Apeli i vëllait të 44-vjeçarit të zhdukur në liqenin e Farkës prej 4 ditësh

Shqipëria

Apeli i vëllait të 44-vjeçarit të zhdukur në liqenin e Farkës prej 4 ditësh

Më: 20 korrik 2021 Në ora: 19:08
Ilustrim

Prej  orës 20:00 të mbrëmjes së të shtunës së 17 korrikut, kur u pa për herë të fundit duke notuar në liqenin e Farkës, nuk dihet asgjë për  44-vjeçarin me incialet B.H, banues në kryeqytet.

Dyshimet janë se ai është mbytur.

Për kërkimin e tij u angazhuan  forcat polumbare të cilët kanë bërë kërkime kryesisht gjatë mëngjeseve të këtyre tre ditëve por pa rezultat për shkak se kanë qenë dhe të pakët në numër.

Sot polumbarët e RENEA-s kanë njoftuar përfundimin e kërkimeve.

Ndaj familjarët e tij kërkojnë që polumbarët të rinisin dhe intensifikojnë kërkimet, ndërkohë ata po kërkojnë dhe vetë përgjatë liqenit.

Vëllai i 44-vjeçarit, një nga familjarët e shumtë që ndodhej në liqenin e Farkës pasditen e kësaj të marte, 20 korrik, apeloi instancat përgjegjëse të shtetit që ta ndihmojnë të gjejë të vëllain, qoftë dhe për ti bërë homazhet e fundit.

"Ditën e shtunë është parë vëllai im këtu në liqenin e Farkës duke bërë not. Rrobat janë gjetur. Kemi dyshime se është mbytur por shpresat janë të pakta.  Polumbarët kanë punuar por më bën çudi që një shtet vjen me katër polumbarë që futen nga 2 orë në ditë ku liqeni është 70 hektarë. I falenderoj nga zemra ata por jam i pakënaqur nga shteti.

Nesër mund ti ndodhë kujdo. I bëj thirrje shtetit, për hir të Zotit, vini dorën në zemër, po e presin prindërit dhe fëmijët dhe prandaj jam kthyer me shpinë që mos të më shikojnë. Më ndihmoni të gjej trupin dhe të bëj homazhet e fundit. Të hidhet i gjithë kapaciteti që kemi.

Nuk ka asnjë rrjetë, më ka ndihmuar një banor i zonës. Polumbarë nuk kanë asnjë pajisje përveç uniformës dhe kërkonin me duar. Ju lutem, edhe privatit kush ka pajisje për kërkim trupi. Ju lutem më ndihmoni që të gjej trupin e vëllait.Kam 72 orë që nuk kam shkuar në shtëpi. Të rinisin kërkimet, sot polumbarët e RENEA-s u dorëzuan, nuk kërkojmë më, thanë.

Ne e dimë që është pa kordinata por shteti mos të ketë kapacitet për të gjetur një person në liqen nuk e konceptoj dot. Sot na thanë që pezullojmë kërkimet se nuk kemi më mundësi kërkimi. Sot vetëm bënë një xhiro sipërfaqësore në liqen dhe thanë ne do vijmë vetëm kur të na thirrni ju që të gjeni trupin".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat