Ministria e Mbrojtjes reagon ndaj deklaratave të PS

Shqipëria

Ministria e Mbrojtjes reagon ndaj deklaratave të PS

Më: 17 tetor 2012 Në ora: 18:34

Ministria e Mbrojtjes reagoi sot lidhur me akuzat e Partisë Socialiste, duke sqaruar opinionin publik lidhur me veprimtarinë e Forcave të Armatosura. Përmes një deklarate për shtyp, kjo ministri bëri me dije se procesi i transformimit të vazhdueshëm të FA-së, i cili zhvillohet që prej dy dekadash, ka ndikuar ndër të tjera edhe në inventarin e pronave në përdorim të Forcave të Armatosura.
“Reduktimi i vazhdueshëm dhe shumë i thellë i Forcave të Armatosura, eleminimi i shërbimit të detyrueshëm dhe kalimi në forcën plotësisht profesioniste dhe vendosja e standardeve të reja të NATO-s kanë sjellë si rezultat edhe reduktimin e ndjeshëm të numrit të kazermave ushtarake në Shqipëri. Nga një ushtri e përhapur në disa mijëra pika hapjeje në të gjithë territorin e vendit, sot FA janë përqendruar në një numër shumë herë më të vogël kazermash dhe instalimesh ushtarake”, thuhet në deklaratën e dikasterit të Mbrojtjes.
Njëkohësisht, në përmbushje të detyrave të tij Shtabi i Përgjithshëm i FA-së synon të planëzojë dhe të zhvillojë më tej ato kazerma dhe instalime ushtarake që kanë rëndësi për përmbushjen e misionit të FA.
“Transferimi i gjithë kazermave apo instalimeve të tjera ushtarake, që nuk përputhen më me konceptin e përdorimit operacional të FA, tek autoritetet publike që janë përgjegjëse me ligj, përbën jo vetëm një detyrim, por edhe një prioritet pune për Shtabin e Përgjithshëm të FA-së. Përmes këtij transferimi Shtabi i Përgjithshëm i FA synon që të rrisë më tej kapacitetet operacionale të FA në shërbim të misionit të tyre, si dhe të ulë barrën e panevojshme administrative, materiale dhe financiare që rëndon mbi Forcat e Armatosura”, sqaron më tej deklarata.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat