Policia u shpërblye me 2 milionë euro për 21 janarin

Shqipëria

Policia u shpërblye me 2 milionë euro për 21 janarin

Më: 8 prill 2014 Në ora: 08:05

-Policia e Shtetit është shpërblyer me 2 milionë euro pas protestës së 21 janarit, ku mbetën të vrarë katër protestues. Pohimi u bë nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi në dëshminë e tij në Komisionin Hetimor për lëvizjet në polici, i cili nisi dje seancat dëgjimore me drejtues dhe ish-drejtues të uniformave blu. Kjo, sipas drejtorit të Përgjithshëm, përbën problem, siç përbën shqetësim dhe shpenzimi i 3 milionë dollarëve për publicitet dhe jo për mirëfunksionimin e policisë. Në përgjigje të ligjvënësve Didi ka pohuar më tej se Agron Kuliçaj ka marrë gradën në kundërshtim me ligjin. Ndërsa mesditën e djeshme ka dëshmuar ish-drejtori i Përgjithshëm, Hysni Burgaj, i cili, për rreth 3 orë, iu është përgjigjur ligjvënësve. Ai ka deklaruar se mban përgjegjësi të plotë për emërimin e 12 krerëve të qarqeve dhe nuk është ndikuar nga askush, emërime këto që nga demokratët janë konsideruar të paligjshme. Sot rinisin seancat dëgjimore në 11:00. Veç shefave të komisariateve dhe zëvendësdrejtorëve të Përgjithshëm pritet të dëgjohet dhe ministri Sajmir Tahiri.

Seanca dëgjimore me Didin dhe Burgajn

“Nëse me paratë e policisë nuk bëhen ato punë që i duhen policisë, por për shembull, 3 milionë dollarë përdoren për të bërë publicitet, mua më duket se ky është problem i menaxhimit të burimeve financiare që shteti i jep policisë. Dhe në qoftë se 2 milionë euro të tjera jepen për shpërblime për 21 Janarin dhe nuk përdoren për të blerë makina për 3 mijë punonjës policie, apo operacione atëherë mendoj se ka probleme menaxhimi”, - deklaroi dje drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në përgjigje të shqetësimeve të demokratit Oerd Bylykbashi sa u përket largimeve nga radhët e policisë, për mungesë pajisjesh, sipas tij. Didi u ka kthyer më tej përgjigje dhe pyetjeve të deputetëve sa u përket shkeljeve në emërime apo largimin kolektiv të 90 personave brenda 1 dite. “600 efektivë janë rimarrë në kundërshtim me ligjin dhe 57 veta janë graduar kundër ligjit që nga viti 2005 e në vijim. Agron Kuliçaj dhe shumë oficerë të tjerë në Policinë e Shtetit nuk e meritonin gradën që u ishte dhënë. Gradimi i Muhamet Rrumbullakut u bë para kohe dhe ai nuk e meritonte të merrte këtë gradë”- tha Didi. Sipas tij, përfundimet vinë nga raporti i inspektimit të Policisë së Shtetit. Gjatë fjalës së tij, deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi i kërkoi sqarime Didit nëse ai vetë ka qenë komisioner i Partisë Socialiste. “Janë bërë inspektime për problemet me burimet njerëzore. Ka pasur raste në disa dosje kur anëtarësimin në PD e kanë quajtur vjetërsi pune,”- bëri me dije Didi. Për emërimin e drejtorit të Përgjithshëm, nënkryetari i komisionit Taulant Balla u shpreh se, çështja është e mbyllur për shkak se Prokuroria e Tiranës ka mbyllur një hetim pas kallëzimit penal të subjektit politik PD. “Ne si komision të mos i mbivendosemi organeve të drejtësisë, që në rastin konkret është prokuroria. Dhe, mesa jam i informuar, nuk është se subjekti politik i PD-së e ka ankimuar mbylljen e hetimit në Gjykatën e Lartë. Kjo do të thotë se që nga ky moment merr fund çdo hetim mbi emërimin e zotit Didi në krye të Policisë së Shtetit”, -deklaroi Balla. Për mbi 2 orë kreu i uniformave blu ka thënë sqarime dhe për nisjen e punës në polici për herë të parë, shkollimin e tij apo respektimin e kritereve ligjore. Sipas dëshmive të tij, ai ka mbi 16 vjet marrëdhënie pune me Policinë e Shtetit e Ministrinë e Brendshme. “Kam mbaruar shkollën e lartë ushtarake dhe kam mbajtur gradën kryekomisar për 6 vite. Kam bërë kurs 4 mujor për policinë dhe shkollë të lartë juridike”- bëri me dije Didi. Ndërkohë, Flamur Noka ka pyetur Didin sa i takon çështjes se kush e ka firmosur ripranimin e tij në polici. “Jam ripranuar dhe emëruar me urdhër të Këshillit të Ministrave M më 9 tetor”- është përgjigjur Didi. Por kreu i Komisionit, Ristani ka shtuar se vërtetimi i personalitetit u mor në nëntor 2013. “Vërtetimi i personalitetit nuk është kërkesë ligjore”, - reagoi kreu i uniformave blu. Më herët në komisionin hetimor ka dëshmuar ish-kreu i uniformave blu, Hysni Burgaj. Për rreth tre orë, Burgaj u është përgjigjur deputetëve në lidhje me ndryshimet e bëra në polici, në kohën që ajo drejtohej prej tij. I pyetur për 15 shkarkimet brenda një nate, ku përfshihen krerët e 12 qarqeve, ish-numri një i policisë deklaroi se ato janë bërë prej tij dhe të pandikuara nga askush. “Vendimarrja është e imja dhe për këtë mbaj unë përgjegjësi,”- tha Burgaj. Ndërsa pohoi gjithashtu se më pas ka dhënë dorëheqjen, veprim që e ka bërë me vullnet të plotë. “Nuk kam pasur asnjë mbështetje politike në karrierën time. Jam larguar me dorëheqje dhe këtë e kam bërë për arsye personale dhe nuk më ka kërkuar njeri që të largohesha”, - tha ai. Gjithashtu, ish-kreu i policisë iu përgjigj edhe pyetjeve në lidhje me 5 ripranimet në polici, të cilat sipas tij janë bërë pasi këta persona kanë fituar të drejtën me vendim gjykate. Ndërsa për ripranimin e drejtorit aktual Artan Didi deklaroi se nuk është firmosur prej tij, pasi nuk e ka ai këtë kompetencë. I pyetur nga deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla për rastin e ish-nëndrejtorit të Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj, nëse ishte pushuar apo kishte dhënë dorëheqje, Burgaj bëri me dije se ai kishte dhënë dorëheqjen ndërsa marrëdhëniet me të kanë qenë marrëdhënie pune. Ndërsa për sa i përket kallëzimeve të bëra në adresë të tij ish-numri një i policisë deklaroi se është i gatshëm të dalë para ligjit.

Karaj: Emërimet dhe ripranimet sipas ligjit

Komisioni Hetimor ka zhvilluar dje një seancë pyetjesh dhe me Xhevahir Karajn, drejtor i personelit në Policinë e Shtetit. I pyetur nga Arben Ristani, kreu i Komisionit Hetimor, se çfarë kriteresh kanë përdorur për ripranimet në punë, Karaj u përgjigj se është zbatuar ligji sa i takon rasteve kur është pranuar kthimi i efektivit në punë apo largimi i tyre nga policia. Karaj iu përgjigj pyetjeve të ligjvënësve demokratë dhe sa i përket përgatitjes së tij apo të qenurit kandidat në zgjedhje. “Kam qenë kandidat për deputet për PS-në në vitin 2001, por nuk fitova dhe më pas jam emëruar drejtor Policie në Shkodër”, - bëri me dije gjatë seancës së pyetjeve Xhevahir Karaj. Nga ana tjetër, deputeti i Partisë Demokratike Flamur Noka deklaroi se rezulton që për të njëjtën punë, janë paguar dy persona. Karaj sqaroi se nuk ka pasur asnjë rast të tillë. “Arjan Hoxha ish- shef i Antikrimit Ekonomik është hequr nga detyra dhe është paguar dhe dy muaj të tjerë për këtë funksion. Ndërsa në këtë pozicion është emëruar një person tjetër që ka marrë pagën”, - tha Noka. Por Karaj sqaroi se: “Arjan Hoxha është nxjerrë në dispozicion dhe është paguar me rrogë si punonjës në dispozicion. Pra ai nuk është paguar si shef i Antikrimit Ekonomik”.

Shkarkimet, Didi: Anëtarësia në PD është konsideruar vjetërsi pune

Taulant Balla: Kur jeni zgjedhur ju në detyrë, emërimet ishin bërë?

Artan Didi: Po.

Flamur Noka: Kush e ka firmosur ripranimin tuaj?

Artan Didi: Z.Rama.

Eduart Halimi: Ju keni qenë komisioner i PS-së?

Artan Didi: Unë si drejtues i Përgjithshëm i Policisë, kam gjetur në disa dosje, një numër drejtuesish që kanë konsideruar vjetërsi pune anëtarësimin në PD. Kjo është jashtë objektit të hetimit.

Eduart Halimi: Keni shkarkuar rreth 400 shefa policie. Thuhet se paskan lidhje me krimin. Meqenëse kanë lidhje me krimin, ju keni arrestuar ndonjë prej tyre?

Artan Didi: Nuk kam një informacion të tillë.

Flamur Noka: Jeni i pajisur me certifikatën e sigurisë?

Artan Didi: Po jam. Dhe të NATO-s dhe të DSIK-ja.

Flamur Noka: A ndjeni përgjegjësi për situatën e rëndë të tritolit dhe e konsideroni dobësi të policisë që zbulueshmëria e vrasjeve është në minimumin jetik?

Taulant Balla:Na shpjego kush është minimumi jetik.

Artan Didi: Patjetër që policia është përgjegjëse për nivelin e sigurisë. Matjet veç statistikave vijnë dhe nga perceptimi i publikut. Ne na rezulton nga perceptimi në publik që policia është duke u përmirësuar. Për zbulueshmërinë nuk mund t’u jap shifra.

Flamur Noka: Ndjeni se ka përgjegjësi policia shqiptare kur një prokuror deklaroi se Otranto është shndërruar në kanalin e trafikut të drogës?

Artan Didi: Patjetër por ai nuk përcaktoi kohë. Unë përgjigjem për punën tonë.

Flamur Noka: Në dijeninë tuaj ka njerëz të ripranuar nga ata që janë kanë qenë problematikë me ligjin?

Artan Didi: Në dijeninë time nuk ka.

Oerd Bylykbashi: Ju shqetëson fakti që gjykata ka kthyer disa nga vendimet e marra nga ju?

Artan Didi Po ka për tu riparë.

Oerd Bylykbashi: Nëse policët nuk kanë radio largohen nga puna apo pajisjen me radio?

Artan Didi: Nëse me paratë e policisë nuk blihen ato që i duhen policisë por për shembull me 3 milionë dollarë përdoren për të bërë publicitet mua më duket se ky është problem i menaxhimit të burimeve financiare që shteti i jep policisë. Dhe në qoftë se prapë 2 milionë euro të tjera jepen shpërblim për 21 janar dhe nuk përdoren për të blerë makina për 3 mijë punonjës atëherë mendoj se ka probleme menaxhimi.

Burgaj: Mbaj përgjegjësi për emërimet

Arben Ristani: A ka pasur propozime politike në emërimin e drejtuesve të policisë, apo kanë qenë rastësore?

Hysni Burgaj: Për emërimet jam konsultuar me ministrin e Brendshëm, por vendimmarrja është e imja dhe për këtë mbaj unë përgjegjësi. A ka pasur ndikim tek rendi? Këtë s’mund ta them pasi nuk e kam ndjekur hap pas hapi, pasi kam kaluar në detyrë tjetër.

Arben Ristani: Ju keni dhënë dorëheqjen, apo jeni ndikuar politikisht?

Hysni Burgaj: Nuk kam pasur asnjë mbështetje politike në karrierën time. Jam larguar me dorëheqje dhe këtë e kam bërë për arsye personale dhe nuk më ka kërkuar njeri që të largohesha.

Eduart Halimi: Në eksperiencën tuaj, ka ndodhur që brenda një nate të shkarkohen të gjithë drejtuesit e policisë? Ka ndikuar në forcimin apo dobësimin e rendit?

Hysni Burgaj: Edhe ka pasur.

Arben Ristani: Jeni ju që e keni ndërprerë mandatin e zotit Rrumbullaku? Keni propozuar si zëvendësdrejtorë të Pëgjithshëm Sokol Bizhgën dhe Altin Qaton. Sokol Bizhga kishte mase disiplinore nga ju. A kishin tre vite me gradën drejtues i parë?

Hysni Burgaj: Qato ka qene kryekomisar dhe drejtues qarku. Sokol Bizhga kryekomisar. Vendimmarrja ka qenë tërësisht e imja dhe për këtë mbaj unë përgjegjësi. Ndikimet kanë qenë dhe pozitive dhe negative, por vendimin e lëvizjeve e kam marrë unë vetë pa asnjë lloj ndërhyrjeje. Ministria e Brendshme bëri përzgjedhjet e zv/drejtorët e Policisë së Shtetit, pasi është një kompetencë që i takon. Kjo nismë u gjykua dhe për lëvizjet në Policinë e Shtetit. Ndaj kam rënë pjesërisht dakord për zëvendësimin e punonjësve të Drejtorisë së Studimeve Strategjike pranë Policisë së Shtetit dhe në Akademinë e Rendit Publik.

Flamur Noka: A i plotëson kriteret Sokol Bizhga, zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit?

Pjetrin Ndreu: A ka pasur gradën kryekomisar, ekuivalent me drejtues i parë?

Hysni Burgaj: Në atë periudhë kam qenë në funksion tjetër. Po ka pasur gradën kryekomisar, që është ekuivalent me drejtues i parë.

Oert Bylykbashi: Emërimet janë në përputhje me ligjin?

Hysni Burgaj: Unë nuk kam dhënë asnjë gradë jashtë ligjit. Kjo është krijuar edhe për shkak të vendeve vakante.

Arben Ristani: Cilat janë arsyet që ju çuan në ndryshimin e strukturës?

Hysni Burgaj: Emërimet janë bërë në bashkëpunim me ministrin e Brendshëm. Kam paraqitur kërkesat dhe propozimet e mia.

Pirro Lutaj: Ju jeni pjesë e ndryshimeve strukturore. Vazhdoni të jeni një drejtues i strukturave të policisë. Ju keni ndjekur një sulm ndaj drejtuesve të policisë nga politika. Keni parë ndonjë veprim të kundraligjshëm të ish- drejtuesve të policisë?

Hysni Burgaj: Ne kemi gjykuar për një performancë më të mirë për të luftuar krimin.

Ermonela Felaj: Cili ka qenë vlerësimi juaj për emërimet në 12 qarqet?

Hysni Burgaj: I kam vlerësuar si efikas dhe specialistë jashtë bindjeve politike.

Genti Strazimiri: Didi është ripranuar kur keni qenë ju?

Hysni Burgaj: Jo nuk e kam firmosur unë. Është e drejtë e ministrit të Brendshëm.

Taulant Balla: A keni identifikuar ju akuza për largimet e kupolës drejtuese të policisë, keni konstatuar probleme në ish kupolën e policisë?

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat