Dosjet e ALUIZNI-t, ja 16 deputetët që presin legalizimin e pronave

Shqipëria

Dosjet e ALUIZNI-t, ja 16 deputetët që presin legalizimin e pronave

Më: 8 prill 2014 Në ora: 07:34

Plot 16 deputetë kanë aplikuar pranë ALUIZNI-t për legalizimin e pronave të tyre. Ashtu si qytetarët e thjeshtë, edhe këta deputetë kanë depozituar dosjet e tyre dhe presin dokumentin që do t’i bëjë ata pronarë të tokave apo ndërtesave që janë bërë mbi këto toka. Nga një investim i bërë dje nga “Gazeta Shqiptare” në portalin online të ALUIZNI-t, ku kërkohen emrat e atyre që kanë depozituar kërkesat për legalizim, rezulton se deputeti i Partisë Socialiste, Tom Doshi pret legalizimin e një prone që disponon në Shkodër.

Deputeti tjetër socialist, Paulin Sterkaj është në pritje të përgjigjes për një pronë të tij në Tiranë. Ndërsa kolegu i tyre Dashamir Peza pret legalizim për pronën e tij, pikërisht në Pezë të Tiranës. Në pritje gjithashtu janë edhe deputetët: Xhemal Qefalia, për një pronë pikërisht në komunën e Dajtit, Dashamir Kamberi i PS, për një pronë në Tiranë, në njësinë nr.7. Deputeti, aleat i socialistëve, Mark Frroku ka depozituar kërkesën e tij për legalizim për pronën në Shënkoll të Lezhës. LSI Nga LSI në radhën e pritjes për legalizime janë deputeti i Durrësit, Bujar Derveni për një pronë të tij në Krujë, deputeti tjetër Robert Bitri për një pronë që e ka në Tiranë, në njësinë nr.8. Tashmë i rreshtuar si deputet i LSI-së është edhe Gjovalin Kadeli, i cili ka dosjen e tij në pritje për legalizim për pronën e tij në Lezhë.

E DJATHTA
Ndërsa nga deputetët e PD-së janë në këtë listë deputetët Halim Kosova, për një pronë të tij në Tiranë, pikërisht në njësinë nr.5, bëhet fjalë për ndërtesa të para viteve 1993. Ish-ministri i Brendshëm, deputeti i PD-së, Flamur Noka është gjithashtu në këtë listë pritjeje për legalizim të pronës në Kamëz të Tiranës. Edmond Spaho është deputeti tjetër i PD-së, që ka depozituar dosjen e tij në strukturat e ALUIZNI-t, për pronën e tij në Tiranë, në njësinë nr.9. Deputeti i PD-së, në qarkun e Kukësit, Besnik Dusha pret legalizimin e pronës së tij në Tiranë, në njësinë nr.2. Një tjetër deputet, ai i LZHK-së, Dashamir Shehi është gjithashtu në pritje të marrjes së dokumentit të pronësisë për pronat e tij, në Tiranë. Deputeti i PDIU-së, Dashamir Tahiri, rezulton të ketë depozituar 4 kërkesa për legalizime pronash në Vlorë. Ndërkohë edhe deputeti republikan, Ylli Shehu ka depozituar kërkesën për pronën në qytetin e Durrësit. Duket se nga ligji i ri për legalizimet që miratoi pak ditë më parë qeveria “Rama” po përfitojnë edhe deputetët, por ende nuk dihet nëse ata do ta kenë këtë legalizim falas. Këto ditë, kryeministri Rama ka nisur një tur nëpër zonat informale, ku po shpërndan edhe certifikatat e para të legalizimeve.

LISTA E DEPUTETËVE QË PRESIN LEGALIZIMET
1.Bujar Derveni (LSI)
2.Robert Bitri (LSI)
3.Gjovalin Kadeli (LSI)
4.Dashamir Kamberi (PS)
5.Tom Doshi (PS)
6.Dashamir Tahiri (PDIU)
7.Besnik Dusha (PD)
8.Mark Frroku (PKDSH)
9.Flamur Noka (PD)
10.Halim Kosova (PD)
11.Dashamir Peza (PS)
12.Xhemal Qefalia (PS)
13.Dashamir Shehi (LZHK)
14.Edmond Spaho (PD)
15.Paulin Sterkaj (PS)
16.Ylli Shehu (PR)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat