Si e mori Sali Berisha drejtimin e PD-së

Shqipëria

Si e mori Sali Berisha drejtimin e PD-së

Më: 16 dhjetor 2013 Në ora: 09:34

Gjithçka u vendos në ato dy javë të shkurtit 1991, kur u bënë zgjedhjet e para për lidershipin e PD-së, që ishte themeluar në 12 dhjetor 1990. Sipas Merita Zaloshnjës, njërës prej nismëtarëve të themelimit të PD-së, ardhja e Sali Berishës në krye të partisë nuk u bë në mënyrë demokratike, por përmes kulisave dhe presioneve të grupit që e mbështeste. Intervista e Zaloshnjës është pjesë e librit “Pardesytë e bardha”, kushtuar PD-së dhe themelimit të saj.

Kur filluan të duken qartë shenjat e një gare protagonizmi ndërmjet themeluesve të PD-së, kryesisht midis Pashkos e Berishës?

Protagonizmi ndërmjet Sali Berishës dhe Gramoz Pashkos, ishte shfaqur që në fillim. Të gjithë i mendonin si liderët e PDsë. Ishin natyra të ndryshme. Berisha karizmatik, imponues, dallohej që në fillim, se ai ishte lideri. Për çdo ide që hidhte në mbledhjet e PD-së, mundohej me çdo kusht dhe çdo argument ta mbronte në mënyrë që të imponohej. Mbaj mend, që në një nga mbledhjet e para te Komisionit Nismëtar të PD-së, hodhi idenë, që ne duhet të krijojmë Lidhjen Demokratike të Gruas. Genc Ruli që kisha pranë më thotë, “Po ky, do të krijojë bijën kur ne akoma nuk kemi ngritur mëmën?”. Pashko kishte me shumë idera, shumë i përkushtuar, pak rrëmujë në shtrimin e ideteve të tij, por ishte më i butë dhe më paqësor. Sigurisht gara midis tyre, se kush do të merrte drejtimin e PD-së, dallohej qartë që në fillim. Të dy e synonin. Ajo që ia u shtonte më shumë, vinte dhe nga që në çdo miting që ata shkonin,nuk ju ndaheshin thirjet “Sali Berisha”, “Gramoz Pashko”.

Nga data 5 shkurt e deri më 14 shkurt 1991, janë një sërë ngjarjesh mjaft të rëndësishme që kanë përcaktuar ndoshta edhe fatin e Partisë Demokratike për 20 vitet që pasuan. Mund të na rrefeni detaje të atyre takimeve intensive të Komisionit Nismëtar të PD-së?

Duke kaluar koha, ideja e e një mirëkuptimi ideal dalngadalë po shuhej. Në kryesinë e PD-së qenë ravijëzuar klanet. Nga pikëpamja ime në atë kohë, askush nga ne nuk dinte dhe nuk njihte asgjë nga politika. Më ngjante tragjike. Por kjo ndoshta ishte normale në një parti politike. Me dukej sikur një ëndërr e bukur po shkatërrohej, po thyej. Historia e zgjedhjes së Sali Berishës kryetar dhe e shkarkimit të Azem Hajdarit, me sa mbaj mend unë, ka filluar në një mbledhje të Komisionit Nismëtar. Ishin caktuar tre anëtarë, që do të shkonin në një takim që e kishte kërkuar Ramiz Alia. Sali Berisha, Azem Hajdari dhe Arben Imami, (ne fakt këta tre shkonin në çdo takim që bëhej në ato kohë të trazuara me Ramiz Alinë, si përfaqësues të PD-së). Në atë mbledhje unë kam propozuar, që duhej ndryshuar delegacioni i PD-së me emra të rinj. U ra dakord me propozimin tim. U propozua që krahas Sali Berishës të shkonin Preç Zogaj dhe Eduard Selami, si persona më të qetë dhe më racionalë. Ky propozim u votua dhe fitoi me shumicë. Por pati një reagim nga Azemi dhe Arbeni, të cilët dolën nga mbledhja të zemëruar.

Mbas tyre dhe Sali Berisha, me idenë për t’i qetësuar. Si përfundim ata u kthyen përsëri dhe u vendos si formulë kompromisi që do të shkonin Sali Berisha, Azem Hajdari dhe Preç Zogaj. Mbas kësaj mbledhje ujrat ishin trazuar në Komisionin Nismëtar. Ishin ndarë grupet. Në njërin krah Berisha, Hajdari, Imami, Zogaj dhe në krahun tjetër Pashko, Meksi, Ruli, Selami. Gramozi hodhi idenë, që duhet zgjedhur kryetari i PD-së me votë të fshehtë, duke argumentuar që vetëm kështu do të kishte më shumë autoritet, dhe të gjithë do t’i bindeshin. Shumica ra dakord.

U propozua Meksi. Në ato momente të trazuara u duk si një figurë kompromisi, duke qenë njeri i qetë dhe i letrave. U bënë fletët e votimit gati, u votua dhe fitoi. Reagimi i Sali Berishës, i Arben Imamit dhe i Azemit ishte shpërthyes. Ata dolën nga mbledhja në mënyrë demonstrative, duke shfryrë dhe duke thënë, se nuk e pranonin këtë votim. Të dukej sikur PD-ja e porsaformuar do të shpërndahej dhe do të shkatërrohej. Ishte caktuar, që mbas dy ditësh do të bëhej një aktiv i zgjeruar në Pallatin e Kulturës me përfaqsues nga të gjitha degët e rretheve të PD-së. Për të ulur gjakrat e liderëve tanë, Preç Zogaj propozoi që secili nga ne të Komisionit Nismëtar të votoheshim në këtë aktiv dhe të mernim votëbesimin dhe kryesia e re që do të dilte, të zgjidhte kyetarin e PD-së. Gjithashtu të pezullohej vendimi i mbledhjes së Komisionit Nismëtar, për zgjedhjen e Aleksandër Meksit, kryetar të PD-së.

Berisha e pranoi plotësisht propozimin e Preçit. Sigurisht dhe gjithë pjesa që kishte votuar për z. Meksi e pranoi këtë formule kompromisi, për të mos acaruar me shumë situatën brenda Komisionit Nismëtar. Aktivi u mbajt me 13 Shkurt 1991. Tema ishte “Për zgjedhjet e Kuvendit Popullor”, që PD-ja propozonte për t’i shtyrë më 31 Mars. Mbaj mend që aktivi u kthye në një situatë të tensionuar mbas fjalës së Azem Hajdarit, ku ai akuzoi se disa nga intelektualët e PD-së ishin spiunë të Sigurimit të Shtetit, se po bashkëpunojnë me Ramiz Alinë, se duan të më heqin mua si kryetar, se është bërë një mbledhje e turpshme ku unë jam shkarkuar, e me rradhë (mbaj mend që ka përmendur dhe emrin tim midis të tjerëve). Një fjalim me shumë zemërim, inat dhe mllef. Salla ngriu. E mbaj shumë mirë mend atë moment. Shikoja përreth. Ishin njerëz, që kishin ardhur nga të gjitha rrethet e Shqipërisë. Ishin demokratë të orëve të para, që atje, në rrethet e tyre, përleshjen me sistemin komunist dhe ngritjen e degëve të PD-së, e kishin pasur shumë më të vështirë. Shpesh herë ata kishin rrezikuar jetën e tyre dhe të familjeve të tyre. Dhe ata vinin këtu në Tiranë, në aktivin e parë të PD-së dhe dëgjonin se si ata ata njerëz që i mbanin si idhujt e tyre, që i kishin mbajtur në krahë nëpër sheshet e qyteteve të Shqipërisë, kishin pasur betejë më të rëndësishme midis tyre, betejën për të marrë karrigen. Më vinte të qaja, të bërtisja. Mbaj mend që kam folur e revoltuar, nga vendi. Mbledhja ashtu vazhdoi e tensionuar, e rrëmujshme. Rustem Gjata dhe Abdi Baleta u larguan në shenjë proteste në mes të mbledhjes, duke thënë “po përsëritet historia e Bajram Currit”.

Mjeshtëria e Berishës për të eleminuar kundërshtarët

Pak muaj më pas në shtator, u organizua kuvendi kombëtar i PD-së, atje ku u zgjodh kryetar Sali Berisha. Shumë prej protagonisteve të kohës e konsiderojnë si një kongres tërësisht të rregullt dhe demokratik. Për ju ishte i tillë?

Në 27- 28 shtator u zhvillua kuvendi i parë i PD-së. Sigurisht përgatitja e tij ka qënë e lodhshme, po më shumë dhe nga problemet që kishin nisur, nga aty do të dilte kryetari i PD-së. Në mbledhjet e kryesisë që po përgatiste Kuvendin, ka patur debate të forta, për mënyrën si do të zgjidhej Kryetari. Njëri grup, në të cilin ishte pjesa më e madhe e kryesisë me 12 anëtarë (Pashko, Selami, Zogaj, Ruli, Imami, Ceka, Demeti, etj), të cilët kërkonin që kuvendi të zgjidhte Këshillin Kombëtar dhe ky Këshill i zgjedhur, të zgjidhte më vonë kryesinë dhe kryetarin e Partisë. Grupi tjetër me në krye Berishën (Uka, Çela, Toto, Dosti, Çika) që ishin në minorancë me 7 anëtarë të kryesisë, kërkonte që kryetarin e partisë ta zgjidhte direkt Kuvendi. Sigurisht lufta tamam midis dy grupeve ishte kush do të merrte frenat e PD-së në dorë. Dy ishin kandidaturat për kryetar të PD-së, Berisha dhe Ceka. Grupi i parë që mbështeste Cekën, mendoj që në rradhë të parë ishin kundërshtarë të Berishës dhe e dyta mendonin, se Ceka kishte staturën për të qënë lider i PD-së duke qënë se vinte dhe nga një familje qytetare me emër të dëgjuar dhe ishte antikomunist. Në mbledhjen e fundit të kryesisë, Arben Imami propozoi që kanditaturat që do t’i propozonim kuvendit për kryetar të PD-së, të mos kishin qënë anëtarë të PPSH-së. Kuptohej qartë që kjo ishte një mënyrë për ta spostuar Berishën, duke mos ja vënë fare kandidaturën. Propozimi u hodh në votë dhe fitoi, sigurisht Berisha ishte në minorancë. Berisha nuk e pranoi votimin, filloi të bërtiste, duke thënë se këto janë puçe të përgatitura në shtëpinë e Gramoz Pashkos, se ai do t’i drejtohej aktivit të partisë që mblidhej para kuvendit dhe ata do të vendosnin, kush do të ishin kandidaturat. Dhe kështu në inat e sipër, duke folur dhe duke sharë u largua pa mbaruar mbledhja e kryesisë. Në aktivin e PD-së që u mbaj dy ditë më vonë, Berisha duke qenë mjeshtër për t’ju drejtuar masës së njerëzve të ardhur nga rrethet, ju drejtua me shprehjen “njëri grup në kryesi kërkon që kandidatin për kryetar ta zgjedhë kryesia, ndërsa unë kërkoj që kandidatin për kryetar të PD-së ta zgjidhni ju njerëzit e bazës, anëtarë të aktivit të kësaj partie. Berisha duke qënë një njeri masovik, karizmatik, dinte t’i bënte për vete njerzit. Kështu që sigurisht aktivi votoi për variantin e Berishës. Nga replikat që u bënë mes paleve, Neritan Ceka i është kthyer Berishës duke i thënë “Ju z. Berisha doni të jeni gjeneral dhe ne të gjithë të jemi ushtarët e tu, por ne nuk do të bëhemi kurrë ushtarët e tu”. Në kuvend Berisha fitoi me shumicë votash kundër Neritan Cekës. Kuvendi i parë kombëtar u zhvillua brenda gjithë rregullave dhe proceseve demokratike. Në mëngjes, në Sallën e Pallatit të Kulturës, mbas një nate të gjatë të numërimeve kishin dalë rezultatet e votimeve dhe njeriu i parë që takoj ishte Sotir Qirjaqi, i cili më tha “Merita ti ke fituar në kryesinë e PD-së”. Buzëqesha, po nuk isha e lumtur. Berisha kishte fituar me shumicë votash kundër Neritan Cekës. Tek bordura e Pallatit të Kulturës, atë mëngjes kam takuar Leka Toton dhe Eduard Selamin, (që për hir të së vërtetës nxinte në fytyrë). Kam filluar të shpërthej “Kjo është një dite e keqe për PD-në”, “Ky vend nuk ka fat”, “ Përsëri një ish komunist në krye të PD-së”. Leka Toto, një burrë shumë i mençur, një njeri që kishte qënë në burg dhe që vinte nga një familje patriote dhe antikomuniste, u mundua të më qetësonte si mua dhe Selamin. “Ju jeni të rinj në politikë. Politika ka shumë ulje dhe ngritje, nuk duhet të mërziteni.

Xhelozia për ministrat e PD-së

Xhelozia për ministrat e PD-së Partia Demokratike, Gramoz Pashko zv.kryeministër, Genc Ruli Ministër i Financave, Preç Zogaj Ministër i Kulturës dhe Perekli Teta, Ministër i Mbrojtjes, Emin Mysliu në Ministrinë e Ndërtimit. Qeveria e Stabilitetit në momentin kur u krijua u duk si një domosdoshmëri dhe si një shpresë për situatën dramatike që po kalonte vendi. Mendoj se dyshja Pashko-Ruli me përkushtimin dhe inteligjencën e tyre po u jepnin jetë shumë reformave të domosdoshme ekonomike për atë kohë të trazuar, ku vendi ishte në kushtet e mbijetesës. Shqipëria nënshkroi marrëveshjen me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Mendoj që pjesëmarrja e PD-së në qeveri i dha mundësinë, që dhe ndihmat dhe projektet për mëkëmbjen e ekonomisë të vinin me shumicë dhe të ndikonin në ndryshimin e gjendjes së mjeruar ekonomike të vendit. Po brenda në PD, filloi njëfare xhelozie për ministrat e PD-së në Qeveri. U dukën sikur ata u shkëputën nga hallet e PD-së, sikur ju kishte hyre vetja në qejf, sikur nuk ju interesonte se ç’ndodhte brenda PD-së. Ndoshta nuk ishim mësuar me pushtetin, por unë mendoj që kontributi i ministrave tanë në atë qeveri ka qënë i pamohueshëm, me seriozitetin dhe përkushtimin e njerëzve të rinj dhe idealistë, ndonjëhere dhe naivë.

Votimi i 14 shkurtit

Më 14 Shkurt u mblodh kryesia e re për të zgjedhur Kyetarin. Të gjithë ishin të përgatitur që dy do të ishin kandidaturat, ata që kishin qënë dhe më protagonistet e PD-së, Sali Berisha dhe Gramoz Pashko. Mendoj se kishte dhe një grup të tretë, ku bëja pjesë dhe unë, që mendonim se këto dy figura me rivalitetin e tyre po i bënin dëm Partisë Demokratike dhe PD-së i duhej një figurë më e qetë, më e ekuilibruar. Kështu, Arben Demeti propozoi për kryetar, Aleksandër Meksin. Imami propozoi Azem Hajdarin. U bënë 4 kandidatura. Sipas statutit, fituesi duhet të merrte më tepër se gjysmën e votave të vlefshme. Votimi u krye dhe Sali Berisha fitoi 9 vota, Gramoz Pashko 5 vota, Aleksandër Meksi 4 vota dhe Azem Hajdari 1 votë. Pas Votimit ndërhyri Arben Demeti, që propozoi se duhet të përsëritet votimi, meqë Berisha nuk ka marrë më shumë se gjysmën e votave. Por në këtë kohë ngrihet Nerita Ceka, që thotë se kjo nuk është më çështje procedurash dhe shumë njerëz në Shqipëri njihnin për kryetar, Sali Berishën. Kjo i dha fund çështjes së përsëritjes së votimit. U vendos me konsensus, që Berisha të ishte kryetar, por çdo vendim do të merrej në mënyrë kolegjiale. Kur kemi dalë jashtë nga mbledhja, mbaj një grup studentësh prisnin të shqetësuar se çfarë do të ndodhte brenda kryesisë së PDsë. Do të përçahej PD-ja? Kush do të zgjidhej kryetar?! Sigurisht pas atij aktivi të parë të zgjeruar të PD-së, ku ne shfaqëm pjesën më të shëmtuar të grindjeve tona, të luftës tonë për pushtet dhe dominim të PDsë, ata studentë që me trimërinë dhe përulësinë e tyre na kishin dhuruar ne dhe gjithë popullit shqiptar, pluralizmin dhe partinë e parë opozitare ishin të trubulluar, të hutuar, se çfarë po ndodhte brenda atyre mureve, ku po zgjidhej personi që do të drejtonte për vite të tëra jetën politike të vendit.

Unë vetë nuk kam votuar për z. Sali Berisha, por për Z. Meksi. Por kur mbledhja u mbyll, jam ndjerë e lehtësuar, kam menduar se kjo ndoshta ishte zgjidhja më mirë, zgjedhja e Sali Berishës. Në qoftë se do të kishte ndodhur e kundërta, të ishte zgjedhur Pashko, PD-ja do të ishte përçarë përfundimisht. Berisha me natyrën e tij dominuese, konfliktuale, kontolluese nuk do të kishte pranuar asnjë rezultat që do të ishte kundër kandidaturës së tij dhe jam e sigurt që ndarja e PD-së do të ishte e pashmangshme. Këtë gjë nuk mund ta pranoja në shpirtin tim. Më dhimbsej PD-ja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat