A e keni ditur që plagët shumë më shpejt shërohen nëse lëndoheni ditën, jo natën?

Shëndetësia

A e keni ditur që plagët shumë më shpejt shërohen nëse lëndoheni ditën, jo natën?

Më: 12 nëntor 2017 Në ora: 18:54
Ilustrim

Nëse priteni apo digjeni gjatë ditës, plagët tuaja do të shërohen 60 për qind më shpejt se sa kur e njëjta fatkeqësi ju ndodh gjatë natës, kanë treguar rezultatet e studimit të publikuar të mërkurën, të cilat tregojnë rëndësinë e orës biologjike në procesin e shërimit.

Zbulimi do të mund të përdoret dhe të aplikohet në ndërhyrjet kirurgjikale dhe do të mundësojnë zbulimin e mënyrave të reja të shërimit, të cilat do të përshpejtojnë shërimin, thonë shkencëtarët e Laboratorit të Biologjisë Molekulare në Cambridge, të cilët rezultatet e hulumtimit i kanë publikuar në revistën profesionale amerikane Science Translational Medicine.

Ora e brendshme biologjike apo ritmi cirkadik bën një sërë ritmesh biologjike brenda periudhës së caktuar të definuar si kohë e nevojshme që të përfundojë një cikël prej 24 orësh, sa i nevojitet tokës të rrotullohet rreth boshtit të vet dhe njerëzve u mundëson përshtatjen në pjesë të ndryshme të ditës dhe natës.

Ritmi biologjik është dukuri endogjene, gjë që do të thotë se fillon nga brenda dhe është i vetëmbajtshëm në mënyrë që ta mbajë organizmin e individit në gjendje të njëjtë gjatë kushteve të ndryshueshme në ambient, për shembull gjatë dritës apo errësirës.

Ai mundëson edhe balancimin e nevojës për gjumë dhe ushqim dhe përshtatje të qarkullimit të gjakut dhe temperaturës së trupit.

Testimet janë bërë në laborator në qelizat e lëkurës njerëzore, fibroblaste dhe keratinocite (qelizat më të shumta të epidermës dhe folikulave të qimeve, që kanë rolin e sintezës së keratinës e cila zhvillohet në shtresën brirët apo në “trupin” e qimes), janë treguar që gjatë ciklit diurnal (ditor) të orës biologjike, plagët janë shëruar pothuajse dy herë më shpejt.

Rezultati i studimit ka qenë i njëjtë edhe në rastin e djegieve dhe shërimit të tyre. Hulumtimi i bërë në 118 pacientë me djegie ka treguar që, nëse janë shkaktuar gjatë natës, më saktësisht midis orës 20:00 dhe 08:00, është nevojitur 60 për qind më shumë kohë që të shërohen.

Pas mesatarisht 28 ditësh plagët e tilla janë shëruar në 95 për qind të rasteve, në krahasim me vetëm 17 ditë nëse djegiet kanë ndodhur midis orës 08:00 dhe 20:00, kanë thënë shkencëtarët.

Shkaku kryesor i shërimit më të shpejtë është zhvendosja më e shpejtë e qelizave të lëkurës në drejtim të vendit të lënduar gjatë ditës. Në qeliza më shpejt prodhohen proteinat, të cilat kanë rol kyç në shërimin e plagëve.

Duhet përmendur edhe që plaga “përmirësohet” me inde lidhore. Për t’u shëruar, trupi prodhon sasi të mëdha kolagjeni i cili ripërtërin indin e shqyer apo të dëmtuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat