Berisha takim lamtumirës me ambasadoren Zvicerane

Shqipëria

Berisha takim lamtumirës me ambasadoren Zvicerane

Më: 4 tetor 2012 Në ora: 14:50

Kryeministri Berisha priti sot, në një takim, ambasadoren e Zvicrës në Shqipëri, zonjën Yvana Enzler, me rastin e përfundimit të detyrës.

Kryeministri Berisha i shprehu zonjës Enzler falënderimet për kontributin e saj në forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve, veçanërisht në fushën e energjisë, asistencën për zhvillimin e arsimit profesional, nxitjen e investimeve zvicerane në Shqipëri etj.. Në këtë kontekst, bashkëbiseduesit vlerësuan impaktin shumë pozitiv që gazsjellësi Trans-Adriatik (TAP) do të ketë edhe në zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike dypalëshe.

Kryeministri shprehu gjithashtu, mirënjohjen për ndihmën që Zvicra i ka dhënë dhe vijon t’i japë Shqipërisë, në rrugën e saj të zhvillimit.

Kryeministri Berisha dhe ambasadorja Enzler pohuan nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve midis dy vendeve dhe vullnetin e plotë të të dy qeverive për të zgjeruar e thelluar më tej bashkëpunimin dypalësh dhe për të intensifikuar përpjekjet për rritjen e investimeve me interes të ndërsjellë.

Ambasadorja Enzler shprehu kënaqësinë që pati rastin të shërbente në Shqipëri dhe falënderoi Kryeministrin për mbështetjen që ajo ka pasur nga qeveria shqiptare, në ushtrimin e detyrës së saj.

Kryeministri Berisha tha se zonja Enzler largohet nga Shqipëria si një mike e saj dhe është gjithnjë e mirëpritur këtu, si dhe e uroi suksese në detyrat e ardhshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat