Ndarja e parave të "Sudes", në takim vetëm 40 kreditorë - Bota Sot
Ndarja e parave të "Sudes", në takim vetëm 40 kreditorë

Shqipëria

E shtunë, 27 gusht 2016

Ndarja e parave të "Sudes", në takim vetëm 40 kreditorë

Më: 7 prill 2014 Në ora: 07:49

Ndërsa gjykata e Tiranës ka nisur zyrtarisht procedurat për falimentimin e firmës piramidale "Sude", vetëm 40 kreditorë kanë marrë pjesë në takimin e datës 18 mars, ku u raportua për asetet që kanë mbetur dhe mënyrën si do ndahen. Sipas Mimoza Çibukut, e ngarkuar për të administruar procedurat e falimentit të kësaj firme, "Sude" nuk zotëron asete të paluajtshme, por vetëm asete financiare. Administratorja konfirmoi për "Gazeta Shqiptare" se në takimin e muajit të shkuar u paraqitën vetëm rreth 40 kreditorë, ndërkohë që sipas saj, në zotërim të firmës mbeten ende një sasi e konsiderueshme asetesh financiare. "Nuk mund të jap informacion për totalin e aseteve, por ekziston një shumë relativisht e konsiderueshme parash, ndërkohë që nuk zotëron pasuri të paluajtshme. Në takimin e 18 marsit morën pjesë rreth 40 kreditorë nga 19 mijë që janë në total", tha Çibuku. Më tej administratorja shpjegoi se ky ishte takimi i parë me kreditorët, ku u bë raportimi i procedurave dhe aseteve në zotërim të firmës, i cili do të pasohet nga një i dytë, ku do të bëhen verifikimet përfundimtare.

FALIMENTIMI ZYRTAR

Më 18 dhjetor 2013, Gjykata e Tiranës ka çelur zyrtarisht procedurat e falimentimit për subjektin huamarrës "Sude", duke publikuar edhe njoftimin përkatës në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. "Ju bëjmë me dije se mbi bazën e kërkesës së administratorit të shoqërive huamarrëse në administrim Z. Hysni Tollozhina për çeljen e procedurave të falimentimit të subjektit huamarrës 'Sude', Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin 12656 dt 18.12.2013, vendosi çeljen e procedurave të falimentimit për subjektin huamarrës 'Sude'. Vendosim këtë shpallje publike për efekt të njoftimit të kreditorëve të subjektit huamarrës 'Sude', të cilët rezultojnë të shumtë në numër, për datën e zhvillimit të mbledhjes së kreditorëve", shkruhet në njoftimin e publikuar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit.

TAKIMI

Më tej njoftimi përcakton dhe datën e takimit në të cilin kreditorët mund të paraqesin pretendimet e tyre ndaj administratores së falimentit. "Mbledhja për raportim e kreditorëve të subjektit huamarrës në administrim 'Sude' do të zhvillohet më 13.03.2014 ora 10 pranë hotel ..., Rruga 'Muhamet Gjollesha' Tiranë. Ftohen të gjithë kreditorët të paraqesin dhe të depozitojnë pretendimet e tyre", përfundon njoftimi në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Kush ka të drejtë dhe çfarë duhet të bëj Qeveria me demarkacionin me Malin e Zi?

    Kuvendi duhet ta votojë marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi

    Qeveria duhet ta rishikoj marrëveshjen

    Opozita ka të drejtë që po kundërshton demarkacionin

    Qeveria ka të drejtë për demarkacionin

    Nuk duhet të votohet marrveshja, sepse me demarkacion Kosova humbë tokë

    Shiko rezultatet
test