Ushqimet që shkaktojnë më shpesh alergji

Shëndetësia

Ushqimet që shkaktojnë më shpesh alergji

Më: 25 mars 2017 Në ora: 13:45
Ilustrim

Alergjia ushqimore shfaqet më shpesh në fëmijërinë e hershme, por mund të prekë çdo moshë.

Në këtë rast, simptomat dallojnë nga ato më të lehtat e deri te situatat që kërcënojnë jetën.

Cilat janë ushqimet që shkaktojnë më shpesh alergji? Njihen mbi 170 lloj ushqimesh që shkaktojnë alergji, por 8 janë ato që hasen më shpesh: qumështi, veza, kikirikët, frutat arrore (si arra, lajthia, bajamja), soja, mielli, peshku dhe frutat e detit. Cilat janë simptomat e një reaksioni alergjik ushqimor? 

Reaksionet alergjike japin simptoma të ndryshme, madje edhe i njëjti person mund të përjetojë simptoma të ndryshme në reaksione të ndryshme. Shumica e reaksioneve shfaqin simptoma në lëkurë, si: skuqje, ënjtje apo urtikarie, por nuk ndodh gjithmonë kështu. Gjatë një reaksioni alergjik mund të preken edhe sistemi tretës, ai kardiovaskular dhe rrugët e frymëmarrjes. 

Simptomat më serioze janë rënia e tensionit apo vështirësia në frymëmarrje, të cilat mund të rrezikojnë jetën. Në fëmijëri, shpesh, alergjia ushqimore shfaqet në formën e dermatitit atopik apo ekzemës. Sa kohë pas ushqyerjes mund të fillojnë simptomat? Një reaksion alergjik zakonisht fillon disa minuta deri në 2 orë pas konsumimit të një ushqimi. Në disa raste, simptomat mund të shfaqen pas disa orësh dhe këto quhen reaksione të vonuara. Këto reagime janë tipike te fëmijët që shfaqin dermatit atopic të lidhur me ushqimin apo disa forma alergjie ushqimore më të rralla, që shfaqin simptoma në sistemin tretës. 

Në rastin e intolerancës ushqimore, simptomat lidhen kryesisht me sistemin tretës, ato shfaqen disa orë pas konsumimit të ushqimit dhe zgjasin për një kohë të gjatë. A lidhet sasia e proteinave ushqimore të konsumuara me shfaqjen e një reaksioni? Disa njerëz që vuajnë nga alergjia ushqimore, përjetojnë reaksione alergjike edhe nga ushqimet që përmbajnë gjurmë të proteinave prej të cilave ata kanë alergji. 

Reaksionet alergjike nuk shkaktohen vetëm nga konsumimi i ushqimit, por ndonjëherë, edhe kontakti me lëkurën apo avujt gjatë gatimit mund të nxisin këto simptoma. Nga ana tjetër, në rastin e intolerancës ushqimore, shpesh mund të konsumohen sasi të vogla ushqimi pa shfaqur asnjë lloj simptome. 

Konsultohuni me mjekun alergolog për një diagnostikim të saktë të alergjisë ushqimore, si dhe për të përcaktuar një plan për menaxhimin e saj dhe të situatave emergjente.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat