Ekspertët: Plasja e zemrës ekziston, sidomos te femrat

Shëndetësia

Ekspertët: Plasja e zemrës ekziston, sidomos te femrat

Më: 20 mars 2018 Në ora: 17:59
Foto Ilustrim

Plasja e zemrës nga një braktisje sentimentale, nga vdekja e një njeriu të dashur ose nga një zhgënjim i fortë nuk është vetëm një thënie popullore, por një e vërtetë shkencore. Kardiologët amerikanë të spitalit Johns Hopkins University School of Medicine në Baltimorë, kanë vërtetuar se “sindroma e zemrës së thyer” ekziston me të vërtetë: gjithçka varet nga lëshimi masiv në trup i hormonit të stresit, adrenalinës, që shkakton infarktin te njerëzit që vuajnë nga spazma kardiake. 

Ngjarjet e papritura janë të rrezikshme

Arsyet mund të jenë të shumta, si humbja e një njeriu të dashur, vdekja e një fëmije ose e partnerit, ose një stres veçanërisht intensiv, si ai që mund të provohet gjatë një rrëmbimi, një aksidenti rrugor, një ngjarjeje katastrofike, por edhe kur merren papritur lajme shumë të këqija, madje edhe të bukura, që zemra nuk i mban dot.
Shprehje të tilla si: “E kam zemrën të thyer”, “Do të më plasë zemra”, “Po vdes nga marazi” nuk janë vetëm një mënyrë të thënuri, por kanë edhe një bazë shkencore. Shkencëtarët arritën në këtë përfundim pas shumë vitesh kërkimesh, duke ekzaminuar me vëmendje të madhe kartelat klinike të pacientëve të ardhur në spital.
Studimet kanë vënë përballë njëra-tjetrës simptomat dhe dëmet kardiake të atyre që kishin provuar një dhembje të fortë emotive me ata që u kishte rënë një infarkt pa kaluar më parë një stres. Doktorët i ka habitur grupi i parë i pacientëve, i cili u është nënshtruar analizave klasike. Ai nuk manifestonte faktorët klasikë të rrezikshëm kardiopatikë, si arterie të bllokuara, qarkullim gjaku të dëmtuar, presioni i gjakut i ngritur. Ata kishin qenë gjithmonë me shëndet të mirë: e vetmja e dhënë jashtë normës në çastin e shtrimit ishin nivelet e adrenalinës në gjak, 34 herë më lart se normalja dhe 3 herë më shumë sesa kanë zakonisht pacientët që u bie infarkt. Kardiologët amerikanë kanë kuptuar që janë pikërisht sasitë e tepruara të këtij hormoni të stresit që përbëjnë një rrezik të madh për zemrën.

Sipas mjekëve mund të parandalohet

Shkaktojnë simptoma kardiake që, nëse nuk diagnostikohen në kohën e duhur, mund të çojnë në vdekjen e personit. Ende nuk është e qartë se si vepron ky hormon i stresit. Por është e sigurt që adrenalina mund të shkaktojë spazma koronare, të ketë një efekt toksik te muskuli kardiak dhe ta bëjë atë të mos funksionojë. Studimi mbi “sindromën e zemrës së thyer” nënvizon që më të prekura janë femrat. Studiuesit na sigurojnë që në shumë raste këtyre pacientëve mund t’ua shmangësh vdekjen duke iu nënshtruar një parandalimi psikologjik që t’i ndihmojë ata të përballojnë streset emotive në mënyrën më normale, por edhe duke ndërhyrë me ilaçe për të ulur nivelin e adrenalinës së pranishme në gjak.

Zemra e merr veten brenda pak ditëve

Nëse kjo ndodh në kohën e duhur, muskuli i zemrës nuk rezulton i dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme. Pompa kardiake fillon të funksionojë brenda pak ditësh dhe pacienti stabilizohet brenda disa javëve. Ndërsa në rastin e një infarkti të shkaktuar nga shkaqe patologjike duhen disa javë për ta marrë veten plotësisht. Ky studim do t’i bëjë mjekët e urgjencës të kenë parasysh pacientët e shtruar me dhembje në gjoks dhe të interesohen për atë gjë që mund t’ua ketë shkaktuar, pa pritur që të jetë shumë vonë dhe infarkti të ndodhë me të vërtetë. Pra, tani mjekët duhet të tregohen më të kujdesshëm për të studiuar shkakun që ka shkaktuar sëmundjen e zemrës. Pyetja klasike: “A ka faktorë të rrezikshëm në jetën tuaj?” tani mund të ketë një përgjigje: “Doktor, vuaj nga dashuria”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat