Hotel Victory: Selmani është investitor i huaj, i jemi drejtuar Arbitrazhit Ndërkombëtar

Kosova

Hotel Victory: Selmani është investitor i huaj, i jemi drejtuar Arbitrazhit Ndërkombëtar

Më: 7 qershor 2016 Në ora: 13:27
Hotel Victory

Javën e kaluar, Agjencioni Kosovar i Privatizimit me asistim të autoriteteve policore kanë liruar ambientet e Hotel Victory, që menaxhohej nga Bedri Selmani, ish-deputet i PDK-së. Hotel Victory ka reaguar ndaj këtij veprimi, që e quan të dhunshëm, të AKP-së. Ata thonë se Bedri Selmani është investitor i huaj dhe se i janë drejtuar Arbitrazhit Ndërkombëtar

“Investitori Prof. dr. Bedri Selmani reagon ndaj hyrjes së dhunshme dhe të paligjshme në objektin dhe hapësirat e Hotelit Victory nga Agjenconi Kosovar i Privatizimit (AKP), veprim ky që është zbatuar pa u bazuar në asnjë vendim gjyqësor të formës se prerë dhe pa urdhër te Prokurorisë së Shtetit dhe pa asnjë vendim të hetuesisë për konfiskim të pronës të bazuar në Ligjet e Kosovës”, thuhet në ragimin e HV.

Me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik, vazhdon më tej Hotel Victory, “e ritheksojmë që investimet e bëra nga investitori i ardhur nga emigracioni Prof. dr. Bedri Selmani janë bërë mbi bazën e kontratës së lidhur në mes të NSH ‘Auto Prishtina’ në njërën anë dhe Prof.dr Bedri Selmanit në anën tjetër me datën 05.04.2000, në të cilën shprehimisht janë paraparë kushtet kontraktuale’,
Ata kanë theksuar një pikë të kontratës:
“Investitori Bedri Selmani si dhe ndërmarrja “Auto Prishtina” bashkohen me qëllim të afarizmit të përbashkët, në raportin ku investitori ofron mjetet financiare dhe menaxhimin, kurse ndërmarrja punën dhe objektin”, duke shtuar se në pikën gjashtë të kësaj kontrate theksohet: “Çështja e pronësisë mbetet e pandryshuar nga gjendja e tanishme, deri në aprovimin e ligjit mbi privatizimin nga institucioni përkatës. Të drejtat e investitorit janë të patjetërsueshme duke njohur të drejtën mbi mbrojtjen e investimeve dhe ndikimin e tij në tërë afarizmin e ndërmarrjes”.

Sipas këtij reagimi thuhet se sipas vlerësimit të një kompanie ndërkombëtare të auditivit, investimet e Selmanit kapin vlerën 3 milionë e 500 mijë euro.

“Bazuar në kontratën e nënshkruar, sipas vlerësimit të kompanisë ndërkombëtare të auditimit “Deloitte” investimet e Prof. dr. Bedri Selmanit për rindërtimin dhe aftësimin për afarizëm të objekteve të shkatërruara dhe për ndërtimin e hapësirave të reja afariste prej vitit 2000 e deri më tani ka bërë investime që kapin vlerën mbi 3 milion e 500 mije euro. Vlen të theksohet se auditimi në fjalë nuk e përfshin vlerën e tregut e cila është shumë herë më e madhe se sa investimet direkte”, shtohet nga HV.

Bedri Selmani ka shtetësi të huaj dhe Hotel Victory bazohet në ligjin për Investime të huaja, duke e dërguar këtë çështje në Arbitrazhin Ndërkombëtar. Ata dje i janë drejtuar Zyrës Ligjore në Paris, duke kërkuar që t’i bashkangjitët rastit të “Kosova Petrolit” në Arbitrazhin Ndërkombëtar në Uashington.

“Për arsye se investitori e ka shtetësinë e huaj, në bazë të Ligjit nr.04/L-220 për Investime të Huaja, të gjitha investimet e bëra në asetet në fjalë janë të mbrojtura me këtë ligj dhe janë lëndë për shqyrtim në Arbitrazhin Ndërkombëtare . Prandaj, subjekti juridik Hotel Victory qysh dje iu është drejtuar Zyrës Ligjore në Paris dhe ka kërkuar që edhe rasti i Hotel Victory t’i bashkëngjitet inicimit të padisë së Kosova Petrolit në Arbitrazhën Ndërkombëtare në Washington DC që është në interes jo vetëm të investitorit, por edhe në interes të sundimit të ligjit dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të Kosovës”, përfundon reagimi i Hotel Victory.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat