Liliana Hoxha: Nexhmija u kurua në Paris për depresion

Shqipëria

Liliana Hoxha: Nexhmija u kurua në Paris për depresion

Më: 1 prill 2014 Në ora: 07:27

Miliez: Diagnoza - Liliana e palumtur! Natyrisht e palumtur për pasojë nga çka thashë te "Liria e brendshme". Të jetoje në shtëpinë e E.Hoxhës, një njeri si unë, s'mund të maste cilësitë e jetës me privilegjet, makinat, banjat moderne ngjyra-ngjyra, mobilimin po ashtu. Ta lëmë ushqimin, që s'do ta përmendja fare për natyrën time, por duhet, për ata që jetojnë edhe me këtë synim "luksi", çka s'duhej nënvleftësuar për kohën që kalonim.
E nëse ishin këto, pse jo, lumja unë, por krahasuar me nivelin (jashtë pranisë së E. Hoxhës) e sidomos në qëllimin e arrogancës për të shtypur, përçmuar, e denigrues ndaj meje, filluar nga vetë Nexhmija, s'mund të më hynin në sy këto privilegje, në të kundërt nuk mund të jetoja dot aty. Sidomos kur kjo shkonte deri te fëmijët e mi, çka ndodhte shpesh, por me mënyrën time të të sjellurit kisha mundur gjithmonë t'i mbroja nga pasiguritë që mund t'iu vinin nga brenda familjes së Nexhmijes. Po përmend këtu vetëm një rast flagrant, të tillë përveçse parregullsi e qëllimshme në sjelljen brenda familjes, ndërkaq kur rregulli i rreptë ishte detyrimi për të ruajtur pamjen e jashtme. Pra, të dukemi familje lartësisht e edukuar, e sidomos "e bashkuar". Kjo ishte e përgjithshmja, në raport me popullin apo në aktivitete publike.
Në raporte me nomenklaturën apo me "tanët", dallimi midis dy djemve e nuseve, apo sidomos përçmimi ndaj meje do ishte evident. Kjo ishte politika e Nexhmijes, madje, madje në vende ku kishte njerëz të thjeshtë, ajo do të bënte "kotollumba" që të dukej që më donte, "kujdesej" shumë për mua se isha "e sëmurë", e pse jo, madje më kishte nusen e preferuar. Të kthehemi te rasti në fjalë.
Flas për një flagrancë në tryezën familjare, në prani të Nexhmijes, por pas vdekjes së E. Hoxhës, se vetëm atëherë mund të ndodhnin gjëra të tilla qëllimisht të ekspozuara. Iliri me Klementin, pas martese iu futën gjahut. I pari me çifte për rosa të egra etj., i dyti për peshk. Ai që vërtet e kishte pasur pasion gjahun që në vegjëli, ishte Toli. Madje, një natë kur isha ende te prindërit, më thërret nga dritarja. Zbres e m'i kap sytë me pëllëmbët e tij duke më thënë: "-mbylli sytë, mbylli sytë", e më çon qorrazi mbrapa një gazi kinez, që nuk i mbyllej bagazhi. Toli mi heq duart nga sytë, e shoh një derr të egër që siç thashë nuk lejonte të mbyllej bagazhi i gazit, që Toli po ma dhuronte mua në mënyrë shumë ceremoniale, ashtu siç ndjejnë gjahtarët e vërtetë.
U tmerrova kur e pashë dhe nuk pranova ta çoj atë gjë të shpifur në shtëpinë time. Toli qejfprishur e mori derrin e egër për shtëpinë e tij, ndërsa ime më thoshte: - Ç'bëre moj Lushe e mamit?! Nuk e ha ti, por e hanim ne moj! Im atë heshtte siç nuk e kisha parë ndonjëherë të gëzohej nga pikëpamje të tilla, përveç asaj honorifike, me krushqinë e E.Hoxhës. Derri i egër ishte aq i madh sa mund të hanim mish katër muaj, por s'kishim as frigorifer, mundohesha unë të justifikohesha. Ime më thoshte: - Lëri ato ti, dija unë si ta rregulloja!
Mirëpo pikërisht ai që e kishte vërtet hobi dhe kishte gjuajtur me E.Hoxhën edhe në Çeki kur ishte në vitin e parë shkollor, sa më futi në shtëpi, la çdo pasion jashtë saj. Ndërsa të tjerët, iu futën të gjitha mundësive të përfitimit bllokmen të nxitur prej grave të tyre. Sa ishte babai gjallë, nëse Iliri do të vendoste të shtronte në tryezë gjah, pra pronën e tij, do të hanin relativisht të tërë. Po ashtu dhe peshk nga Klementi, përveç Enverit e Nexhmijes, me meny të përcaktuar. Iliri kishte marrë dy frigoriferë gjigantë me ngrirje të thellë me dy dyer, që i mbante poshtë në bodrum ku ruante zahiretë. Por natyrisht, duke pasur secili kuzhinën personale në apartamentin e vet, ishte normale që gjithkush të administronte gjahun si të donte, me miq apo vetëm, por detyrimisht lart, çka ishte puna e tyre dhe e askujt tjetër.
Ditën për të cilën fillova të flas, u bë ky përjashtim flagrant në mënyrën më groteske, çka ishte vërtet për të qeshur, por dhe shumë e dhimbshme. Ishin marrë vesh të shtronin për të gjithë gjah e peshk, përjashtuar jo vetëm mua me Sokolin, por sidomos fëmijët tanë, të ulur pranë fëmijëve të tyre. Ne na u soll menyja e zakonshme shtëpiake. Nexhmija rrinte e qetë sikur nuk po ndodhte asgjë. Ua di për nder fëmijëve të mi të vegjël 10 dhe 7 vjeç, që nuk kërkuan gjah apo peshk si fëmijët e tjerë, kur në mënyrë demonstrative ishte bërë gati pjata e maces së shtëpisë (jo me mbeturina, kokë peshku etj.) të cilën e joshnin për turp e faqe të zezë me pjatën plot: "Hajde Guci, hajde!".
Në qoftë se këtë do ta quaja pakënaqësi kualiteti jete, do të ishte gabim se jo vetëm nuk vuanim për gjah apo për peshk, por kishim aq dinjitet sa të mos na bënte përshtypje ai ndryshim menyje në të njëjtën tryezë. Por ishte e padurueshme domosdoshmëria e qëllimit për të na shtypur jo vetëm ne, por edhe fëmijët tanë me nëntekstin që: "Ju jeni më të papërfillshëm se macja". Ky po, është një problem shumë, por shumë i madh, për të qenë e lumtur. Madje, bëja përpjekje për të marrë fëmijët e për të ngrënë në orare të ndryshme. Çka Nexhmija poshtërsisht këtë nuk e lejonte. Ajo dhe ata kërkonin medoemos sherr, çka nga unë nuk e patën kurrë. Ishte sa për ilustrim, teksa kur sapo isha martuar, Enveri më merrte për qafe siç e kishte zakon e shëtisnim.
Ishte një ditë e tillë kur më thotë: - Pse nuk kyç mendjen Lilianë?! Më thonë që ti nuk fle. E pra, pse se kyç mendjen kur bie të flesh? Unë për vete kështu e bëj e më zë gjumi top. - Në atë çast mendova: "Epo ti prandaj je E. Hoxha, kurse unë nuk di ta kyç mendjen".
Më bënte përshtypje që E. Hoxha merrej me gjumin e lodhjen time të herëpashershme, teksa isha njëherësh shumë vitale, gjithë idera e iniciativa për ta bërë çdo ditë më të bukur edhe për atë vetë. Madje, një natë po shihnim një film për Verdin. E shoqja Xhuzepina, ishte ulur gjysmë shtrirë në një poltronë, e mbuluar me një shall të gjerë, të hollë. Ajo po ndiqte me ankth së largu ngjarjen më të rëndësishme të të shoqit, se nuk asistonte dot personalisht në suksesin madhështor të Verdit. Unë shihja filmin e mallëngjyer me sytë e lagur, kur Enveri më thotë në prani të Nexhmijes që shtrëngoi buzët: - Edhe ti Lilianë e ke jetën të vështirë si Xhuzepina, por kjo s'është ndonjë gjë e madhe, se ke të fortë intelektin e botën shpirtërore. Kjo është një gjë e madhe, më shumë e vlefshme se fuqia e një njeriu që nuk lodhet kurrë.
Ndërkaq, çuditërisht, Nexhmija ishte bërë merak për mua pas dy lindjeve. Duhet thënë, që pas çlirimit ajo ka kaluar një depresion jashtëzakonisht të rëndë. Është kuruar në Paris, ndërsa mjeku shoqërues, Prof. Fejzi Hoxha dhe miku i ngushtë i E.Hoxhës, është shprehur për Nexhmijen: " - Grua e përbindësh. Mos ia dëgjofsha më as emrin!". (nga ditari i tij, gazeta "Panorama").
Meraku i saj më çudiste, se unë nuk ndjehesha e sëmurë, kisha rezultate të merituara në punë, rrija vazhdimisht me E.Hoxhën e kënaqeshim me muhabet, fëmijët i mbaja vetë, me Tolin ishim çifti më i lumtur etj., etj. Kurse për Nexhmijen dhe Judën, thjesht pse s'kisha gjumë e shprehja herë pas here lodhje të pamotivuar, konsiderohesha me depresion.
Me çka thashë, mendoj se E.Hoxha nuk besonte pas ngjarjes me Sokolin te Juda (pse ky megjithatë ndodhet pranë E.Hoxhës, është një temë më vete, përsëri intrigë e Nexhmijes për ta paraqitur domosdoshmëri për liderin, si endokrinologu më i mirë shqiptar) e më delegon personalisht te miku i tij, autoriteti akademik Prof. Doc. Miliez që kishte shëruar edhe Tolin. Miliezi ka qenë mik i Shqipërisë. Ka ardhur në Shqipëri, si i ftuar nga E.Hoxha dhe e ka vizituar personalisht atë. Midis tyre u ngjiz një miqësi përtej respektit. Vetë E.Hoxha ishte pothuajse francez nga njohja e thellë e kulturës, artit dhe letërsisë, si dhe autenticitetit të traditave e brendisë filozofike të qytetarisë e artdashjes franceze.
Ndaj, mund të flasim edhe për afeksion të mirëfilltë midis tyre, pavarësisht nga bindjet politike. Sepse kur vdiq E. Hoxha ai me hidhërim të madh e ka vlerësuar shumë çka bërë për Shqipërinë, duke e fokusuar si një nga burrat më të mëdhenj të shtetit në botë për vendin e vet, por që i mohoi lirinë popullit të tij.
Me akademikun e shquar francez u njohëm mirë familjarisht. Paul Miliez ishte një burrë shumë i gjatë, ndoshta dukej më shumë se ishte i hollë dhe trupin e mbante shumë drejt edhe pse ishte në moshë të thyer. Sytë me ngjyrë, tashmë të veshur nga mosha, sërish ruanin inteligjencën. Humanist i shquar, njëherësh mik i ambasadës shqiptare, kur asistonte në ceremonitë e saj vinte me thilenë e kuqe në jakën e xhaketës elegante, si shenjë honorifike e protokollit të lartë francez. U kujdes shumë për Tolin, e ndërkaq bisedonim gjithçka, tek vinte për vizitë aty ku banonim në Paris, pasi im shoq doli nga spitali. Të dy e kuptonim frëngjishten por ende nuk e flisnim, ndaj z.Taqi Lamani, ambasadori, njeri gjithmonë korrekt ndaj nesh, përkthente. Kjo nuk e pengonte aspak Miliezin të bënte humor për Shqipërinë, për ne, për vete e për Francën.
Duke krahasuar mentalitetet popullore, ai theksoi se mentaliteti i përgjithshëm shqiptar, ndonëse nën otomaninë si gjithë Ballkani, shprehte një civilizim më specifik drejt atij europian. Prof. Miliez na fton për darkë në shtëpinë e tij, çka francezët e çmojnë si nderimin më të lartë që të bëjnë edhe se shprehur fare thjeshtë: - Je vous invite dinner chez nous. Kjo "chez nous" ishte gjithë ngarkesa e nderimit, çka na gëzoi shumë. Shtëpia ishte vilë dy-tre katëshe, përfshirë katin romantik të papafingos, me oborr të brendshëm të padukshëm nga jashtë, rrethuar me mur të lartë, tek duhej të hyje në një portë madhështore. Miliez na priti te kjo portë e jashtme.
E shoqja na priste e buzëqeshur te shkallët për të hyrë brenda në shtëpi. Ishte një grua e moshuar, por qartazi më e re, fare e vogël përpara atij Miliezi të gjatë, por një xixëllonjë që s'pushonte së foluri, duke ruajtur njëherësh etikën, për çka e ndihmonte eleganca gjenetike franceze. Na priti me shumë dashuri diskrete, çka e ndjeje duke kuptuar: ja etika e lartë franceze, sepse duhet thënë që familja Miliez përfaqësonte aristokracinë më të lartë franceze.
Nëse kishte një herë të parë për mua kur shkova tek shtëpia e E. Hoxhës, atë magjepsje kam ndjerë te shtëpia e Miliezit. Tashmë që diçka dija, doemos do të magjepsesha nga mënyra perfekte e të priturit sa më komod të mikut, pa të lodhur me vështrimet urdhëruese e kërcënuese të zonjës së shtëpisë ndaj kamarierëve siç ndodhte në shtëpinë e E.Hoxhës. Përkundrazi zonja Miliez iu drejtohej kamarierëve në mënyrën më të natyrshme, për pasojë të ëmbël, për diçka që vetëm për momentin nuk ndodhej përpara dikujt të ulur në tryezë, kryesisht ne apo dhe fëmijëve të tyre që na shoqëronin. Ndaj shprehja "si në shtëpinë tënde" për këtë rast do të ishte jo vetëm e kotë por banale. Sepse u fute brenda në shtëpinë e tyre, "deja" ishe në shtëpinë tënde (kjo më ka lënë shumë mbresë, krahasuar me pritjen e parë që më ka bërë Nexhmija. Ndaj, para saj, nuk jam ndjerë kurrë në shtëpinë time, përveçse përpara Enverit, dhe përjashto apartamentin tim). Fytyra e Miliezit ishte e shtrirë nga kënaqësia edhe pa pasur nevojë të fliste, se gjithçka që thuhej ishte koherente me një rrjedhshmëri muzikale në klimatizim perfekt të atmosferës të së priturit sa më natyrshëm nga të gjithë familjarët e mikut të madh të liderit shqiptar Paul Miliez.
Për Miliezin kishte horizonte shpirtërore për të lidhur miqësi edhe me ne personalisht. Ndërsa Tolin e konsideronte birin e mrekullueshëm të të atit, mua jo vetëm ai që ish shprehur dhe tjetër herë, por kryesisht e shoqja më quajti: " - Kjo vajzë kaq e bukur, s'ka nevojë të flasë se flet e të përgjigjet me sy. Madje di shumë mirë të dëgjojë. Të dëgjosh heshturazi, por në mënyrë aktive, që bashkëbiseduesi të ndjehet i nxitur për të folur, kjo po, që është inteligjencë e interlokutorit!". U ndjeva shumë e luzinguar pse më vinte nga një grua e moshuar, tepër e ditur dhe e kulturuar.
Kur u kthyem, Enveri na dëgjonte me kënaqësi, ndërsa Nexhmija thellësisht e heshtur sikur nuk ishte. Në fund, Enveri, u çua e me një pamje karakteristike që shprehte gëzimin e tij, me dorën e djathtë në xhepin e pantallonave, me xhaketën e hapur për pasojë, filloi të ecte lart e poshtë duke folur: " -Ekzistojnë edhe miqësira të vërteta, madje të forta midis personave që i përkasin bindjeve të ndryshme, nëse këta janë të ndershëm e nuk i hyjnë njëri-tjetrit në çështjet që i ndajnë!".
Akademiku i shquar francez më bën gjithë kujdesin e duhur, deri te neuropsikiatri, përveçse problemeve endokrine, për të cilat garant si krejtësisht e shëndoshë, doli kryespecialisti për endokrinologjinë në Shqipëri që për këtë arsye mjekonte dhe E. Hoxhën, mjeku-judë. Konkluzioni i mjekëve francezë ishte i jashtëzakonshëm. Miliezi më thotë mua dhe Judës çka na i dorëzon edhe me shkrim për t'ia dhënë vetë E.Hoxhës.
"- Liliana është e shëndetshme si peshk! Por kjo vajzë nuk është e lumtur! Liliana nuk e ndjen veten të lirë në familjen e E.Hoxhës! Liliana duhet të bëjë zgjidhje jete!
Juda vari kokën, kurse unë u tmerrova. Sa për dijeni, duhet të them që në spital, prej shpengimit të natyrës time, unë i buzëqeshja çdo njeriu që takoja, çdo mjeku, çdo infermiereje madje dhe sanitareve. Juda më thoshte: "-Ti s'duhet të buzëqeshësh se nuk ngjan e sëmurë!". Si mund t'i çoja E. Hoxhës këtë konkluzion të tmerrshëm për të, "që s'jam e lumtur në shtëpinë e tij".
I them Judës: - Më gjej një palo sëmundje të parëndësishme e të padëmshme për mua, sa për të kaluar këtë radhë! Babai në asnjë mënyrë s'duhet ta marrë vesh përgjigjen e Miliezit se do t'i bëjë shumë dëm!
Ishte pikërisht kjo "alibi" e ofruar nga unë, që priste grabitqari Juda. Më drogoi, dhe në gjendje inkoshiente më nxori me ambulancë jashtë spitalit të Miliezit, pa dijeninë e tij. Më çoi në laboratorin e mikut të ngushtë, Abraham Behar, i cili na pati ftuar njëherë për darkë në shtëpi si kryetar i Shoqatës Francë-Shqipëri, por unë nuk pranova se sjellja e tij me tej se xhentile nuk më jepte besim. Atë ditë, në laborator, siç isha në kllapi, nuk mund të ndiqja dialogun e tyre, edhe sikur që në atë kohë ta njihja frëngjishten siç e njoha më vonë. Pra, këta të dy ishin të sigurtë që unë nuk merrja vesh se çfarë ndodhte dhe sikur të flisnin shqip. Duhet t'i kujtoj lexuesit që sipas Vito Kapos, ishte ky mjek që dirigjoi masakrimin e Hysni Kapos. Duhet t'i kujtoj gjithashtu lexuesit se cilat ishin lidhjet e Judës kur pretendonte se shkonte vetëm në Paris, për të blerë medikamentin "pamundësisht të kontaminuar" gjoja nëpër farmaci të ndryshme për E.Hoxhën. Ç'rëndësi ka farmacia, kur prodhimi dhe shpërndarja e medi-kamentit bëhej e urdhëruar nga fuqia gri, kontakt dhe operator i së cilës në funksion të Nexhmijes ishte Juda?!
Kështu, Juda më çoi ku deshi, e dola siç më tha, me pak të ashtuquajtur "ezauriment" sa për të më futur të dy këmbët në një këpucë pa kuptuar vetë unë, sepse "mund të mjekohesha vetëm për një muaj", sa për të kaluar këtë situatë moralisht ndaj E.Hoxhës, shumë të vështirë.
Isha e kënaqur për zgjidhjen e situatës, se paksa ezauriment çdokush ka. Por, mjekimi që më dhanë ishte vrastar, nga i cili nuk dilja dot më. Mendoja se E.Hoxha nuk e mori kurrë vesh të vërtetën. Kisha rënë me këmbët e mia në pus për të ruajtur qetësinë e tij. Realisht "marrëveshja" jonë do të ishte arma më e fortë për Nexhmijen dhe Judën, për të më goditur "me vullnetin tim" pafundësisht e përfundimisht.
Gjëja e parë që mendova ishte të zgjidhja urgjentisht jetën time. Por Toli nuk ishte dakord, se babai nuk mund të rrinte dot pa Valbonën, por edhe pa Sokolin e mua. Sepse duhet thënë realiteti, që ndonëse ai s'bënte asnjë dallim te fëmijët, ndaj nesh kishte një besim absolut. Besim që nuk e deshifroja dot: kundrejt vlerave tona, apo kundrejt atij vetë. U mendova thellë të largohem jashtë 'Bllokut' në një apartament të zakonshëm, ku do të isha krejtësisht e çliruar nga thundra bizantine e injorante e Nexhmijes, e familjarëve të saj, deri dhe personelit të shërbimit të përpunuar prej tyre. Por ishte vetë Nexhmija që ma zgjidhi çështjen. Dihet që Enveri nuk e dinte konkluzionin e vërtetë të Miliezit, ama Nexhmija e dinte. Pikërisht nga kjo do të përfitonte për të më hequr qafe. Më thotë më vete, pa e ditur askush, as vetë Toli, që në rast nevoje të kishte mundësi ta mohonte: "Liliana ju po të doni mund të dilni e të jetoni jashtë Bllokut". Asnjë shqetësim për të shoqin, siç kishte Sokoli për të atin. Kjo ishte çudia e parë që më ra në sy. U mendova sërish thellë. Ky veprim i saj vendosi gjithçka.
Jeta më kish mësuar të bëja të kundërtën e sugjerimeve të Nexhmijes e të fëmijëve të saj. Jashtë do të ishim krejt të pambrojtur, Sokoli, unë e fëmijët e mi. Se në aparencë ajo s'do të kishte "asnjë përgjegjësi". Kurse brenda në shtëpinë e saj, ndonëse isha rrezik për të, njëkohësisht së paku formalisht, "duhej të isha e mbrojtura e saj".
Për çdo gjë që mund të më ndodhte do të ishte ajo përgjegjëse përpara E. Hoxhës.
*Pjesë nga libri i ri "Tanët"

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat