Kompanitë e ndërtimit debitore ndaj CEZ

Shqipëria

Kompanitë e ndërtimit debitore ndaj CEZ

Më: 8 prill 2014 Në ora: 09:38

Rreth 500 kompani ndërtimi rezultojnë debitore ndaj kompanisë CEZ Shpërndarje, nga 2 deri në 10 milionë lekë. Përfaqësuesit e ndërtuesve pretendojnë se ky borxh është akumuluar nga viti 1994 deri në vitin 2014, nga qytetarët që vijojnë të konsumojnë energji, duke pasur kontrata në emër të kompanive të ndërtimit. Shoqata e Ndërtuesve zhvilloi dje një seancë dëgjimore me Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, ku diskutua kjo problematikë. Sipas tyre KESH-i dhe CEZ-i në çdo godinë të ndërtuar ka marrë pasuri imobiliare për vendosjen e kabinave elektrike falas nga ndërtuesit. ''Nga viti 94 deri në vitin 2014, në këtë periudhë 10% e blerësve të apartamenteve, të cilët nuk kanë qenë të ndërgjegjshëm kontratat i kanë lënë në emër të kompanive të ndërtimit. Sot nuk ka kompani ndërtimi e cila nuk është borxhlije ndaj CEZ-it duke i paguar 100% të gjitha detyrimet e saj. Debitore ndaj CEZ ajo ngelet vetëm për faktin se 10% e klientëve të saj nuk kanë bërë ndryshimin e emrit nga kompania tek emri privat''- tha përfaqësuesi i Shoqatës së Ndërtuesve, Avenir Kika. Por sipas Kreut të Komisionit, Eduard Shalsi nuk kanë munguar edhe kompanitë që kanë abuzuar me qytetarët përsa i përket zbatueshmërisë së kontratave dy palëshe. ''Një pjesë e ndërtuesve nuk kanë plotësuar kushtet, që kanë marrë përsipër, kemi firma serioze dhe firma jo serioze në Shqipëri. Pra çështja del përtej një caku të thjeshtë në interpretim.

Arsyeja që po e bëjmë këtë perceptim është për të ndriçuar çdo lloj skute në mënyrë që zgjedhja të mos vijë si deri më sot, sepse nuk janë shumë përpjekje për ta zgjidhur, por janë bërë përpjekje të pjesshme'-'tha Eduard Shalsi. Pas seancës dëgjimore të Komisionit të Veprimatrisë Prodhuese ka reguar kompania CEZ Shpërndarje, duke sqaruar se kontratat për lidhjet e reja të energjisë elektrike bëhen pas aplikimit të ndërtuesve pranë kompanisë. CEZ Shpërndarje hedh poshtë si të pavërtetë deklaratën e bërë nga drejtuesit e shoqatës së Ndërtuesve, duke theksuar se janë ndërtuesit ata që së bashku me pronarët e apartamenteve aplikojnë për ndryshimin e emrave në kontratat me CEZ Shpërndarje, nga firma e ndërtimit në atë të pronarit të banesës. Sipas CEZ, kompania nuk mund të ndërhyjë në asnjë rast pa aplikimin e ndërtuesit që ka kontratën e objektit. CEZ Shpërndarje deklaron se edhe ndërtimi i kabinave është detyrim ligjor i firmave ndërtuese, që sanksionohet edhe mes detyrimeve për miratimin e lejes së ndërtimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat