Presidenca, “furtunë” shkarkimesh

Shqipëria

Presidenca, “furtunë” shkarkimesh

Më: 3 tetor 2012 Në ora: 21:22

Largimi i ish-presidentit, Bamir Topi, nga Presidenca është shoqëruar me një furtunë largimesh dhe transferimesh të stafit që për pesë vjet ishte pjesë e këtij institucioni.

Me ardhjen e Bujar Nishanit në krye të shtetit shqiptar, Presidenca ka marrë vendimin fillestar për të spastruar të gjithë stafin politik të ish-presidentit Bamir Topi, të përbërë prej 12 personalitetesh. Por kjo lëvizje ka qenë vetëm fillimi, pasi punonjësit e sigurisë së Presidencës e pësuan gjithashtu nga spastrimi që u krye prej kreut të ri të shtetit.

Sipas gazetës Shqip, 16 oficerë të Gardës, të cilët punonin në Presidencë gjatë kohës që ajo drejtohej nga Topi, janë transferuar jashtë Tiranës. Më i prekuri nga ky proces rezultoi drejtuesi i grupit të shoqërimit të Topit, Frrok Kaçorri, të cilit iu komunikua shkarkimi nga Garda.

Por, duket se Nishani ka vendosur të spostojë pa hezitim edhe dy nga drejtorët kryesorë të Presidencës, të cilët mbajnë edhe statusin e nëpunësit civil. Burimet bëjnë të ditur se ka pasur edhe shkelje në procedurën e emërimit të sekretarit të përgjithshëm të Presidencës, Bardh Spahia, për të cilin pretendohet se është emëruar në këtë post të lartë të nëpunësit civil pa konkurs. Po kështu, burimet tregojnë se në kundërshtim me politikën e tkurrjes së shpenzimeve të administratës, zyrtarët e rinj të stafit aktual të Presidencës gëzojnë privilegje të konsideruara së fundmi si të tepërta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat