Trajtimi i sëmundjeve të kockave

Shëndetësia

Trajtimi i sëmundjeve të kockave

Më: 27 nëntor 2015 Në ora: 11:22

Osteoartriti (OA) është sëmundja më e shpeshtë e artikulacioneve (nyjeve) të kockave dhe një nga shkaqet më të shpeshta të uljes së aftësive fizike. Reumatologia Julia Kollçaku shpjegon se kjo sëmundje është e përhapur në të gjitha hapësirat gjeografike. Prek të dy sekset dhe të gjitha racat. Të gjithë njerëzit që jetojnë gjatë, provojnë shenjat e osteoartritit gjatë jetës së tyre. Megjithatë, vihen re diferenca në shpeshtësinë e sëmundjes ndërmjet grupeve të ndryshme etnike, ndërmjet sekseve, brenda të njëjtës racë dhe në artikulacione të ndryshme në persona të caktuar.

Doktoreshë, çfarë është sëmundja e osteoartritit?

Osteoartriti është sëmundje e sistemit kockor që karakterizohet nga dëmtimi i kërcit kockor. Ndodhin dy procese: inflamacion dhe degjenerim. Prandaj ka një përhapje shumë të gjerë si sëmundje. Është një sëmundje që ka një progresion të ngadalshëm dhe kap moshën mbi 50 vjeç. Kjo nuk do të thotë që nuk preken edhe moshat e reja.

Cilat janë llojet e osteoartritit?

Ka dy lloje osteoartritësh: Osteoartrit parësor, pa ndonjë shkak të mundshëm. Varet më tepër nga faktorët gjenetikë, si dhe osteoartrit sekondar, që shfaqet pas një traume, pas sëmundjeve të tjera, sëmundje inflamatore apo sëmundje të zhvillimit metabolik.

Cilat janë shenjat e para që tregojnë se jemi prekur nga osteoartriti?

Shenja e parë është dhimbja. Personi ka dhimbje në artikulacionin e prekur. Tjetër është kufizimi i lëvizjes. Pacientët nuk e kanë më atë shkathtësi apo atë zhdërvjelltësi që kanë pasur në lëvizjen artikulare. Ngurtësimi është shenjë e shpeshtë që ndihet praktikisht kur një person tenton të kryejë aktivitet fizik pas një periudhë pushimi. Të sëmurët referojnë se artikulacionet (nyjet) i kanë të bllokuara kur qëndrojnë ulur dhe iu duhet një farë kohe për t'i aktivizuar normalisht pasi çohen për të lëvizur. Enjtja dhe deformimi mund të shihen në sipërfaqen e artikulacioneve të gjunjëve ose të gishtave. Me përparimin e sëmundjes deformimet e gjunjëve shtohen, ndërsa gishtërinjtë bëhen me nyjë duke e bërë të vështirë kapjen e objekteve të mëdha. Humbja e funksionit është specifike për artikulacionet e dëmtuara. Për shembull, ulja e forcës së duarve në rastet me OA të gishtërinjve, problem për t'u veshur e zhveshur në dëmtimet e artikulacioneve të supit, vështirësi në ecje, pamundësi për të ecur gjatë, çalim, lodhje e shpejtë në rastet e dëmtimit të gjunjëve. Një shenjë tjetër janë edhe kërcitjet në artikulacion.

Cilët janë faktorët e riskut?

Faktori kryesor i osteoartritit është mosha. Përveç kësaj është edhe obeziteti (mbipesha). Personat mbipeshë kanë një presion më të madh mbi artikulacionin e gjurit, pra, kanë më shumë vështirësi në lëvizje. Ngarkesa fizike, një person që lodhet në punë fizike, pra ngre pesha të rënda është gjithashtu i prirur. Personat që e përdorin artikulacionin më shumë sesa duhet, personat që merret me sport etj. Osteartriti mund të ndodhë në një moshë të re veçanërisht tek sportistët të cilët dëmtohen nga rrëzimet e vazhdueshme. Ata janë më të prirur për artrit se njerëzit normal. Kemi balerinat të cilat artikulacionin e nyjës së këmbës e sforcojnë më shumë se njerëzit normal, kjo mund të favorizojë më pas shfaqjen e osteoartritit.

Trashëgimia

Ndikojnë edhe faktorët gjenetikë. Trashëgimia ka një rol predispozues për osteoartitin. Kështu ka persona që janë obezë për pasojë këta persona janë më të favorizuar për osteoartrit.

Format e parandalimit

Pacienti duhet të ruajë një peshë normale të trupit. Duhet të mbajë një qëndrim korrekt, sepse edhe deformimet që ndodhin gjatë qëndrimit jo korrekt çojnë në shtrëmbërim dhe shtojnë akoma më shumë dhimbjen. Nuk duhet të bëjë jetë sedentare. Këtyre pacientëve iu bën mirë lëvizja por jo mbilëvizja. Mbilëvizja dhe mbingarkesa e artikulacioneve bën dëm. Një orë në ditë bën mirë si për dobësim ashtu edhe për kockën. Sportet janë shumë të rëndësishme.

Profesionet që favorizojnë shfaqjen e osteroartritit

Profesionet që favorizojnë janë sportet e ndryshme, balerinat, njerëzit që qëndrojnë për një kohë të gjatë ulur sepse e theksuam rëndësinë e aktivitetit fizik. Pra ata profesione që janë të predispozuar për trauma dhe për përdorim të tepërt të artikulacioneve.

Komplikacionet nga osteoartriti

Komplikacionet mund të vijnë në një moment që personi ka dëmtim të artikulacionit. Dhimbja në fillim nuk është shumë e fortë , është një dhimbje e durueshme e cila qetësohet në qetësi dhe acarohet në aktivitet fizik. Dëmtimi i artikulacioneve mund të shkoj deri në gradën që kërkon ndërhyrje kirurgjikale. Çon në deformim të artikulacioneve, por nuk jep dëmtimet që jep artriti reumatoid.

Kurat e gabuara

Është e rëndësishme që të bëhet kontakti me mjekun kompetent për të vënë diagnozën, sepse pacientët shpesh shkojnë pikësëpari tek farmacisti. Një ekzamimim i thjeshtë që mund të bëjmë për osteoartritin është radiografia. Shikojmë strukturën artikulare dhe kockat çfarë dëmtimi kanë.

Vendosja e diagnozës

Diagnoza vendoset me një radiografi të thjeshtë por egzainimi më i mirë është ultrasoundi që tregon dëmtimet në një fazë më të hershme. Radiografia është më e thjeshtë dhe më pak e kushtueshme.

Format e trajtimit

Në radhë të parë bëhet edukimi i pacientit për të bërë një jetë të shëndetshme. Mënyra e ushqyerjes së pacientit që duhet të ushqehet cilësisht dhe të mos shtojë në peshë. Të ruhet nga traumat dhe mbingarkesa fizike.

Trajtimi medikamentoz

Përfshin analgjezikë dhe antiinflamatorë jo steroidë, por jo për periudha të gjata kohore, por vetëm kur sëmundja është në aktivitet. Kortikosteroidet me rrugë sistemike nuk rekomandohen, por janë të efektshme kur aplikohen intraartikulare. Procedurat kirurgjikale në përgjithësi aplikohen në të sëmurë me osteoartrit të formave të rënda.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat