Rama: Jo punë në shtet për klientelën partiake

Shqipëria

Rama: Jo punë në shtet për klientelën partiake

Më: 8 prill 2014 Në ora: 08:39

Punësim te sipërmarrja, jo punë në shtet për militantët dhe kushërinjtë. Fund klientelës partiake, klanore dhe nepotike! Kryeministri Rama e dha këtë mesazh për socialistët në prezantimin e djeshëm të prefektes së re të Vlorës, Etjona Hoxha. Për ata që e ndiqnin fjalimin të copëzuar në kronikat televizive, të pasuara nga deklarata e zëdhënëses së PD-së (për balancim), me plane në sfond prefekten e re dhe atë në ikje, si dhe në rreshtin e parë kryebashkiakun Gjika, nxitej asociacioni me përplasjet e së kaluarës mes grupeve politike; atyre që shpresojnë ndonjë punë në shtet, ju kujtohej “meritokracia” e artikuluar shpesh; nga ata që mbushnin sallën, studentët dhe pedagogët e Universitetit “Ismail Qemali”, pati mirëkuptim të asaj që komunikoi Rama. Prania e tyre ishte shprehje e nevojës së qeverisë për mbështetje, jo vetëm nga socialistët, por më gjerë. Kjo mund të jetë receta politike e kryeministrit për të përballuar presionin e militantëve për punë në administratë, e cila është një nga prioritetet e statusit të kandidatit të BE-së.

“PS të hapet tërësisht”

“Unë jam shumë i lumtur sot, që shikoj këtu fytyra të reja. Nuk janë fytyra të reja njerëzish që vijnë sot për konjukturë, apo që s’kanë punë. Janë fytyra të reja njerëzish që marrin pjesë në këtë ceremoni, jo për t’u dukur sot dhe për të përfituar ndonjë gjë, por për të mbështetur prefekten e re të Vlorës. Vijnë nga universiteti i Vlorës”, u shpreh Rama. Duke paralajmëruar hapjen e PS-së, kryeministri Rama u shpreh se, “Është koha për ta hapur PS-në tërësisht, është koha për ta thënë qartë dhe për ta bërë që PS, sot ka nevojë më shumë se dje për të gjithë dhe jo e kundërta, që dje kishte nevojë për të gjithë dhe sot të mbyllim dyert”.

“Kushërinjtë të presin!”

Ndërkohë, duke iu kthyer fillimeve si kryeministër, kur shprehej se, “kush më fut mik, humbet pikë”, Rama u tha publikisht kushërinjve e tij të mos i kërkojnë favore. “Nëse dikush që ka një status të veçantë, fut në punë gjithë familjen dhe gjithë fisin e vet, nuk ka më argument për t’i thënë të tjerëve “shiko se duhet durim”. Pse duhet të durojnë të tjerët dhe nuk duhet të durojnë kushërinjtë?! Ata të parët. Më vjen shumë keq mua, se unë kam kushërinj në Vlorë dhe i kam shumë të mirë, po fatkeqësia e tyre, që jam unë kryeministri. Dhe kështu duhet të jetë për të gjithë ne, besoj unë. Përndryshe askush nuk do të na besojë, përndryshe askush nesër nuk do të jetë pas nesh, me të njëjtin entuziazëm dhe me të njëjtin vullnet”, tha Rama.

“Fund klientelës!”

“Ne socialistët e bashkuar,-vazhdoi Rama, nuk mund dot të vazhdojmë në traditën e shëmtuar të rrënimit dhe të gërryerjes së shtetit, për interesat e një pushteti të përqendruar vetëm tek një klientelë e ngushtë partiake apo nepotike apo klanore”. Duke vazhduar këtë ide, Rama shtoi: “T’i japim fund një dasie primitive, një dasie të vjetër dhe shkatërruese për Shqipërinë, mes atyre që me pushtetin nuk dinë të bëjnë asgjë tjetër, veçse të rregullojnë në punë kushërinjtë, të rregullojnë në punë tarafin , të rregullojnë në punë fshatin e tyre dhe pjesës tjetër të shoqërisë që ndihet e përjashtuar”. Para këtij takimi Rama vizitoi një sipërmarrje fasonësh që punëson 700 vetë nga Vlora. Duke marrë shkas nga kjo, Rama tha se “Ne kemi shumë nevojë që ta nxisim sipërmarrjen që kërkon vende të reja pune, sepse kemi shumë nevojë të kuptojmë ne të parët e pastaj të bëjmë të kuptojnë të gjithë të tjerët, se shteti nuk mund të jetë punëdhënësi më i madh”. “Paraardhësit tanë, -shtoi Rama, e transformuan të gjithë shtetin në një ‘fole punësimi’, që vetëm punësim nuk mund të quhet, por është mbajtje në pension për njerëz, të cilët figurojnë si nëpunës së shtetit”. Në Shqipëri, -tha Rama, përsëritet pafundësisht cikli i shkarkim-ngarkimeve, vetëm për interesa të ngushta që fatkeqësisht kontrollohen nga një grup njerëzish. Kjo duhet të marrë fund, -tha kryeministri.

Rama tha: Për prefekten e re

“Nuk mund veçse t’i uroj që gjysmën e atyre që tha ta bëjë realitet dhe jam i sigurt se, diçka shumë e rëndësishme do të ndryshojë për institucionin”.

Për ish-prefektin

“Paraardhësit të Etjonës, Besnikut, po ashtu i shpreh falënderimin dhe mirënjohjen tonë për mundin dhe sakrificën e kësaj periudhe dhe sigurisht, edhe sukses në detyrën që do të marrë më tutje”.

Kriza energjetike

“Kriza e sistemit energjetik, një krizë e trashëguar dhe një krizë ku ka një rol jo të vogël militantizmi në ekstrem i njerëzve që punojnë në sistem”

Për zyrtarët

Ne shqiptarët kemi një fjalë shumë të bukur dhe kjo duhet të jetë deviza jo vetëm e prefektes së re, por e çdo shërbëtori, në çdo zyrë ku njerëzit hyjnë: “Hallin që s’ma zgjidh të paktën ma qaj”.

Për ndarjen territoriale

“Reforma administrativo-territoriale është përgjigja. Është përgjigja për pastrimin, është përgjigja për transportin, që të kalojmë nga një transport primitiv të bazuar tek furgonat 8+1, si në Bangladesh...”

Për Vlorën

“Zoti e ka bërë ditën e diel, kur ka qenë pushim, e ka bërë për qejf; qytet që ka njerëz të jashtëzakonshëm, ka energji të jashtëzakonshme dhe që nuk dorëzohet kurrë para asnjë vështirësie.”

Dervishi: “Të mos frikësohemi nga agresiviteti kriminal”

Çfarë është administrata për Besnik Dervishin, një nga kandidatët për postin e Komisionerit të Shërbimit Civil? “Një skuadër që lufton krimin pa kompromis, informalitetin, shkeljen e ligjit, korrupsionin e korruptimin e sistemit, frikën për të reaguar edhe ndaj agresivitetit deri kriminal të çdokujt që ndjen fundin, por edhe kurajën për t’u shkëputur e për të përqafuar të ardhmen”, tha Devishi dje, në Vlorë. Ai saktësoi se, “Ne jemi një skuadër që fituam në zgjedhje, por duhet një skuadër shumë më e konsoliduar për qeverisjen e vendit dhe e pastër nga pandehmat”. Duke renditur disa rezultate gjatë kohës që ishte në Vlorë, ai tha se është kultivuar një praktikë e re, auditimi i performancës së burimeve njerëzore në çdo njësi. Sipas tij, në Vlorë u konstatuan mjaft probleme që kanë të bëjnë me një kulturë që kultivon parazitizmin, keqpërdorjen njerëzore, uljen e efektivitetit të institucioneve, shpërdorimin e burimeve financiare. “Për të qenë më i qartë,-vazhdoi Dervishi, janë ata punonjës, që e kanë emrin të shkruar nëpër bordero e që marrin rrogë, por që nuk e dinë se ku e kanë vendin e punës e paguhen me paratë publike vetëm për t’u shërbyer e argëtuar shefat “bamirës”, në kurriz të atyre që kanë nevojë vërtet për punë e duan vërtet të punojnë. Ky nuk është punësim, kjo është e kundërta e objektivit të qeverisjes tonë për punësimin”. Duke theksuar denoncimin e këtyre shfaqjeve, ish-prefekti tha se, “Për disa nga këto çështje kemi kërkuar angazhimin e organit të prokurorisë dhe të organeve të tjera ligjzbatuese, e që të bëhet, kërkon kurajë dhe unë kam besim se ky proces do të vazhdojë”.

PD: Asnjë vend të ri pune në Vlorë

Partia Demokratike tha se 7 muaj pas marrjes së pushtetit, kryeministri Rama ka një bilanc negativ në qarkun që e zgjodhi deputet: asnjë vend pune i hapur në Vlorë, ndërsa Rama, sipas zëdhënëses së PD-së, Laura Vorpsi, është bërë producent shfaqjesh televizive. “Edi Rama bën shou, sillet si një konferencier, duke drejtuar një spektakël të shëmtuar të largimit nga puna të një prefekti të dështuar. Çfarë do të thotë e gjitha kjo për qytetarët vlonjatë. A kanë të rinjtë vlonjatë më shumë punë, a kanë të moshuarit pensione më të larta, a kanë familjet çmime më të mira të energjisë dhe ushqimeve bazë?” Jo, asnjë gjë e mirë nuk ka ndodhur në Vlorë, sipas PD-së

PS e Vlorës: E bëtë Shqipërinë përshesh

Në reagimin e PS-së së Vlorës theksohet se, qeveria i ka kthyer qytetit frymëmarrjen. “Saliu plak dhe laureshat e tij, bëjnë mirë të mos e zënë me gojë Vlorën. Sepse sa herë hapin gojën i kujtojnë Vlorës shkatërrimet e pasurive kombëtare, grabitjet e pronave në bregdet, zero investimet e tyre për Vlorën në tetë vjet. Ata që me politikën e tyre antishqiptare e bënë Shqipërinë përshesh, nuk mund të kërkojnë sot llogari për plagët që hapi kudo pushteti i tyre. Vlora dhe gjithë Shqipëria po rilindin dita-ditës.”- thuhet në reagimin e PS-së.

Tahiri: Në Vlorë duhet parandaluar trafikimi

“Ky është një moment për të ritheksuar prioritetet e qeverisë që janë ndjekur nga Besniku dhe do të ndiqen nga Etjona, që i uroj suksese. Qeveria dhe kryeministri kanë komunikuar në publik që institucioni i prefektit duhet reformuar.”- u shpreh Tahiri. Me tej ai vijoi: “Prefektët kanë detyrë nxitjen, ndihmën, koordinimin e punës që bëjnë strukturat e Policisë së Shtetit për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin”. “Në qarkun e Vlorës, -tha ministri, kemi pasur rezultate, por mbetet shumë për të bërë. Në këtë qark mbetet prioritet parandalimi i kultivimit të lëndëve narkotike dhe lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat