Degjeneron debati për AMA-n, paralajmërohet shkarkimi i Pollos

Shqipëria

Degjeneron debati për AMA-n, paralajmërohet shkarkimi i Pollos

Më: 8 prill 2014 Në ora: 08:37

Mosmiratimi i kalendarit të punimeve në Komisionin e Medias, në të cilin mazhoranca kishte përfshirë mbledhjen e ditës së premte edhe memon e kryetarit të Kuvendit për shpalljen e vendeve vakante në AMA, shërbeu si “mollë sherri” mes anëtarëve të këtij komisioni. Vetëm pas pesë orë zvarritjesh dhe deklaratash politike, komisioni ka mundur të kalojë kalendarin e punës, edhe pse të miratuar një herë javën e kaluar, i cili i hap rrugën institucionalisht për plotësimin e katër vendeve të mbetura bosh në AMA. Por nga ana e tij nënkryetari i këtij komisioni, Alfred Peza paralajmëroi kërkesën për shkarkim të kryetarit të komisionit, Genc Pollo, nëse ai do të vijojë sërish që të zvarrisë punimet e këtij komisioni. Sot pritet që të fillojë diskutimi në komision për çështjen e vendeve vakante në AMA si dhe përzgjedhja e kandidatëve për kryetar të KD të RTSH-së.

Replikat

Fatmir Toçi: Kishit një qëndrim kontradiktor në lidhje me mënyrën për të kontestuar mbledhjen e shkuar. Ne jemi informuar që kalendari është miratuar dhe do të vazhdojmë me këtë kalendar. Është e drejta juaj ta braktisni apo të vazhdoni mbledhjen.

Genc Pollo: Shpall të pavlefshëm mbledhjen e komisionit në 31 mars dhe vendimet e marra në këtë mbledhje.

Alfred Peza: Me çfarë atributi e shpallni të pavlefshme? Ky është rast i paprecedentë. Mund të krahasoheni me Luigjin e XIV, i cili thoshte shteti jam unë, ligjin e bëj unë. Asnjë ligj nuk u jep të drejtën të shpallni të pavlefshëm vendimet e mazhorancës. Nuk e ke tagrin ligjor.

Fatmir Toçi: Z.Pollo po merr peng komisionin.

Genc Pollo: Kalendari është anuluar tashmë. Të miratojmë projekt-kalendarin sipas propozimeve tona.

Alfred Peza: Zbatoni këshillën e juristit. Hidheni në votë.

(Rrëzohet me shumicën e votave propozimi i Pollos)

Luiza Xhuvani: Ç’është kjo, po bëni lojëra kalamajsh. Ju po spekuloni me pozicionin që keni.

Genc Pollo: Me nota pozitive po e bëj. Problemi i këtij komisioni është mungesa e kalendarit. S’e kuptoj këtë qetësinë e Musait.

Alfred Peza: Ekziston një kalendar që ne e kemi miratuar me shumicë votash. Vazhdojmë të jemi serioz me punën për këtë kalendar.

Musa Ulqini: Në këto 17 vjet që kam qenë këtu nuk ka ndodhur që pakica mund të bllokojë mazhorancën. Kemi tetë orë që kemi diskutuar. Është mekanizmi i votës ai që zgjidh çështjen. Ne kemi marrë përsipër të bëjmë një reformë. Është e paprecedentë që në gjithë këto muaj nuk zgjidhen gjërat..

Fatmir Toçi: E kthyet në monarki komisionin. Nuk jeni ju për të vlerësuar se çfarë propozon një deputet i opozitës apo i pozitës, thjesht jeni i detyruar ta hidhni në votë. Respektoni rregullore. Nga ana juaj e hodhët në votë nga ne pse jo?

Genc Pollo: Na kanë ardhur dy kalendarë, ai që propozojmë ne dhe ai në tubimin e njëanshëm të mazhorancës.

Alfred Peza: Jeni bërë si kamikaz. Keni marrë peng gjithë komisionin. Të pyesim juristin e komisionit çfarë duhet bërë në këto raste.

Luiza Xhuvani: Do hyjmë në Guinnes. Kjo është absurde, u bëmë qesharakë.

Juristi i Kuvendit: Çdo propozim i nënshtrohet votimit.

Genc Pollo: Mos bëni presion mbi punonjësit civilë.

Alfred Peza: Po na bëni që, përveç nismës për t`iu shkarkuar në Parlament, të bëjmë dhe diçka tjetër. Gazetarëve iu ka mbetur që të qëllojnë me këpucë siç bënë me Xhorxh Bushin.

Genc Pollo: Projekt-kalendari do t’i nënshtrohet diskutimit.

Alfred Peza: Jemi në një propozim konkret të znj Hafizi. Hidheni propozimin në votë. Çfarë janë këto abrakadabra?!

Genc Pollo: Propozimi është i papranueshëm, sepse nuk është miratuar nga Konferenca e kryetarëve. Ta përfshijnë ata në kalendar.

Alfred Peza: Ju po i ngjani personazhit të Ismail Kadaresë, shokut Cu. I kërkoj sekretares të rikthejë kalendarin e shtatorit, ku vet z. Pollo ka firmosur për plotësimin e vendeve vakante në AMA.

Konsensus për ndryshimin e Kodit Penal, 15 dënimi maksimal për terroristët

Komisioni i Ligjeve miratoi me konsensus propozimet e nëntë deputetëve të mazhorancës për ndryshimet në Kodin Penal, të cilat parashikojnë të kriminalizojnë rekrutimin, përgatitjen dhe pjesëmarrjen e qytetarëve shqiptarë në aktivitete luftarake jashtë territorit të Shqipërisë. Sipas ndryshimeve të miratuara, pjesëmarrja në formacione luftarake në një konflikt të armatosur jashtë Shqipërisë, dënohet me burg nga 3 deri ne 8 vjet burg. Ndërkohë që kur kjo vepër penale kryhet me qëllim përmbysjen e rendit kushtetues ose shkeljen e integritetit territorial të një shteti të huaj, dënohet me burg nga 5 deri në 10 vjet burg. Masa më e ashpër ndëshkuese nga 5 deri në 15 vite burg është parashikuar për ata që nxisin, organizojnë dhe financojnë mercenarët. Nga ana e saj opozita ngriti shqetësimin nëse ekzistonin apo jo dispozita ligjore që të dënojnë personat që akuzohen si terroristë apo nxitës të terrorizmit në vend. Deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi, u shpreh se opozita është pro amendamenteve, ndërsa kërkoi nga kryetari i komisionit që të sqarojë dispozitat ligjore me të cilat po heton prokuroria në rastet e përfolura të xhihadistëve të arrestuar në Shqipëri për akte terroriste. “Shqipëria, sot pa u bërë kjo nismë, e dënon terrorizmin apo jo? Ky hetim që ka nisur Prokuroria ka bazë ligjore apo tani po e shpikim?”, pyeti Halimi. Gjatë fjalës së tij, deputeti i PS, Pandeli Majko arsyetoi propozimet e mazhorancës, duke u fokusuar dhe te rastet e fundit të dyshuara për terrorizëm, me sigurinë kombëtare në vend. “Çështja është e karakterit të mbrojtjes së sigurisë kombëtare. Nëse çështjet e sigurisë kombëtare s`kanë kohezion, është e kotë që ta vazhdojmë komisionin”, tha Majko. Nga ana e saj, deputetja e Partisë Socialiste, Ermonela Felaj, deklaroi se deri sot nuk ka pasur dispozitë për ata që luftojnë jashtë vendit. Ajo shtoi se Ministria e Drejtësisë, OPDATE, Prokuroria e Përgjithshme dhe institucione të tjera që kanë shqyrtuar propozimet e mazhorancës, kanë rënë dakord me ndryshimet e propozuara. “Propozimi bëhet nga 9 deputetë dhe vjen në kohën e duhur. Ka shtim të numrit të shqiptarëve që shkojnë të luftojnë jashtë vendit. Ka rrezik që në vend të kthehen njerëz të inkriminuar. Edhe ministria e Drejtësisë është dakord me propozimet. Këta persona do të hetohen e gjykohen nga Prokuroria dhe Gjykata e Krimeve të Rënda. Edhe OSBE-ja është dakord me propozimin”, tha Felaj. Relatorja e këtij projektligji, deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Silva Caka, deklaroi se nisma përmbush të gjithë kriteret dhe se ndryshimet kanë marrë miratimin edhe të disa prej institucioneve në vend. “Ky projektligj në aspektin ligjor është në përputhje me Kushtetutën, konkretisht me nenin 81 të saj. Ngjarjet e fundit në Siri, por jo vetëm, kanë sjellë në pah angazhimin në luftime jashtë territorit të shtetit të cilit i përkasin, të subjekteve që si qëllim për kryerjen e një veprimtarie të tillë nuk kanë vetëm përfitim ekonomik, ndoshta dhe në mungesë të plotë të tij. Në aspektin procedural, projektligji ka respektuar të gjitha kërkesat. Një qasje ligjore ndaj këtij fenomeni është duke u realizuar edhe nga Republika e Kosovës me miratimin e ligjit për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit. Ky projektligj votohet me shumicë të cilësuar”, tha Caka.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat