Rama: Taksa progresiste, jo kërcënim për bizneset

Shqipëria

Rama: Taksa progresiste, jo kërcënim për bizneset

Më: 12 tetor 2012 Në ora: 12:47

Partia Socialiste ka zhvilluar sot një tryezë me përfaqësues të biznesit të madh në vend. Në fjalën e tij, kryetari i PS-së Edi Rama ka vlerësuar tryezën si një mënyrë e mirë komunikimi për të diskutuar të gjitha problemet që has sot biznesi.

“Ashtu sikundër u jam mirënjohës atyre sipërmarrësve të mëdhenj që na kanë hapur derën , që kanë pranuar të jenë me ne edhe publikisht, ashtu do të dëshiroja tu isha mirënjohës në vijim edhe të tjerëve me vullnetin për të qenë të pranishëm në të gjithë sipërmarrjen shqiptare.” tha Rama.

Duke iu referuar taksës progresiste, Rama i garantoi sipërmarrësit se vlera e progresivitetit nuk është një arsye për tu ndjerë të kërcënuar, por se në këtë mënyrë ata do të shërbehen më mirë.
"Ne besojmë tek vlera e progresivitet e cila na ndan nga pala tjetër, na ndan në këndvështrimin për botën. Kush fiton më shumë duhet të paguajë më shumë. Për të gjithë ju dhe sipëmarrësit që kanë hyrë nga shtegu i lirisë duke besuar tek merita ky nuk është kërcënim por është stimuli” tha Rama.

Rama ka theksuar se disa nga sektorët e ekonomisë si ndërtimi apo fasonët ndodhen në gjendje të vështirë ndërsa premtoi se pas 9 muajsh ku PS-ja të vijë në pushtet do të hapet një faqe e re për biznesin.

"Asnjë sipërmarrës nuk duhet të ndihet i kërcënuar për shkak të përkatësisë politike, me asnjë sipërmarrës nuk do të sillemi si dele e zëzë, dhe asnjë sipërmarrës nuk do të privilegjohet" tha Rama.

Ai gjithashtu ka kërkuar nga qeveria heqjen e TVSH-së për biznesin e vogël pasi sipas tij ky biznes po lëngon nën peshën e një krizë asfiksuese për të jo për asnjë faj të krizës globale, por për përgjegjësi të plotë të qeverisë.

"Kam parë vetë dhjetra sipërmarrës të vegjël, të cilët janë në kushtet e një dëshpërimi të ndjeshëm në çdo fjalë që nxjerrin nga goja. Tanimë me patjetër në urgjencë duhet hequr taksa e biznesit të vogël. Ka kohë që i ka ikur koha. Në ndërtim, ka mungesë dramatike likuiditeti dhe asete të ndërtuara në vite që nuk shiten. Ne do të konsultojmë shoqatën e ndërtuesve për të propozuar një skemë të riaktivizimit, në tregun e ndërtimit, të aseteve që nuk gjenerojnë më vlerë në ekonomi. Ne nuk mund ti lëmë miliona euro të flenë duke u amortizuar në kushtet e një vdekjeje klinike. Fasonët, ka qenë një komunikim model për atë që ne duam të ndërtojmë si mjedis, ku kanë qenë të pranishëm sipërmarrës të majtë edhe të djathtë, ku kanë qëndruar përballë nesh duke folur për interesin e përbashkët të tyre, që është dhe yni” tha Rama.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat