Berisha-Ramës: Mos shkelmo ëndrrën europiane, voto ligjet

Shqipëria

Berisha-Ramës: Mos shkelmo ëndrrën europiane, voto ligjet

Më: 4 tetor 2012 Në ora: 09:29

Kryeministri Berisha ka akuzuar sërish sot kreun e opozitës Edi Rama se kërkon pazare në këmbim të votave për të miratuar ligjet në Parlament. Ndërsa ka inaguruar sot gjimnazin "Ibrahim Hasmema” në Petrelë të Tiranës, shefi i qeverisë theksoi se deputetët socialistët bojkotojnë komisionet parlamentare duke mos votuar ligjet të cilat janë të rëndësishme për marrjen e statusit kandidat për në Bashkimin Europian.

"Çdo ditë ndiqni komisionin e ligjeve ku ish-ministra, ish kryministra të këtij vendi ngrihen dhe dalin dhe lënë karriget bosh për të mos votuar ligjet që kërkon Brukseli dhe e bëjnë këtë se gjatë këtij 10 ditëshi merret vendimi për statuasin. Zotëria bëri amendamentet e ligjit të Gjykatës së Lartë dhe kërkon pazare, por nuk ka pazare me ëndrën tuaj, nuk ka pazare me integrimin e vendit” tha Berisha.

Kreu i qeverisë gjithashtu I bëri thirrje kreut të opozitës të mos shkelmojë ëndrrën e të gjithë shqiptarëve, atë europiane. “Mos shkelmo ëndrrën e të rinjve shqiptarë sepse kjo është ëndrra më fisnike , ëndrra e të gjithë shqiptarëve por veprimi yt që bën këto ditë duke braktisur votimin e ligjeve është i shëmtuar, unik, veprimi që një shqiptar nuk mund t`ia lejoj vetes. Çdo ditë protoston se përse flas me ju por unë dialogun për Europën do ta kem me ju, do bëjmë çdo gjë që atë ëndrrën më të bukur ta bëjmë realitet” tha Berisha.

Gjithashtu kryeministri Berisha theksoi se niveli dhe cilësia e mësimdhënies mbetet prioritet për edukimin e brezave. "Sot për të gjithë ju, komunitetin, është një ngjarje e veçantë pasi keni ditën e parë të shkollës me një infrastrukturë të shkëlqyer, me pajisje nga më modernet dhe ju garantoj që qëndron me dinjitetet në çdo komunë. Ky gjimnaz është një shprehje tjetër e vizionit tonë për arsimin dhe edukimin e fëmijëve tanë. Ne jemi të bindur se vendimtar për një të ardhme të ndritur para së gjithash është shkolla dhe shkollimi i fëmijëve tanë, niveli dhe cilësia e tij” tha Berisha.

Më tej kryeministri Berisha theksoi se gjatë këtyre 6 viteve është bërë i mundur ndërtimi i 1300 shkollavë në të gjithë vendin si dhe janë rritur rrogat për arsimtarët. "Ne kemi shpallur si kryefjalë të programit tonë përpjekjen për një shkollim modern të fëmijëve tanë. Kjo përpjekje kaq qënë më të kushtueshmet por është e vlefshme për çdo çmim që mund të paguhet. Pikërisht se ne i besojme këtij vizioni kemi ndërtuar 1300 shkolla në mbarë vendin” tha Berisha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat