Ben Blushi, sa pesimist për Shqipërinë në të ardhmen

Shqipëria

Ben Blushi, sa pesimist për Shqipërinë në të ardhmen

Më: 7 prill 2014 Në ora: 00:24

Më shumë pabarazi ekonomike, më shumë radikalizëm politik, më shumë ekstremizëm fetar (të krishterë dhe myslimanë) më shumë nacionalizëm dhe më pak rëndësi e peshë ndërkombëtare. Përgjithësisht një vend i mërzitshëm pesimistësh. “Ngjarjet e mëdha do të jenë me pakicë”, thotë Ben Blushi në librin që mund të lexohet si një “Shqipëria ç’do të bëhet” e ditëve tona, por që përndryshe asaj të shkruar vite më parë prej Sami Frashërit, nuk ka brenda asnjë fije romantizëm dhe ndoshta për këtë është titulluar “Hëna e Shqipërisë”. Hëna në librin e Blushit simbolizon pesimizmin dhe libri shkon në këtë frymë, edhe pse Blushi bën në fund një kthesë dhe ndoshta kritikë edhe për veten. “Pesimizmi është i ngjashëm me diabetin. Ai është një sëmundje që e mpin nevojën për ndryshim. Është si diabeti për trupin e njeriut. Prek të gjitha shqisat, duke zvogëluar shpejtësinë e reflekseve dhe kalbur ngadalë”, shkruan ai.

Por eseja e Blushit, e botuar nga UET-PRESS, shkruan gazeta Mapo, është më realiste sesa metaforat dhe figurat mbi pesimizmin. Ai bën një përshkrim të detajuar të asaj që është sot Shqipëria.

Një vend në krizë, që sipas tij do të vijojë gjatë me një politikë të paaftë për të bërë reforma dhe të lidhur fort me biznesin, saqë siç shkruan ai, është e pamundur tashmë të dallosh se cili është politikani dhe cili është biznesmeni. Edhe pse nuk ka ndonjë referencë apo përmendje, libri qartazi reflekton edhe mospajtimin me qeverinë e Edi Ramës. Ajo shihet e paaftë të ndalojë pabarazinë që thellohet e që sipas autorit do të bëjë që shqiptarët e pasur dhe fëmijët e tyre të kenë më shumë në të ardhmen e të varfërit të jenë më të varfër. Një diferencë që do të theksohet në arsimim dhe do të prodhojë shtresa të margjinalizuara që do të shtyhen drejt ekstremeve fetare e nacionaliste. Nuk bëhet fjalë për fraza të nxjerra prej meditimit. Autori ka referenca për ndryshimet sociale dhe statistika nga institucione ndërkombëtare që tregojnë se si përkeqësohen treguesit socialë të vendit.

Libri nuk kursen askënd dhe dikush mund ta shohë edhe si një pasqyrë ku mund të shohim veten në të ardhmen (dhe të sotmen), sigurisht nëse gjërat nuk ndryshojnë prej atyre rastësive historike të cilave në të ardhmen u referohemi me sikur. “Sikur Enver Hoxha të ishte dashuruar në Francë, komunizmi shqiptar nuk do kishte qenë aq i përgjakshëm”, thuhet ndër rreshtat e librit, duke perifrazuar disa paragrafë që Blushi ia kushton pikërisht paparashikueshmërisë së të ardhmes.

Libri në fillim mund të duket një përshkrim futurist. Një nisje prej fantashkence edhe pse i referohet disa prej parashikimeve më të besueshme të shkencës së klimës që e sheh të ardhmen e këtij “Kopshti Shkëmbor të Evropës Juglindore”, siç e quante Faik Konica, më të varfër në pasuri me të cilat deri tani jemi mburrur. Do të mungojë uji dhe klima sigurisht nuk do të jetë kjo e sotmja. Bota (ajo pjesë që investon dhe i beson këto ndryshime) është duke ndryshuar për t’iu përshtatur këtyre ndryshimeve, për të cilat në Shqipëri pakkush ka kohë të flasë i zhytur në të përditshmen e ngjarjeve të vogla.

Blushi bën pikërisht këtë. Ai flet për gjërat të cilat shihen ose si shumë të largëta, ose probleme që nuk na përkasin në një vend me njerëz të fokusuar në ngritjen sa më të shpejtë të pasurive apo të gjetjes së një pune me mik. Ai provokon duke gërvishtur besimet fetare, diçka që sigurisht do të krijojë shumë kundërshtime. Nuk kursen asnjë prej atyre që ndodhen në Shqipëri dhe parashikon radikalizim të tyre. Një farë “lufte të vogël qytetërimesh”, pasojë e arsimit të pakët dhe pabarazisë që rritet. Dhe mjaft mund të thonë se pjesërisht parashikimet e Blushit u bënë të vërteta ndërsa libri ndodhej në botim. Shqiptarë që luftojnë për shtet islamik në Siri nën flamuj organizatash terroriste apo të tjerë shqiptarë që “mbysin” me fjalë urrejtje njëri tjetrin në rrjete sociale apo gazeta për shkak të besimit fetarë. Mes tyre ai gjen edhe të kundërtën, pjesën tolerante që sipas tij duhet të përkrahet.

Blushi flet për të pasur që do të shtyjnë më shumë izolimin e Shqipërisë dhe pabarazinë e saj. Ngase kjo, parashikon ai, u krijon atyre mundësinë të ruajnë “feudet” që u japin pushtet dhe u garantojnë pasurinë. Ai beson se forca e tyre dhe shkrirja e kufijve mes politikës dhe biznesit do të vijë duke u zmadhuar, pasi në Shqipëri ka politikanë që duan të bëhen biznesmenë dhe biznesmenë që nëse nuk janë tashmë politikanë, duan t’i futen politikës. Të thëna prej Blushit një personazh i politikës e gjithë kjo bëhet më e vërtetë. Por përtej kësaj autori nuk mëton të japë zgjidhje, edhe pse bën disa parashikime, për daljen prej krizës, për daljen prej pesimizmit. Ai shtron pyetjet që nuk janë bërë apo që bëhen nënzë dhe që ndoshta në këtë mënyre do të shtrohen edhe për zgjidhje. “Çfarë do të jetë Shqipëria në njëqind vitet e ardhshme? Si do jenë njerëzit e saj? Sa shumë, ose sa pak do të jenë ata? Çfarë drejtimi do t’i japim ne shoqërisë, ekonomisë, partive dhe shkollave në vitet e ardhshme? Do jemi më të ditur, apo më të paditur? Sa ndikim do të kenë tendencat evropiane në të ardhmen e vendit? Do jemi të bashkuar me Evropën? Po me Kosovën? Nëse po, kur dhe nëpër çfarë procesi do të kalojmë? A do të kryqëzohet raca jonë? A do të ketë shqiptarë të zinj? Po shqiptarë të verdhë? Kujt profeti do t’i binden ata?”. Këto janë vetëm një pjesë e pyetjeve që ngrihen në libër. Një pjesë marrin përgjigje po aty, të tjera shtrohen për t’u diskutuar, ndërsa autori duket se i fton shqiptarët të reflektojnë për të ardhmen.

Pjesë nga “Hëna e Shqipërisë”:

Shqipëria e sotme është e mbushur me nënprefektë. Burra të pasur dhe të fuqishëm që drejtojnë provincat dhe qytetet njëlloj si nënprefekti i 80 viteve më parë. Këta njerëz do të shtohen. Ata kanë fuqinë për të ndikuar mbi vendimet politike; ata presin dhe përcjellin udhëheqësit e lartë, u bëjnë konak, i darovisin dhe marrin prej tyre koncesione ose marrëveshje që çojnë në devijim fondesh publike, natyrisht, në këmbim të devijimit të votave sa herë ka zgjedhje. Kjo është dhe do të jetë forca e tyre. Kam parë në këto vite me dhjetëra nënprefektë dhe është e kotë të them se ata po pakësohen. Ata po shtohen. Dhe e keqja e tyre është se janë epidemikë. Janë ngjitës. Ata janë një model karriere që lulëzon në lagje, fshatra dhe qytete. Shumë shpesh nënprefektët kthehen në baronët e krimit. Ata mbajnë lidhje me krimin lokal, u sigurojnë çadër dhe ushqehen prej tyre. Shpejt, tipari kryesor me të cilin do mund të identifikohen, do jetë izolimi. Ata nuk do duan të afrohemi me Evropën, sepse e ndjejnë se Evropa nuk është një vend ku mund të jetojnë duke konsumuar të gjitha zakonet e ditës, nga takimi me berberin në mëngjes e deri tek shëtitja me shoferin në mbrëmje. T’i bindësh ata për të kundërtën është njëlloj si të bindësh një hipopotam të kërcejë në një pistë akulli. Këta janë izolatrikët e Shqipërisë.

Ata janë pjesa kryesore e elitës financiare e cila është në pakt të fortë me elitën politike. Ndërsa të dytët do dështojnë të japin rezultate të ndjeshme reformash, të parët do ta financojnë këtë dështim, duke bindur komunitetet dhe provincat e tyre se dështimi është progres, por edhe nëse nuk është krejtësisht i tillë, është vetëm një cikël që do të kapërcehet. Dështimin e brendshëm do ta shesin si dështim të jashtëm. Si një dështim evropian. Dhe në dobësinë e riciklueshme të Evropës do të gjejnë shumicën e arsyeve për t’i qëndruar asaj larg. Kështu ka ndodhur dhe po ndodh në gjithë këta vite, sepse izolatrikët, përveç se nënprefektë, janë edhe investitorë. Investimet evropiane dhe, sidomos, vendosja e ligjit dhe e drejtësisë, do të kërcënonte seriozisht shumë investitorë shqiptarë, të cilët e shohin të ardhmen e monopoleve dhe të fitimeve të tyre të lidhura kryesisht, me klasën politike dhe fatin e saj. Hapja e Shqipërisë ndaj Evropës do krijonte rregulla të reja tregu, konkurrence dhe drejtësie. Edhe sot, ato pak investime evropiane në telekomunikacion ose hidrokarbure i kanë bërë të dështojnë të gjithë shqiptarët që i kanë hyrë kësaj rruge. Si financues të të gjithë klasës politike deri sot, izolatrikët shqiptarë do t’i imponojnë asaj një rrugë tjetër. Kjo do të jetë epoka e tretë e izolimit të Shqipërisë nga Evropa, së cilës po i afrohemi me shpejtësi, si për shkaqe kulturore, ashtu edhe financiare.

Izolimi i parë i Shqipërisë ndodhi gjatë pushtimit otoman. Ky ishte një izolim fetar me shkaqe politike. Izolimi i dytë erdhi gjatë regjimit komunist. Ky ishte një izolim politik me themel ideologjik. I treti sapo ka nisur. Ky është një izolim kulturor me bazë financiare. Por, nëse në dy rastet e para ka pasur fuqi politike, ose ideologji që kanë imponuar izolimin, në rastin e tretë do jetë pamundësia për të bërë reforma ajo që do prodhojë këto pasoja. Për arsye kulturore dhe financiare, Shqipëria e ka dhe do ta ketë të vështirë t’i afrohet Evropës. Evropa po na jep arsye dështimi, të cilat Shqipëria do t’i shfrytëzojë me sukses.

Kjo fazë izolimi ndoshta do të vazhdojë disa vjet, derisa në Evropë të krijohen kushte të tjera, derisa kontinenti të ketë gjetur një ekuilibër më të natyrshëm politik mes fuqive që e përbëjnë atë dhe, sigurisht, derisa forcat jashtë saj, si ShBA, Rusia dhe Kina të kenë prodhuar ide dhe teknologji të cilat mund ta çojnë në një fazë të re rendin botëror, duke i hapur njerëzimit rrugën e një progresi më të qëndrueshëm dhe më të merituar. Shqipëria do të mbetet një territor që pjell izolatrikë dhe nënprefektë, të cilët po e ndajnë Shqipërinë në feude të vogla, por të rehatshme. This is freedom, do më thoshte një këngëtar i njohur italian para disa kohësh duke pirë cigare dhe puro në një restorant të Tiranës dhe duke paguar cash kudo dhe këdo. Kjo liri shijon dyfish kur mendon se Shqipëria ka një ligj që e ndalon duhanin në ambientet publike. Në Itali kjo është e pamundur. Nuk pi dot cigare askund, bankat nuk japin cash dhe taksat të marrin frymën. Ju nuk e njihni Evropën, më tha. As ia vlen ta provoni. Të njëjtën fjali më tha një nënprefekt pak javë më parë. Natyrisht në shqip. E pse duhet të hyjmë në Evropë, për ta humbur këtë liri! Duke kultivuar dhe përhapur lirinë e mosbindjes ndaj ligjit, izolatrikët do arrijnë me sukses t’i shtyjnë të gjitha reformat e domosdoshme në Shqipëri. Në fakt, reformat do të bëhen, por ato do të vonohen ose do të deformohen deri në pikën që kur të bëhen, të jenë të paefektshme. Vonesa e reformave do të rrisë demotivimin dhe do të ulë optimizmin për mundësinë e vendit për të ndryshuar. Kjo ndjesi do të shtojë shanset e izolimit. Nga izolimi, regjimet lokale fillimisht konsolidohen duke krijuar pak stabilitet, sidomos në rend, por pastaj kthehen në rrezik sepse mbysin çdo lloj progresi, konkurrence politike dhe frymëmarrje në sipërmarrje. Në këto raste çdo gjë duket e paravendosur. Dhe paragjykimi se asgjë nuk ndryshon, pavarësisht se çfarë bën, edhe kur nuk është real por vetëm iluzor, i vret idetë dhe ata që i kanë ato. E ardhmja kalbet nëse e tashmja perceptohet gabim, por në çdo rast ky nuk është faji i së ardhmes.

Shembulli më therës i regjimeve që përfitojnë nga izolimi është ai i Enver Hoxhës në pesëdhjetë vjet. Një regjim më i hapur ndaj Evropës nëse nuk do ishte rrëzuar më shpejt, të paktën, do ishte më i butë dhe më human. Ndërsa shembulli më i freskët i ditëve tona është rasti i regjimit të Erdoganit në Turqi. Është një sistem që prodhon progres ekonomik, por jo demokraci. Nëse Evropa do ta kishte afruar Turqinë më shpejt, harta politike e këtij vendi do të ishte ndryshe sot. Turqia do të ishte më laike dhe tani nuk do të ishim në kushtet kur proevropianët luftojnë për ambientin, ndërsa proislamikët për pushtetin siç edhe po ndodh. Shembulli i Turqisë, në të vërtetë, është për t’u konsideruar sepse pavarësisht nga kushtet, pavarësisht nga madhësia, pavarësisht nga burimet ekonomike të pakrahasueshme, pavarësisht nga pozita kyçe mes perëndimit dhe lindjes, Turqia vazhdon të jetojë izolimin e vet simbolik që ushqen elita provinciale dhe udhëheqës autokratë. Jo në masën e Turqisë, por ndoshta për të njëjtat arsye të cilat lindin nga të njëjtat shkaqe edhe Shqipëria e ka shumë të vështirë të çajë izolimin e vet kulturor që e ndan nga Evropa.

Dhe për fat të keq, Shqipëria është vetëm në fillim të kësaj rruge. Sepse ajo nuk është më një vend optimist dhe, ndoshta, nuk do të jetë për shumë dekada.

Të pasurit do të kundërshtojnë reformat

Shqipëria është një vend evropian, por hapi i saj është shumë kaukazian. Është postsovjetik. Të pasurit duan të merren me politikë dhe politikanët duan të merren me biznes. Kjo është tendenca që ka përcaktuar zhvillimin e vendit në këta njëzet vitet e fundit. Sot njëra palë nuk ndryshon shumë nga tjetra. Dhe shkrirja e të dy grupeve është vetëm çështje kohe. Por të dyja grupet kanë një pengese: Evropën. Evropa nuk e pranon këtë stil. Në Evropë politikanët bëjnë ligje, të pasurit bëjnë parà. Ky parim është një nga të vetmit të cilin Evropa nuk e ka shkelur ende. Dhe prandaj mbetet një vend i jetueshëm dhe plot hapësirë, sepse nën diellin e saj të gjithë ngrohen nga pak. Edhe të pasurit, edhe të varfërit. Politikanët arbitrojnë, me radhë, interesat dhe antagonizmin e secilës palë.

Shqipëria nuk e pëlqen këtë model. Ajo po kthehet çdo ditë e më shumë në një vend që nuk i pranon të varfërit, por vetëm të pasurit. Politikanët pa dyshim, janë me të pasurit dhe, në disa raste, janë vetë ata. Kjo tendencë do ekzagjerohet shumë në të ardhmen. Binjakëzimi mes elitës politike dhe asaj financiare do të përsoset. Ndërvarësia, po ashtu.

Në kushtet kur Evropa do duket më larg, klasa politike do jetë edhe më e varur tek elita financiare, e cila nuk ka arsye të shtyjë përpara reformat dhe të ndryshojë mënyrën e administrimit të vendit. Por edhe kur reformat do të jenë të pashmangshme, elita financiare do t’i dezinjojë ato sipas interesit të vet. Është pothuajse e pamundur sot që paketa të rëndësishme ligjore, ose nivele të caktuara taksash dhe kufizimesh, të mos lobohen dhe të ndikohen nga të pasurit. Kjo mënyrë administrimi që është kthyer në traditë e ka pasuruar, mjaftueshëm, elitën financiare. Por, në njëzet vjet, nga korrupsioni, deformimi i drejtësisë, mungesa e konkurrencës së lirë, shkalla e ulët e arsimimit të punëtorëve dhe dekurajimi i investimeve të huaja, kanë fituar të dyja palët. Edhe elita financiare, edhe ajo politike. Njëra ka fituar konsumatorë dhe, tjetra, votues. Prandaj çdo reformë do vazhdojë të kundërshtohet nga klasa e biznesit me përjashtim të atyre pak reformave që nuk prekin atë, por kryesisht klasën e varfër të punëtorëve dhe shtresën e mesme që punon dhe do punojë për ta, siç edhe ndodhi me ndryshimet e fundit fiskale. Taksat direkte për të varfërit u ulën, por taksat indirekte për ta u rritën, ndërsa për të pasurit u rrit taksa mbi xhiron, por taksat mbi fitimin nuk ndryshuan. Në çdo rast, barra e rritjes së taksave indirekt i shkon atyre që blejnë, pra të varfërve.

Paniku i elitës financiare, momentalisht, vjen vetëm nga pasiguria e ndryshimit të administratës, për shkak të zgjedhjeve të vitit 2013, por jo nga ndryshimi i metodës së administrimit ç’ka ndoshta nuk do ndryshojë edhe për shumë vjet. Ndoshta edhe për dhjetë-njëzet vjet. Pasi të kalojë vala e parë e panikut nga ndryshimi i pushtetit, të pasurit, shumë shpejt do kthehen në izolatrikë aktivë. Ata do financojnë izolimin, sepse afrimi me Evropën i varfëron. Klasa politike do pajtohet dhe do ta shijojë këtë gjendje, duke e shitur refuzimin për pezullim, e bindur se afrimi me Evropën e fut në rrugën e panjohur të ndëshkimit dhe humbjes së pushtetit për shkak të reformave të thella. Ky mendim do të bashkojë shumë shpejt pushtetin dhe opozitën në Shqipëri, sepse të dyja kanë të njëjtin aleat dhe të njëjtin burim financimi: elitën e investitorëve vendas e cila, gradualisht, po kthehet në elitë politike. Pas disa vitesh të dyja nuk do kenë më kufij, siç po bëhet çdo ditë e më e vërtetë në Parlamentin e vendit. Nga një parlament në tjetrin numri i investitorëve dhe të pasurve shtohet. Administrimi politik do të vazhdojë të jetë një vendim i të pasurve, çka do t’i kushtojë Shqipërisë në njëzet deri tridhjetë vitet e ardhshme, sepse fuqia dhe çelësi për të bërë pasuri do trashëgohet nga prindërit tek bijtë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat