Soreca: Dorëzimi i mandateve minon procesin e integrimit drejt BE

Shqipëria

Soreca: Dorëzimi i mandateve minon procesin e integrimit drejt BE

Më: 22 shkurt 2019 Në ora: 19:28
Luigi Soreca

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca u ka bërë thirrje partive politike që të ulen në dialog për të gjetur zgjidhje për ngërçin politik të krijuar pas djegieve të mandateve, akt i cili sipas tij dëmton integrimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

Në një prononcim nga qyteti i Korçës, ambasadori Soreca theksoi se dorëzimi i mandateve është një formë kundërproduktive për ushtrimin e mandatit.

“Ndodhemi në një situatë të veçantë politike. Dorëzimi i mandateve është një formë kundërproduktive për ushtrimin e mandatit. Çdo deputet ka të drejtën e tij ta bëjë këtë, por kanë përgjegjësi përpara votuesve. Vendi ku demokracia duhet të zbatohet është Parlamenti. Heqja e të drejtës për ta bërë këtë gjë në Parlament nuk është mirë për Shqipërinë. Shqetësimi kryesor i BE është ajo që do të vijojë në kuadrin e procesit të hyrjes së Shqipërisë në BE. Ky vendim e minon këtë gjë. E minon procesin e Shqipërisë drejt BE-së. Shqipëria ka bërë progres të mirë në muajt e fundit, duke filluar nga qershori i 2018-ës. Pyetja që i shtrojmë vetes është si do të vijojë Shqipëria në këtë rrugë? Sugjerimi i vetëm që kam, është që ne presim që qeveria dhe opozita të ulen në dialog për të kaluar këtë situatë. Kemi hyrë në një fazë pasigurie politike, por edhe një pasigurie teknike. Dhe mendojmë që për këtë gjë duhet menduar seriozisht, duhet hyrë në dialog, ky është mendimi i BE-së. Ajo që mund të them është se pa dialog nuk ka zgjidhje. Është momenti për të ndaluar, menduar dhe për të parë përpara për qytetarët shqiptarë”, tha Soreca.

Në fjalën e tij përpara medieve, Soreca u ndal edhe te ngritja e Prokurorisë Speciale Antikorrupsion, e cila sipas tij do të luftojë korrupsionin në nivelet e larta.

“Dje përfundoi afati për aplikimet në SPAK. Kemi 27 aplikime për 15 poste, mendoj që shumë shpejt SPAK-u do të bëhet realitet. Ato parti që e mbështetën Reformën në Drejtësi, duhet të vijojnë që ta mbështesin”, u shpreh Soreca. /atsh

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat