Përmbytjet në Shkodër, vijojnë të mbeten nën ujë 2400 hektarë

Shkodra

Përmbytjet në Shkodër, vijojnë të mbeten nën ujë 2400 hektarë

Më: 17 mars 2018 Në ora: 17:25
Arkiv

Zona e Nënshkodrës vazhdon të jetë e mbuluar nga uji.Prej ditësh forcat e ushtrisë qëndrojnë në gadishmëri për të përballuar çdo emergjencë të mundshme edhe pse fatmirësisht ka pasur vetëm një rast të tillë.Me dhjetëra shtëpi ndërkohë janë të rrethuara nga uji.

Situata ndryshon me orë, megjithëse prej 3 ditësh sipërfaqja nën ujë është po ajo, 2400 hektarë.

Në zonat e përmbytura të Nënshkodrës nuk mund të flasësh për një jetë të qetë, pasi frika bashkëjeton me këto familje. Uji u ka shkuar deri në pragun e shtëpisë, e rrezikon të hyjë brenda tyre.

Në Obot ushtria ka mundur të hyjë paradrekën e së shtunës me mjete të larta, por niveli i ujit në rrugë shkon afro 1 metër. Varkat mund të rikthehen në përdorim për transportimin e banorëve dhe ushqimeve.

Komandant i Batalionit Vau Dejes, Ali Mali, thotë se të paktën edhe për 48 orët e ardhshme ushtria do të vijojë të qëndrojë me shërbim 24 orësh në këtë zonë, për t’iu ardhur në ndihmë banorëve.

Ali Mali: Parashikohet një rritje e nivelit të ujit në krahasim me ditën e djeshme, deri në këto momente kemi lëvizur vetëm me moto-varka. Ndërsa në këtë moment sapo bëmë rrugën e parë dhe me mjetet e kalueshmërisë së lartë.

Fatmirësisht në Obot gjatë gjithë këtyre ditëve ka patur vetëm një emergjencë shendetësore, ndërsa pjesa më e madhe e lëvizjeve kryhet për transport banorësh dhe baze ushqimore.

Por Mali evidenton bashkëpunimin e mirë të komunitetit në përballimin e emergjencës.

Ali Mali: Veç transportit të banorëve të nxënësve të shkollës, njerëzve të sëmurë, banorëve të ndryshëm që lëvizin për punë dhe duhet të qarkullojnë nga fshati  Obot për në Oblikë dhe Shkodër. Kemi transportuar dhe bazë ushqimore për blegtorinë.

Në Dajç sipërfaqja e përmbytur është me e vogël, por 30 shtëpi në Shirq dhe Mushan janë të rrethuara nga uji. Banorët kanë shqetësim kryesor dëmshpërblimin dhe bazen ushqimore për gjënë e gjallë.

Shkarkimet nga hidrocentrali i Vau Dejesit vijojnë dhe sot niveli i tyre ka rënë në 600 metër/kub për sekond. Rritje e nivelit të ujit vërehet në liqenin e Shkodres dhe lumin Buna.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat