Nismë e re në facebook, 1 milion shqiptarë peticion për arrestimin e Sali Berishës, 5 arsye për ndëshkimin e ish-kryeministrit

Shqipëria

Nismë e re në facebook, 1 milion shqiptarë peticion për arrestimin e Sali Berishës, 5 arsye për ndëshkimin e ish-kryeministrit

Nga: Nga SotNews Më: 9 dhjetor 2013 Në ora: 14:09

Pas presionit në rritje të Brukselit për arrestimin e Sali Berishës dhe ministrave të tij të korruptuar, në rrjetet sociale ka nisur firmosja e një peticioni për dërgimin e ish-kryeministrit, Sali Berisha, para drejtësisë. Shqiptarët kanë nisur të firmosin pasivisht peticionin për arrestimin e Sali Berishës për pesë krimet më të mëdha njerëzore dhe ekonomike në historinë e pluralizmit shqiptar.

Peticioni pritet të firmoset nga 1 milion shqiptarë, i cili do të përdoret si mjet presioni për të vënë në lëvizje prokurorinë dhe gjykatat, për arrestimin e Berishës, i cili konsiderohet si koka e korrupsionit në Shqipëri. Më konkretisht, arrestimi i Berishës kërkohet pikësëpari për Gërdecin, ku ishte i implikuar djali i tij, Shkëlzeni. Si pasojë e korrupsionit familjar të Berishës, në këtë ngjarje humbën jetën 26 qytetarë, ndërsa u plagosën 300 të tjerë. Në Gërdec u hodh në erë dhe baxhanaku i Berishës, të cilin ky i fundit e mohoi.

Së dyti, në peticion, arrestimi i Berishës kërkohet si përgjegjës për ngjarjen e 21 Janarit, ku garda e ish-kryeministrit ekzekutoi në bulevard 4 qytetarë të pafajshëm, ndërsa u plagosën dhjetëra të tjerë. Këtu, Berisha nuk lejoi prokurorinë të arrestonte komandantët e gardës, ndërsa vrasësit zhdukën pamjet filmike nga serveri i Kryeministrisë dhe manipuluan armët e krimit.

Një tjetër arsye e listuar në peticion është shitja e detit Greqisë. Po ashtu, arrestimi i Berishës kërkohet në peticion edhe për shkak të aferave korruptive. Madje, korrupsioni është edhe arsyeja kryesore që shqiptarët po ngihen në këmbë për ndëshkimin e ish-kryeministrit. Ndërkaq, ngjarjet e ’97 dhe grushti i shtetit në 14 shtator të vitit 1998, është një tjetër arsye e listuar në peticion. Nuk dihet ende se çfarë rruge do të ndiqet pas firmosjes së peticionit nga 1 milion shqiptarë. Por, presioni qytetarë sa vjen e rritet ndaj qeverisë “Rama” dhe organeve të drejtësisë, për të ndjekur shembullin e Kroacisë, e cila dënoi ish-kryeministrin e saj për korrupsion, si kusht për t’u integruar në Bashkimin Evropian.

Gjinushi

Kryetari i Partisë Social Demokrate, Skënder Gjinushi, deklaroi se lufta ndaj korrupsionit fillon që nga koka. Sipas Gjinushit, në sferat e larta politike, korrupsioni ka qenë i ligjëruar nga Sali Berisha. “Siç e kam thënë edhe më parë, lufta ndaj korrupsionit fillon nga koka. Lufta ndaj korrupsionit gjënë më të keqe ka luftën selektive. Kur ka disa dënime nuk kapen të mëdhenjtë, por kapen të vegjlit. Në një shtet ligjor dënohet ai që kapet, por këtu dënohet më i vogli. Kjo është komprometuese dhe shpalos qartë që ligjërohet korrupsioni. Në Shqipëri, në sferat e larta politike, deri sot, korrupsioni ka qenë i ligjëruar nga Sali Berisha”, theksoi Gjinushi.

Ja si reagoi Berisha për kërkesën e arrestimit

Kushtëzimi i statusit me arrestimin e ish-kryeministrit dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, ka alarmuar Sali Berishën, i cili duket se e ka humbur qetësinë. Berisha e ka konsideruar si enverist, tempullin e demokracisë në planet, pra Parlamentin Evropian. Ish-kryeministri ka akuzuar gjithashtu edhe mediat se janë enveriste, të cilat sipas tij, kanë trilluar lajmin për arrestimin e tij. Si mediat ashtu edhe Parlamentin Evropian, Berisha i ka konsideruar se enveristë të Edi Ramës. “Janë trillime të enveristëve të Edi Ramës”, ka deklaruar ai. Në vend që të t’u thotë shqiptarëve se pse ndërkombëtarët e konsiderojnë atë si koka e korrupsionit në Shqipëri, Berisha vijon të kërkojë shpëtim tek anti-enverizmi. Vetëm Sali Berisha mund ta lidhë Enver Hoxhën me krimet ekonomike dhe njerëzore të tij, gjatë tetë viteve të fundit. Gjithsesi, Berisha duket se është i alarmuar jo nga pasqyrimi i lajmit, por nga precedenti i Kroacisë. Bashkimi Evropian e kushtëzoi integrimin e Kroacisë me arrestimin e ish-kryeministrit kroat, Sanader. Ky i fundit është dënuar për korrupsion.

Ja pesë arsyet se pse kërkohet arrestimi i Berishës

1. 21 Janari

21 Janari është ngjarja më e rëndë dhe njolla më e zezë e kësaj qeverie pas Gërdecit. Më 21 Janar qeveria vrau katër qytetarë të pafajshëm dhe plagosi me dhjetëra të tjerë. Në fillim Berisha tha se protestuesit kishin vrarë njeri-tjetrin, më pas pranoi vrasjet, por tha se Garda kishte zbatuar ligjin, pasi demonstruesit ishin vrarë brenda rrethimit. Kur u vërtetua se protestuesit ishin vrarë jashtë rrethimit, Berisha sajoi puçin e shtetit dhe ngriti një komision hetimor. Po ashtu, Berisha nuk lejoi as zbatimin e urdhrit të Prokurorisë për arrestimin e komandës së Gardës. Refuzimi i Berishës për të dorëzuar komandantët, shokoi ndërkombëtarët. Zhdukja e pamjeve filmike u vërtetua edhe nga FBI. Më pas Berisha hodhi në koshin e plehrave ekspertizën e FBI për vrasjet. Sot nuk ka asnjë të dënuar për këtë çështje.

2. Gërdeci

Gërdeci është krimi më i madh njerëzor dhe ekonomik i familjes Berisha. Tragjedia e Gërdecit është orkestruar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga familja Berisha. Një biznes fitimprurës për kompaninë Albademil dhe SAC, por që nga shpërthimi i Gërdecit, humbën jetën 26 persona (mes tyre dhe baxhanaku i kryeministrit), u plagosën mbi 300 vetë dhe u dëmtuan mbi 4000 prona. Tre ditë më vonë jep dorëheqjen Ministri i mbrojtjes Fatmir Mediu, ndërkohë që prangoset Ylli Pinari, drejtor i MEICO, Mihal Delijorgji pronar i Albademil dhe Dritan Minxolli drejtor i fabrikës. Hetimet një vjeçare vunë nën akuzë 29 persona dhe çështja shqyrtohet në gjykatën e Lartë. Korrupsioni i Gërdecit, dhe dosja hetimore nxorën në pah shumë elementë. Një ndër njerëzit që kishte influencuar në bërjen e akteve nënligjore dhe ligjore që çuan në tragjedi ishte djali i kryeministrit, Shkëlzen Berisha.

3. Shitja e detit Greqisë

Mbetet historia më e zezë e qeverisë së Sali Berishës. Është konsideruar tradhtia më e madhe kombëtare pas shitjes së Shën Naumit nga Ahmet Zogu dhe shitjes së Shkodrës nga Esat Pashë Toptani. Ky skandal identifikohet me emrin e Sali Berishës dhe Lulzim Bashës. Ky i fundit asokohe mbante postin e Ministrit të Jashtëm dhe ka negociuar në fshehtësi marrëveshjen për shitjen e detit. Në takimin midis Dora Bakojanis dhe Lulzim Bashës më 20 mars 2008 një nga temat kryesore të bisedimeve ka qenë pikërisht marrëveshja për përcaktimin e kufirit detar.

4. Korrupsioni

Sali Berisha konsiderohet ndërkombëtarisht si koka e korrupsionit në Shqipëri. Ai akuzohet për qindra afera korruptive. Afera më e madhe lidhet me rrugën Durrës-Kukës. Protagonist është sërish Sali Berisha dhe Lulzim Basha. Prokuroria filloi hetimet. Dikasteri i Transporteve u vu akuzë. Procedurat për tenderin në Shqipëri, bazoheshin mbi ligjin anglez. Hetimet e prokurorisë çuan deri në heqjen e imunitetit të Lulzim Bashës. Sipas KLSH, në raportin e janarit 2008, abuzimi shkon deri në 232 milionë euro.

5. Grushti i 14 shtatorit

Berisha dhe Bode njihen si arkitektët e piramidave të ’97, çka sollën trazirat në vend. Po ashtu, Berisha njihet si arkitekti i grushtit të shtetit në 14 shtator të vitit 1998. Asokohe, Sali Berisha akuzoi qeverinë Nano për vrasjen e Azem Hajdarit, duke e konsideruar vrasje politike. Dita kur do përcillej për në banesën e fundit deputeti i vrarë u kthye në revoltë kundër qeverisë. Në 14 shtator protestuesit, të drejtuar nga krerët e PD-së, sulmuan godinën e Kryeministrisë, parlamentit dhe hynë me forcë në godinën e Televizionit Publik Shqiptar. Rreth orës 10:00 të paradites së 14 Shtatorit, Kryeministri njofton për një skenar destabilizues. Një orë më vonë, kortezhi mortor, një pjesë e armatosur, drejtohet drejt Kryeministrisë. Ndërsa truma i vërsulet Kryeministrisë, Berisha kthehet në seli. Një grup personash e çojnë arkivolin për nga dera e Kryeministrisë, ndërsa të tjerë qëllojnë me armë. Kryeministria braktiset nga punonjësit, ndërsa bandat e Sali Berishës e sulmojnë me granatahedhës dhe bomba. Bandat ndërseheshin nga Sali Berisha, i cili ndodhej në selinë e PD, duke pritur të merrte pushtetin. Ndërkaq, në terren turmën e drejtonte Izet Haxhia. Joana Tafa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat