardhësit të tij në këtë institucion duke theksuar se ndërkohë që gjatë gjithë vitit 2013 u bënë gjithsej 13 inspektime, vetëm në 3 mujorin e parë të këtij viti janë bërë mbi 20 të tilla. Referuar raportit vjetor për vitin e kaluar, kjo drejtori ka konstatuar 284 raste për hetim të parave, të cilat janë referuar në polici si dhe 35 raste të referuara në Prokurori.

Terrorizmi

Një tjetër shqetësim që u ngrit nga ana e deputetëve të opozitës në Komisionin e Sigurisë ishte fakti i hetimit të pasurisë së personave të dyshuar për terrorizëm, ku sipas drejtorit Gazheli për momentin janë ngrirë pasuritë e personave të akuzuar për terrorizëm, të arrestuar si dhe të shpallur në kërkim. I pyetur për financimin e terrorizmit dhe rolin e drejtorisë që ai drejton në këtë çështje, Gazheli theksoi se në bashkëpunim me Policinë dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda u arrit që të ngrihen asetet e këtyre personave në kohë rekord. ''Rasti i fundit i arrestimit të 13 personave për terrorizëm, tregoi edhe njëherë se sistemi jonë funksionon shumë mirë. Që do të thotë në kohë reale dhe në mënyrë të menjëhershme në reagim dhe bashkëpunim me policinë e shtetit dhe prokurorinë e krimeve të rënda drejtoria e përgjithshme e Parandalim Pastrim Parave ka ngurtësuar të gjithë asetet dhe numrat e llogarive të personave në 16 banka të nivelit të dytë, ''- u shpreh Gazheli.

Replikat

Gent Gazheli: Vihet re një rritje e rasteve të dyshimta. Kemi vërejtur një ulje të gjobave, ku ka patur 13 gjoba gjatë 2013. Numri i rasteve që dërgohen në gjykatë për pastrim parash është i ulët. Ka një rritje të numrit te raportimeve nga noterët me 40%. Në saj të bashkëpunimit tashmë kemi akses elektronik edhe në zyrat e regjistrimit të parave. Ka patur një bashkëpunim të veçantë me Ministrinë e Drejtësisë.

Mesila Doda: Ajo që më bie në sy më shumë është në paraqitjen e raportit se ka patur një rritje të punonjësve me strukturat e reja. Ajo që deri tani na thatë ishte trajnimi i punonjësve. Të mos mjaftohemi vetëm në atë që kemi bërë deri tani. Nëse do shikoni rastet ka një shumëfishim të tyre gjatë tetë viteve. Ju thatë që vendimet gjyqësorëve kanë qenë të pakta. Duhet të më thoni se ku çalon sistemi ynë se krimet evidentohen dhe nuk kemi një dënim të qartë. A keni raste në dijeninë tuaj të akteve të kryera nga persona të veshur politikisht? Ose na thoni nëse politikanët nuk janë të prekur nga kjo çështje. Mendoni se në vendin tonë ekzistojnë problematika që kanë lidhje me terrorizmin porsa i përket hetimit të parave ? Çfarë keni bërë në lidhje me këtë fenomene?

Genti Gazheli: Konstatohen vonesa të paarsyeshme për çështje që pushohen nga Prokuroria. Nuk shkojnë në gjyq. Për 2013 janë gati 300 raste dhe ky numër po rritet nga dita në ditë.

Mesila Doda: Kjo do të thotë se kanë punuar mirë ata që kanë qenë para jush.

Genti Gazheli: Për personat politikë do të kemi procedim. Vjet kanë qenë shtatë raste. Për masat kundër terrorizmit mund të them se janë nën kontroll llogaritë në 16 banka të nivelit të dytë për personat e dyshuar.

Spartak Braho: Projektligji ekzistues ka nevojë për përmirësime?

Genti Gazheli: Në kuadër të rekomandimeve ne përshtatemi me ndryshimet ligjore. Ndryshimet e fundit janë bërë në 2013 dhe ky ligj është funksional.

Flamur Noka: E dëgjova raportin dhe mu duk pak i thatë, i mbushur me foto nga aktivitetet e drejtorisë tuaj. E gjykoni ju se ka nevojë të ndërhyni në legjislacion?

Genti Gazheli: Sapo e thashë që jo.

Mekanizmat e pastrimit të parave

Subjektet që vihen nën hetim si të dyshuar për pastrimin e parave në të shumtat e rasteve përdorim mekanizma të njëjtë të fshehjes dhe mënyrës për të pastruar paratë. Janë pikërisht transaksionet bankare si dhe kreditë e marra për biznes, blerje objekti banimi apo dhe automjetesh si dhe investime në biznes ato që shërbejnë si justifikim për marrjen e kredive më shifra të larta. Një prej rasteve të evidentuara gjatë vitit 2013 nga Drejtoria e Pastrimit të Parave ishte dhe ai i një personi, i cili brenda një harku të shkurtët kohor ka deklaruar shifra të larta transaksionesh bankare. “Shtetasi shqiptar A, me nënshtetësi të një vendi europian, gjatë një viti, ka deklaruar në dalje të Shqipërisë, shuma të larta në vlerë totale prej 250 000 USD. Qëllimi i deklarimit të këtyre shumave është ‘blerje automjeti’ dhe ‘biznes’; Ky shtetas në sistemin bankar në vend ka qarkulluar prej vitit 2010, shuma të larta kryesisht me para në dorë, ku burimi të ardhurave janë deklaruar, ‘kursimet’, ‘emigracioni’, ‘marrja borxh’ dhe ‘biznesi”. Në vijim (në vitin 2013) shtetasi A, në dalje të Republikës së Shqipërisë, ka deklaruar shumën prej 500 000 USD, me qëllim ‘blerje shtëpie’ jashtë vendit. Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se ky shtetas pak kohë më parë, kishte marrë një kredi në këtë shumë në një nga bankat tregtare në vendin tonë të cilën a ka shlyer disa ditë më vonë. Bazuar në informacionin e analizuar si më sipër, transportimi i shumave të larta jashtë kufirit, përdorimin e dyshimtë të kredisë, përdorimin e shpeshtë të parasë në dorë, etj, informacioni është dërguar për investigim të mëtejshëm në organet e zbatimit të ligjit”, evidentohet në raport.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat