“AMA”, 6 orë debat Pollo merr direktivat nga partia me SMS

Shqipëria

“AMA”, 6 orë debat Pollo merr direktivat nga partia me SMS

Më: 8 prill 2014 Në ora: 07:48

Komisioni i Medias miratoi dje me konsensus, futjen në procedurat parlamentare, zëvendësimet e vendeve vakante në Autoritetin e Mediave Audiovizuale. Në një mbledhje maratonë e cila zgjati më shumë se sa një seancë plenare, kryetari i Komisionit Genc Pollo shumë herë abuzoi me detyrën e tij duke mos hedhur në votim propozimet e deputetëve të mazhorancës. Madje mbledhja arriti në atë pikë sa filloi edhe lufta e durueshmërisë. Sa herë që një deputet i mazhorancës bënte një propozim për kalendarin e punës së komisionit, Pollo bënte interpretimin e tij duke mos e hedhur në votim, por duke e cilësuar atë si jo të drejtë.

Kjo solli edhe acarimin e deputetëve të mazhorancës, të cilët qëndruan për 6 orë me radhë në një mbledhje që do të hyjë në historinë e parlamentarizmit shqiptar. Mazhoranca nga ana e saj kërkonte që në rendin e ditës të futej memo e Kuvendit, ku theksonte se në AMA ka një vakancë prej katër anëtarësh duke përfshirë edhe kryetaren Endira Bushatit. Por kjo gjë nuk i shkonte përshtat deputetëve të opozitës, të cilët mbasi morën direktivat me celular nga Partia, filluan lojën e nervave se kush mund të duronte më shumë.

Kjo gjë bëri që nënkryetari i Komisionit të Medias, Alfred Peza të propozonte shkarkimin e Genc Pollos, diçka që nuk i shkoi fort përshtat kryetarit të Komisionit. Por shkeljet e rregullores ishin aq të shpeshta, sa në 6 orë seancë, deputeti Luçiano Boçi mori fjalën mbi 15 herë duke hedhur poshtë çdo propozim të mazhorancës, por pa lejuar që ajo të kalonte në votim. Në fund të mbledhjes, pas shumë debatesh boshe, u vendos që në rendin e ditës së sotme të përfshihen në diskutim edhe zëvendësimet në AMA.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat