Nishani: S’ndërhyj në grevë, është politike

Shqipëria

Nishani: S’ndërhyj në grevë, është politike

Më: 9 tetor 2012 Në ora: 23:05

Presidenti tha se kur të përndjekurit iu kundërvunë regjimit në komunizëm, nuk kishin në mendje dëmshpërblimin. Ai tha se nuk komunikon me grevistët për shkak se greva është politike. Nishani kërkoi që të hetohet se kush ia vuri zjarrin Ndrecës. Presidenti tha se nuk ekziston ligj lufte me Greqinë, tani që dy vendet janë në NATO

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i ftuar në emisionin “Pesë pyetjet nga Babaramo”, tha se greva e urisë ka doza të larta të deklaratave politike.

“Grevën e kam parë në dy aspekte. Në aspektin human, meriton të respektohet. Unë e respektoj institucionin e grevës. Sa i përket përmbajtjes, kam konstatuar doza të larta të deklaratave politike nga kjo grevë,” tha Nishani.

Presidenti deklaroi se nuk ka kontaktuar me grevistët për këtë arsye, pasi ka konstatuar ngarkesa të mëdha politike.

Nishani tha se megjithatë ka folur me përfaqësues të të përndjekurve, të cilët thotë se i ka edhe në staf, dhe ka arritur në përfundimin se ata nuk e kanë bërë betejën në komunizëm duke pasur në mendje dëmshpërblimin në demokraci.

“Ish- të përndjekurit janë dhe do mbeten një pjesë e rëndësishme kontributore e demokracisë dhe ndryshimeve në Shqipëri. Por fakti më interesant është se tek të gjitha të përndjekurit kam konstatuar një konkluzion, që kontributi i të përndjekurve politikë gjatë viteve të regjimit komunist, kurajo që ata kanë pasur për t’iu kundërvënë një regjimi, ka qenë i bazuar në parime shumë të mëdha universale, parimi i lirisë, i të drejtës dhe asnjë që është ngritur kundër atij regjimi, nuk e ka bërë duke të menduar se do shpërbleheshin financiarisht,” tha Nishani, që shtoi se greva e urisë nuk është një gjetje.

“Mendoj se format ekstreme të grevës së urisë, besoj nuk janë të gjetura për të kërkuar një kompensim financiar, sado i madh ose i vogël të jetë. Imagjinoni që sot pronarët të kërkonin kompensim financiar menjëherë, se çfarë do të ndodhte,” tha Nishani.

Presidenti tha se duhet hetuar se kush ia vuri zjarrin Ndrecës. Ai la të kuptohet se greva po përdoret politikisht.

“Unë u kërkoj organeve të drejtësisë të hetojnë me forcë, pasi askush nuk mund të arrijë objektivat e tij me fatkeqësinë e tjetrit,” tha Nishani.

Presidenti Nishani foli edhe për vizitën e Edmond Panaritit në Greqi. Ai deklaroi se kjo vizitë ka qenë shumë e suksesshme.

Nishani tha se: “ligji i luftës me Greqinë nuk ekziston, pasi me hyrjen në NATO, automatikisht ai ligj është i pakuptimtë”.

I pyetur në lidhje me marrëveshjen e ujërave me Greqinë, Nishani theksoi se ky pakt duhet të negociohet sërish, pasi marrëveshja është shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese.

“Marrëveshja duhet bërë mbi bazën e procedurave që Kushtetuesja ka përcaktuar se duhen mbajtur parasysh. Qeveritë duhet të gjejnë modalitetet për të nisur negociatat dhe të arrijnë një marrëveshje”, u shpreh Presidenti.

Sipas kreut të shtetit shqiptar, negociatat e reja duhet të ngrihen mbi bazën e ligjit të brendshëm dhe konventave ku Shqipëria është palë.

Presidenti tha se javët që vijnë, që përkon me nëntorin, do të vijë në axhendën e tij edhe çështja e kryeprokurorit. Ai nuk sqaroi nëse ajo do të zëvendësohet tani, apo vitin tjetër, por duket se më këtë fjali nënkuptoi se Ina Rama do largohet tani.

I pyetur për kryeprokurorin e ri, ai tha se “do prevalojë integriteti moral dhe pjesa profesionale, natyrisht”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat