Djersa, zgjidhja për të shëruar trupin

Shëndetësia

Djersa, zgjidhja për të shëruar trupin

Më: 27 nëntor 2015 Në ora: 11:25

Djersa. Edhe përmendja e emrit tingëllon e pakëndshme. Ne kemi 2.6 milionë gjendra djerse në trup dhe për shumicën prej nesh, shqetësimi më i madh është të parandalojmë një numër të këtyre gjendrave të mos punojnë normalisht, duke na njollosur rrobat ose duke u bërë të papëlqyeshëm për njerëzit rrotull. Si rrjedhojë, e konsiderojmë djersën diçka të sikletshme dhe harxhojmë jo pak para duke blerë antidjersa apo deodorantë. Por studimet mjekësore po tregojnë tashmë se djersa e trupit është tepër e rëndësishme për shëndetin tonë. Pa të, për shembull, trupat tanë do të mbanin brenda helmet dhe lëkura jonë do të ishte e paaftë për të kuruar plagët, një mënyrë unike për njerëzit. Dihet prej një kohe të gjatë se djersitja është jetësore për të rregulluar temperaturën e trupit dhe se pasojat e dështimit të një gjëje të tillë do të ishin fatale për ne. Siç shpjegon George Havenith, profesor i psikologjisë ambientale në Britaninë e Madhe, e vetmja mënyrë që trupi të freskohet, është përmes djersës që e largon nxehtësinë, duke e avulluar atë. “Nëse nuk djersini, mund të tejnxeheni brenda gjysmë ore kur ushtroheni. Nëse temperatura e trupit tuaj shkon mbi 40, ju do të vuani lodhje nga nxehtësia, madje edhe goditje që mund të jenë fatale”, thotë ai.

Në fakt, ka një gjendje të quajtur anhidrozë, në të cilën trupi nuk djersin normalisht dhe i vë njerëzit në një rrezik të lartë për goditje nga nxehtësia, që mund të shkaktojnë dëme vdekjeprurëse në tru dhe organet e brendshme, sepse trupat nuk mund ta përdorin djersën për të larguar nxehtësinë nga lëkura. Kjo fatmirësisht është një gjendje e rrallë, lidhet me dëmtimin e gjendrave të djersës nga një plagë ose (gjithashtu e rrallë) nga gjendja autoimunitare. Por gjithsesi kjo tregon rëndësinë e djersës në shëndetin tonë. Rreziqet e mundshme të përpjekjes për të ulur djersitjen tregohen në një studim të fundit nga kërkues kanadezë.

Secili prej nesh ka një nivel të helmeve që mblidhen në trupat e tyre, falë faktit që arseniku, kadmiumi, plumbi, mërkuri janë të zakonshme në ambientin tonë dhe gjithashtu në ushqime. Ne konsumojmë midhje, grurë apo edhe perime si brokoli, lakër, lulelakër, të cilat i thithin këto metale nga toka dhe sidomos nga duhani, që thith kadmium dhe hekur, sipas një studimi të botuar së fundmi. Të katër metalet konsiderohen kancerogjene, si dhe janë të dëmshme për sistemin tonë nervor, zemrën, trurin dhe veshkat.

Ushtrime ose sauna për të larguar helmet

Por ne mund t’i djersijmë helmet, nëse ushtrohemi shumë dhe nxehemi tepër. Studimet tregojnë se mund të nxjerrim arsenikun, kadmiumin dhe mërkurin në “sasi të mëdha”. Ky efekt mund të shtohet në rastin e saunave, thonë kërkuesit. Më shumë kërkime nevojiten në këtë fushë, por studiuesit kanadezë sugjerojnë se djersitja është thelbësore për pastrimin e trupit nga këto toksina. Raporti përfundon: “Evidencat që kemi sugjerojnë se mjekët mund të rekomandojnë djersitjen përmes ushtrimeve ose saunave si një trajtim me pak rrezik dhe shumë i shëndetshëm për ata individë që po përjetojnë efektet e elementeve helmuese (si dëmet nervore apo dëmtime të kujtesës)”. Përdorimi i antidjersës mund ta dëmtojë këtë proces natyral. Shumë produkte veprojnë, duke u shkrirë me djersën dhe duke krijuar një lloj mbulese me xhel sipër gjendrave të djersës. Kështu duke përdorur antidjersat në lëkurën tonë, në fakt ne po e pengojmë trupin të nxjerrë jashtë metalet e rënda. Duke u përpjekur të ndalojmë djersitjen, i shkaktojmë vetes edhe një dëm tjetër. Kërkuesit amerikanë besojnë se djersitja është një mënyrë për të ndihmuar shërimin e plagëve.

Lëkura jonë është e pasur me miliona gjendra ekrine, gjendra që nxjerrin djersën nga gjithë trupi dhe e ndihmojnë atë të freskohet. Gjendrat ekrine janë unike për njerëzit dhe sipas një studimi të Universitetit të Miçiganit, ato gjithashtu janë “një nga armët sekrete më të fuqishme të trupit për t’u shëruar”. Studimi i publikuar në vitin 2012 tregoi se këto gjendra luajnë rol kyç në sigurimin e qelizave staminale për shërimin e plagëve të mishit, si çjerrje, djegie dhe ulcera. Më parë mendohej se plagët e hapura shëroheshin për shkak se ushqeheshin me qeliza të reja të lëkurës nga gjendrat e qimeve dhe nga lëkura e padëmtuar në skajet e plagës. Por kërkimet e reja treguan se qelizat shfaqeshin nga poshtë plagës dhe se sistemi ynë i djersitjes ruan një rezervuar me qeliza staminale (burimore) të rritura që mund të shndërrohen në lëkurë të re brenda pak orësh. “Mund të duket e çuditshme që duhej kaq kohë për të zbuluar se gjendrat e djersës luajnë rol jetësor në shërimin e plagëve”, thotë udhëheqësja e kërkimit Laure Rittie, profesoreshë e dermatologjisë. “Por këto gjendra nuk janë studiuar, pasi ato janë unike njerëzore dhe mungojnë në lëkurën e kafshëve të laboratorit që përdoren për studimet e shërimit të plagëve”. Profesoresha Rittie shpreson që ky zbulim do të hapë rrugën për përdorimin e ilaçeve të reja që mund të stimulojnë gjendrat e djersës të prodhojnë më shumë qeliza staminale. Kjo do të ndihmojë në shërimin e problemeve serioze të lëkurës, si: djegie, plagë, ulcerat diabetike dhe dëmtime të tjera.

Antidjersa, pse mund të vijë erë më e keqe

Një tjetër studim i fundit sugjeron se përdorimi i antidjersës mund ta bëjë trupin tuaj të vijë erë edhe më e keqe. Kjo mund ta bëjë të lumtur aktoren Kameron Diaz, e cila në fillim të këtij viti tha se nuk ka përdorur asnjëherë antidjersë në këta 20 vjet. Për gazetarët ajo u shpreh: “Antidjersat janë të këqija. Mjafton heqja e qimeve që sqetullat të mos vijnë erë të keqe. Në fakt, njerëzit vijnë erë të keqe pasi përdorin antidjersë”. Diaz mund të ketë të drejtë. Sipas një studimi të kryer nga Universiteti Gent i Belgjikës dhe i botuar në korrik 2014, përdorimi i rregullt i antidjersës mund të të kthehet kundër. Shumica e djersës që ne nxjerrim, në fakt është pa erë. Përdorimi afatgjatë mund të çojë në shtimin e mikrobeve të këqija.

Por djersa e krijuar nga stresi, frika, ankthi dhe eksitimi prodhohen në gjendrat apokrine, të cilat gjenden poshtë krahëve, ijëve, buzës së sipërme dhe kokës. Ushtrimet gjithashtu stimulojnë gjendrat apokrine (ushtrimet rrisin nivelet e testosteronit, që stimulojnë gjendrat). Sekrecionet apokrine janë e vetmja djersë që veçanërisht vijnë erë. Kjo për shkak se ato përmbajnë proteina që prodhojnë erë. Era vjen ndërsa bakteriet që jetojnë në lëkurë i ndajnë këto proteina në molekula të vogla të acidit me erë të trupit. Një studim i vogël i Chris Callevaert sugjeron se antidjersat mund të ndryshojnë balancën e baktereve në sqetulla.

Ai shpjegon se sqetullat mbajnë dy lloj bakteresh: llojin e mirë, stafilokokë, që nuk kanë shumë erë. Por lloji i keq, korinebakteret, e transformojnë djersën tonë “në përbërës që kanë një erë të athët”. Studimi i tij i publikuar në “Arkivat e Kërkimeve Dermatologjike” sugjeron se antidjersat në fakt rrisin nivelin e baktereve me erë të keqe, të cilat “mund të çojnë në një erë sqetulle më të keqe dhe të pakëndshme”. Kështu, ai tha për gazetarët se “përdorimi afatgjatë i antidjersave mund të çojë në një erë të ndryshuar të keqe të sqetullës”. Sekrecionet nga gjendrat apokrine zhvillohen gjatë pubertetit dhe besohet se luajnë rol të rëndësishëm në dërgimin e mesazheve seksuale përmes aromave sinjalizuese të quajtura feromone, të cilat shkaktojnë eksitim dhe tërheqje tek njerëzit që e nuhasin. (Gratë arrijnë t’i perceptojnë më mirë këto aroma edhe nëse ato maskohen me parfum).

Djersa e shkaktuar nga stresi është një tjetër lloj “komunikimi”, që ngacmohet nga e njëjta adrenalinë që rrit përgjigjen tonë luftarake apo fluturuese dhe duket se është mënyra jonë për të transmetuar sinjale paralajmëruese tek të tjerët. Kimikatet që ndodhen në këtë djersë duket se e bëjnë frikën ngjitëse. Një studim i kryer nga dr. Liliana Muxhika-Parodi, profesoreshë në Universitetin e Nju-Jorkut, i publikuar në revistën “Plos One” në vitin 2009 zbuloi se aktiviteti i zonës amigdale të trurit, i cili proceson emocione të tilla si frika, ishte më aktiv tek njerëzit të rrethuar nga të tjerë që po çlironin djersë frike, sesa tek ata që lëshonin djersë ushtrimesh fizike. Kur ne prodhojmë djersë frike, duket se të tjerët rreth nesh janë më dyshues. Studime të kryera nga Johan Lundstrom, profesor i neuroshkencës klinike në Institutin e Karolinës në Stokholm, Suedi, tregoi se kur një person nuhat erën e stresit të një personi të panjohur, zonat e frikës në trurin e tyre aktivizohen.

Antidjersat mund të pengojnë disa nga proceset jetësore të sigurisë të trupit tonë dhe mundësisht të na bëjnë të vijmë erë më e keqe sesa nëse nuk i përdorim. Por duket se tek personat që punojnë në ambiente tepër të zëna me punë, antidjersat (spraj apo rollon) ende sjellin një erë të ëmbël suksesi.

Kur djersa tregon se jeni të sëmurë

Një djersitje e përgjithshme e trupit mund të jetë edhe shenjë paralajmëruese për një gjendje fizike jo të mirë, ku mund të përfshihen:

Diabeti: Një gjendje e lidhur me problemet e insulinës, hormoni që merret me rregullimin e sheqerit në gjak; diabeti mund të pirishë sistemin nervor simpatik, i cili i çon mesazhe gjendrave të djersës. Diabeti gjithashtu është i lidhur me obezitetin (mbipeshën) që në vetvete ndikon në shtimin e djersës.

Artriti reumatoid: Ky çrregullim autoimuntar që ndikon në kyçe, duke shkaktuar inflamacion, mund të çojë edhe në djersitje te disa pacientë. Kimikatet inflamatore veprojnë në hipotalamus, pjesën e trurit që kontrollon temperaturën.

Problemet e zemrës: Arteriet e bllokuara nënkuptojnë se zemra duhet të punojë më shumë që të çojë gjak në gjithë trupin, si rrjedhojë djersa shtohet në mënyrë që ta mbajë temperaturën e trupit në nivele normale.

Hipertiroizmi (apo tiroidet tepër aktive): kjo ndodh kur gjendrat e tiroideve në qafë prodhojnë më shumë seç duhet hormone të tiroides. Nivelet e larta mund ta përshpejtojnë metabolizmin, çka çon në djersitje të madhe, si dhe në humbje të pashpjegueshme të peshës, ankth dhe të qenët hiperaktiv.

Kanceri: Djersa e shumtë mund të jetë e lidhur edhe me kancerin, si me leucemin, kancerin e kockave, kancerin e mëlçisë dhe çdo lloj kanceri të përparuar. Një gjë e tillë vjen si pasojë e përpjekjeve të trupit për të luftuar kancerin, thotë Qendra Britanike e Studimeve për Kancerin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat