Muzeumet e Krujës dhe 100 vjetori i pavarësisë - Bota Sot
Muzeumet e Krujës dhe 100 vjetori i pavarësisë

Shqipëria

E shtunë, 27 gusht 2016

Muzeumet e Krujës dhe 100 vjetori i pavarësisë

Më: 14 tetor 2012 Në ora: 17:57

Kruja me muzeumet e saj është shndërruar këtë periudhë në një adresë kryesore për udhëtarët shqiptarë dhe të huaj, që duan të mësojnë më shumë për historinë e Shqipërisë në 100 vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar. Në kalanë e Krujës janë në fakt dy muzeume; muzeu i Gjergj Kastriotit - Skënderbeut dhe muzeu kombëtar etnografik. Ato po vizitohen nga mijëra njerëz, shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe shtetas të huaj nga gjithë bota.
“Harta e vizitorëve të muzeumeve tona përfshin gjithë botën; Ballkani, Europa, Shtetet e Bashkuara dhe deri nga Japonia. Ata pyesin për ngjarjet historike të Shqipërisë dhe për stilin e jetesës së shqiptarëve në shekuj. Të dy muzeumet janë përfshirë në të gjitha lëvizjet njëditore dhe shumë-ditore të agjencive turistike. Muzeu kombëtar etnografik është në fakt një banesë e shqiptarëve, ku është përfshirë gjithë stili i tyre i jetesës” - thotë Nurmir Ricaj, ciceroni i muzeut etnografik.
Muzeumet e Krujës nuk kanë asnjë çast qetësi. Aty rrjedhin çdo ditë qindra vizitorë që admirojnë historinë e Shqipërisë. Grupet që po vizitojnë muzeumet e Krujës aktualisht janë nga Polonia dhe Italia.
“Ky muze i Skënderbeut dhe muzeu etnografik janë shumë të mirë - thotë Francesko Lucarini, i cili ka ardhur në Krujë me bashkëshorten dhe dy fëmijët nga Ankona e Italisë. - Këto janë më të mirët krahasuar me muzeumet e tjera që kemi vizituar nëpër Shqipëri, si për shembull, ai i Beratit. Grupi ka vizituar muzeumet në Shkodër, Berat, Gjirokastër dhe Tiranë. Dua të shtoj një fakt të rëndësishëm, rrugët janë përmirësuar shumë. Na kishin thënë në Itali se rrugët në Shqipëri janë keq, por jo. Rrugët janë ndërtuar të reja dhe janë shumë shumë mirë, përveç një pjese rruge midis Beratit dhe Fierit. Rrugët e tjera ishin shumë mirë”.
Punonjësit e dy muzeumeve të Krujës janë angazhuar maksimalisht për mikpritjen e vizitorëve. Asnjë detaj nuk u shpëton syrit të tyre, qysh nga eksponatet e muzeumeve, dhe deri tek lulet në oborr. Drejtori i kompleksit muzeal të Krujës, Medi Hafizi, thotë se “të gjithë po presim me emocione të veçanta armët dhe përkrenaren e heroit kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriotit, Skënderbej, të cilat kolegët nga Viena kanë premtuar se do t’i sjellin disa muaj në muzeun historik kombëtar të Tiranës dhe disa muaj në Krujë, në muzeun e tij”.
Kruja ishte qendra kryesore e rezistencës shqiptare ndaj pushtuesve otomanë dhe e heroit kombëtar, Gjergj Kastriotit, Skëndërbej. Gjatë këtij viti shqiptarët po festojnë 100 vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar, me qindra festave të vogla e të mëdha anembanë vendit, ndërsa këtu në Krujë entuziazmi shihet në sytë e mijëra vizitorëve dhe në pasionin e çdo ciceroni që shpjegon historinë e Shqipërisë.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Kush ka të drejtë dhe çfarë duhet të bëj Qeveria me demarkacionin me Malin e Zi?

    Kuvendi duhet ta votojë marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi

    Qeveria duhet ta rishikoj marrëveshjen

    Opozita ka të drejtë që po kundërshton demarkacionin

    Qeveria ka të drejtë për demarkacionin

    Nuk duhet të votohet marrveshja, sepse me demarkacion Kosova humbë tokë

    Shiko rezultatet
test