82 raste të mbidozës janë regjistruar në Klinikën për Toksikologji

Shkupi

82 raste të mbidozës janë regjistruar në Klinikën për Toksikologji

Më: 31 gusht 2018 Në ora: 14:23
Foto ilustrim

Nga janari i vitit 2016 deri në qershor të këtij viti 82 raste të mbidozës janë regjistruar në Klinikën Universitare për Toksikologji prej të cilave 11 ishin gra, ndërsa një adoleshent. Nga rastet, 36 janë rezultat i mbidozës me heroinë, ndërsa 46 me metadon.

Kjo citohet në kumtesën e përbashkët të Shoqatës HOPS – Opsionet për jetë të shëndetshme, Klinikës për Toksikologji dhe Shoqatës së toksikologëve të Maqedonisë me rastin e Ditës ndërkombëtare për ndërgjegjësimin kundër mbidozës me droga. Në njoftim thuhet se numri real i rasteve të mbidozës me siguri është shumë më i madh.

“Shërbimet e Ndihmës së Shpejtë, shërbimet mjekësore kujdestare dhe Qendrat urgjente edhe gjatë dyshimit më të vogël të mbidozës me ekstaza duhet ta përdorin preparatin “Nallokson”, i cili duhet të bëhet i arritshëm në bashkësitë të cilat përdorin droga ekstaza”, thuhet në njoftim.

Ata më tej shtojnë se kompanitë farmaceutike të cilat e prodhojnë dhe përfaqësuesit e tyre ligjor duhet ta regjistrojnë ilaçin, ndërsa Ministria e Shëndetësisë të lejojë qarkullim të lirë të të njëjtit pa recetë, me çka ai do të mund të blihet në barnatoret.

Përndryshe, çdo vit rreth 20.000 njerëz në botë janë viktima të mbidozës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat