Hasanbeg: Banorët apelojnë për rindërtimin e shtëpive

Shkupi

Hasanbeg: Banorët apelojnë për rindërtimin e shtëpive

Më: 28 gusht 2016 Në ora: 18:16
Hasanbeg

Me fuqinë vetanake dhe ndihmën e njerëzve human, familja Muharemi nga Hasanbegu i vërshuar po mundohet sadopak të sanojë dëmet. I takuam ata vetë duke rikthyer çatinë pasi ndihmat e shtetit akoma s’kanë mbërritur në duart e kësaj familje 12 anëtarëshe.

Abdylaziz Muharemi rrëfen se në mungesë të financave gjendja e tyre do të vazhdoj të mbetet e njëjtë edhe për shumë muaj, ndërkaq familja është e shpërndarë tek të afërmit. Ai sa herë shikon hapësirat e përmbytura rikujton nënën 78 vjeçare që ia mori uji për mos t’a kthyer më. Thotë se nuk din nga t’ia mbajë pasiqë kafshët që kishte u përmbytën ndërkaq u shkatërua edhe toka me të mbjellat.      

“Nënën ma mori uji, as s’kam mundur as njerëzit ti pres pasiqë jemi habitur që të drejtojmë diçka, ti sjellim familjet por për momentin nuk kemi ku i çojmë. Pare s’kemi nga askund, dy tre vetë që na kanë ndihmuar nga pak dhe kanë bërë merhamet, nga të tjerët nuk ka para që na kanë lëshuar. Asnjë denar nuk na ka lëshuar shteti. Komisioni ka pa situatën, thanë që do t’u lëshojmë, por tre javë kaluan askush asgjë nuk ka sjellë. Bahçe kam pas, bahçen e ka rënuar uji, e ka marrë krejt, tre vetura i kemi pas, tani skemi asgjë. Tani veç po presim kush do të na sjellë ndonjë denar.” – deklaroi Abdylaziz Muharemi, banorë i Hasanbegut.                                                                    

Nuk jetohet as në shtëpinë e Isni Murtezanit. Në gjithë tragjedinë që krijoi uji, ai i gëzohet faktit që ka shpëtuar familjen pesë anëtarëshe tanimë e strehuar nëpër familjarë. Dëshira për një të ardhme më të mirë vazhdon të mbetet gjallë.

“Momentalisht në këtë shtëpi nuk jetohet, e dyta falënderoj zotin që kam shpëtuar familjen, kjo është kënaqësia më e madhe se ka keq e më keq. Ka fshatarë që ju ka vdekur baba, fëmiu. Financiarisht shumë mirë nuk qëndrojë që ta ndreqë shtëpinë menjëherë por shpresat i kam të forta, nëse nuk e bëj sivjet , në mot ngadal e bëjmë, ndoshta ndonjë ndihmë vjen nga shoqëria apo dashamirët. Krejt bëhet ngadalë por duhet të kemi durim.”  - u shpreh  Isni Murtezani, banorë i Hasanbegut.                            

Por këtyre ditëve në Hasanbeg nuk kanë munguar edhe ndihmat e bëmirësve dhe shoqatave humanitare. Shoqata “NUN” ka shpërndarë 1 mijë pako me ushqim dhe mjete higjienike.                                                                                                               

“Duhet shumë ndihma. Ne kemi vendos që këtë brengë t’ua largojmë që ata mos të mendojnë për të ngrënë dhe për higjienë. Më vonë ndoshta do të kemi ndonjë projekt për shpërndarjen e frigoriferëve dhe tepihëve.” – tha Kemal Shkrela, nga Shoqata Humanitare “NUN”.

Aktivitete vazhdojnë edhe nesër. Ndërkohë që banorët e Hasanbegut vazhdojnë tu bëjnë thirrje edhe institucioneve që t’u lëshojnë sa më pare paratë e premtuara për të riparuar shtëpitë që të mund të vazhdojnë jetën normale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat