Sherifi i Nismës: Nxënësit kopjues, viktima të testimit të dështuar

Lajme

Sherifi i Nismës: Nxënësit kopjues, viktima të testimit të dështuar

Më: 19 qershor 2016 Në ora: 14:20
Bilall Sherifi


Sekretari i Nismës për Kosovës, Bilall Sherifi, ka reaguar për mbajtjen e testit kombëtar të arritshmërisë dje në Kosovë.

Gjatë mbajtjes së këtij testi, në një shkollë të Gjilanit një nxënëse u përjashtua për shkak se siç u raportua, ajo u zu duke kopjuar.

Sherifi po konsideron se nxënësit që kanë kopjuar në fakt janë viktima të një testimit të dështuar nga Ministria e Arsimit, e cila është mashtruesja e vetme në këtë proces.

Shkrimi i plotë i Sherifit:

Dje në një shkollë të Gjilanit mbikëqyrësit e Ministrisë së Arsimit të Kosovës gjatë mbajtjes së pjesës së dytë të testit të maturës e “kapën” një vajzë duke kopjuar! Dhe, kur e “kapën” nuk nguruan ta përjashtojnë menjëherë nga testi dhe ta nxjerrin nga objekti i shkollës.

Duke vepruar në atë mënyrë me të, ata e shndëruan vajzën në një shembull përmes të cilit donin të dëshmojnë se Ministria e Arsimit si organizatore është e aftë dhe e vendosur që të kapë dhe të ndëshkojë të gjithë “mashtruesit” të cilët po i hedhin hije të zezë këtij procesi, sipas tyre, të organizuar mirë dhe shumë të suksesshëm!

Duke u kujdesur që në publik të prezantojë “fakte” për kapjen e disa “kopjuesve” në të gjitha komunat e Kosovës, ministria përpiqet të mashtrojë publikun se gjoja sistemi funksionon, i cili është aq funksional saqë është në gjendje që edhe ata pak “nxënës mashtrues” në Kosovë ti kapë dhe ti ndëshkojë!

Çfarë tallje e pashembullt dhe e padurueshme me publikun në tërësi!!!

Njoftimet e djeshme të mediave nga tereni thonë se kopjimi nuk ishte sporadik por i përhapur në masë bukur të madhe. Kur lexon këto njoftime del se i tërë procesi është një dështim i rradhës i sistemit të arsimit në tërësi dhe një mashtrim i madh i Ministrisë së Arsimit në veçanti, të cilin në vend se ajo ta pranojë si të tillë, po përpiqet ta fsheh duke iu bërë linçim publik atyre që i ka kapur duke kopjuar, të cilët për mendimin tim, jo vetëm që nuk janë mashtrues por janë viktima të sistemit të ngritur nga mashtruesit e qeverisë, përkatësisht Ministrisë së Arsimit.

Madje, jo vetëm nga kjo e tashmja por nga të gjitha Ministritë e Arsimit të të gjitha qeverive të deritashme të Kosovës.

Mirëpo, jam shumë i bindur se, duke i kapur disa “mashtrues” të vegjël nëpër shkollat e vendit, Ministria e Arsimit nuk do të mund ta fsheh mashtrimin e Madh që po mundohet t’ia bëjë tërë shoqërisë, me pretendimet se gjoja ky sistem i testimeve e bën vlerësimin objektiv të njohurive të nxënësve.

Konsideroj se është koha e fundit që të fillojmë të angazhohemi për ta shëruar sistemin e ngritur nga ministria që infekton nxënësit dhe tërë procesin e edukimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat