Shilegov: Banorët e Shkupit kanë ujë për pije edhe për 50 vite

Shkupi

Shilegov: Banorët e Shkupit kanë ujë për pije edhe për 50 vite

Më: 19 mars 2018 Në ora: 16:16
Petre Shilegov

Në organizim të Ndërmarrjes Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”- Shkup, në bashkëpunim me qytetin e Shkupit dhe komunat e kryeqendrës, në shkollën fillore “11 tetori” filluan aktivitetet për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Ujit, që shënohet më 22 mars.

Organizimi kishte për qëllim ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e ujit dhe shfrytëzimin racional tek të rinjtë. Pjesë e këtij aktiviteti ishin punëtoritë kreative, projektet, argëtimi dhe dhuratat për fëmijët. Kryetari i Shkupit, Petre Shilegov, me këtë rast tha se imperativë e tij është që shkupjanët të kenë ujë në çdo kohë, duke mundësuar ujë të shëndetshëm për pije.

“Ne jemi të obliguar që performancat e qytetit t’i përgatisim që edhe pas 50 vitesh qytetarët e Shkupit të kenë ujë për pije. Këtë ua kemi borxh fëmijëve dhe gjeneratave që vijnë”, deklaroi kryetari i Shkupit, Petre Shilegov.

Qytetari i Shkupit ka ujë të pastër për pije, deklaroi drejtori i Ndërmarrjes së Ujësjellësit, Dushko Veskovski, i cili njëherit bëri të ditur se në dy muajt e ardhshëm qytetarët do të mund të shlyejnë borxhet ndaj kësaj kompanie pa kamatë.

“Dëshiroj të paralajmëroj aksionin si ndërmarrje publike se në dy muajt e ardhshëm qytetarët e Shkupit do të mund t’i shlyejnë borxhet e tyre me këste pa kamatë, duke filluar nga një prilli deri në maj”, u shpreh drejtori i NP “Ujësjellësi”, Dushko Veskovski.

Njëherit u theksua se nuk pritet ndryshim i tarifimit të ujit, respektivisht shkupjanët nuk do të paguajnë llogari më të larta për ujë.

Ndryshe, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së me rezolutën e 22 shkurt të vitit 1993 vendosi që 22 marsi çdo vit të shënohet si Dita Botërore e Ujit, që në tërë botën të tërhiqet vëmendja mbi problemet që lidhen me ujin dhe pasuritë ujore në mbarë botën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat