Ja si ka abuzuar Arben Imami me çmimet e shitjes së armatimeve

Shqipëria

Ja si ka abuzuar Arben Imami me çmimet e shitjes së armatimeve

Më: 3 tetor 2012 Në ora: 21:29

Deputeti Braçe: Dua ta pyes për herë të fundit ministrin e Mbrojtjes Imami, ku përfundojnë paratë e diferencave deri në 40% në çmim, kaq të hapura dhe kaq abuzive, si rishpërndahen dhe kujt i paguhen?

Partia Socialiste ka vazhduar edhe sot të denoncojë aferat e Ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami.

Deputeti Erion Braçe, i kujtoi në fillim Imamit se ai ka deklaruar se ka vetëm një kusht për shitjen e armëve: që partnerët të mos jenë në listën e zezë të OKB.

Por më pas shkon e i shet armë një serbi, që është në listën e zezë të OKB dhe që për më tepër, financon fushatën e një radikali si Tomislav Nikoliç.

“Ndërkohë më herët, tamam këtë tregtar armësh të listuar në të zezë e kanë pritur në Shqipëri, e kanë shoqëruar në një vizitë njohëse me armatimin dhe municionin e ushtrisë shqiptare në depot më të mëdha në vend, midis të cilave edhe pranë Poliçanit, që u përmend në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes,” tha Braçe.

Deputeti socialist sërish kërkoi dorëheqjen e ministrit Imami, duke thënë se ai jo vetëm u ka dhënë monopolin e shitjes së armëve kompanive serbe, por edhe ka bërë korrupsion me çmimet e shitjes së municioneve.

Pikërisht këtu është ndalur më gjatë Braçe, duke dokumentuar diferencat në çmim.

“Shitjet e Ministrisë së Mbrojtjes janë adresuar vetëm në dy kompani, përsa i përket eksplozivit dhe tritolit, MDI dhe UNIMESCO. Por çmimet me të cilat është shitur tritoli janë tërësisht të ndryshme. Vetë MDI, ministria e Mbrojtjes njëherë ja shet me 305 dollarë për ton dhe herën tjetër me 400 dollarë për ton. Ndërkohë që i shet MDI me 400 dollarë për ton, I shet UNIMESCO, kompanisë tjetër me origjinë tjetër serbe, 750 ton me 370 dollarë për ton. Veçanërisht ata që banojnë në Poliçan duhet ta kenë vëmendjen sesi shitet armatimi dhe municioni,” tha Braçe.

“Për ekzogjenin. Shitjet e Ministrisë së Mbrojtjes janë nga disa burime, këtë herë duke përfshirë dhe uzinën e lëndëve plasëse të Mjekësit por përsëri adresohen tek MDI dhe një Uzinë prodhimi makinash në Çeki. Ministria e Mbrojtjes ia shet ekzogjenin MDI me çmime që variojnë nga 1000 deri ne 1500 dollarë për ton, por uzinës çeke ja shet vetëm për 500 dollarë për ton. Shihni çfarë diferencash ka në çmime. E gjitha është dëm ekonomik në disa qindra mijë euro për buxhetin e shtetit dhe përfitime të mëdha për klientët e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Arben Imamit,” vijoi Braçe.

“Vijmë tek një produkt tjetër që administrohet nga Ministria e Mbrojtjes, për mortajat 60mm. Shitjet e Ministrisë se Mbrojtjes janë adresuar në disa kompani, nder të cilat MDI ka pjesën e luanit dhe favoret në çmime. Ministria e Mbrojtjes i shet kompanisë AR Global për llogari të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Veteranëve në Burkina Faso, mortaja 60mm me çmim 200 dollarë për copë. Por ministria e Mbrojtjes – MDI-së, të njëjtin produkt, pa mortaja dhe e shet për 180 dollarë për copë po për të njëjtin produkt.

Për mortajat 82 mm. Ministria e Mbrojtjes i shet AR Global mortaja 82mm me çmim 300 dollarë për copë; Po Ministria e Mbrojtjes shet NF Belize mortaja 82 mm me çmim 300 dollarë për copë. Por ministria e Mbrojtjes i shet MDI mortaja 82 mm vetëm 230 dollarë për copë, duke e favorizuar në çmim.

Për mortaja 120 mm. Ministria e Mbrojtjes i shet AR Global mortaja 120mm me çmim 500 dollarë për copë; Ministria e Mbrojtjes i shet edhe kompanisë NF Belize mortaja 120mm me çmim 500 dollarë për copë. Por po Ministria e Mbrojtjes i shet MDI mortaja 120mm me çmim 320 dollarë për copë.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat