10 Tetori - Dita Botërore e Shëndetit Mendor

Shëndetësia

10 Tetori - Dita Botërore e Shëndetit Mendor

Më: 10 tetor 2015 Në ora: 16:14


Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) në bashkëpunim me Qendrën për Integrim dhe Rehabilitimin e të Sëmuarve Kronik Psikiatrik (QIRSKP) në Shtime dhe Organizatën e Punëtorëve Social në Kosovë (SWOK), shënuan Ditën Botërore të Shëndetit Mendor.

Njerëzit me çrregullime mendore nëpër botë, e po ashtu edhe në vendin tonë, përjetojnë: stigmë; diskriminim dhe shkelje të të drejtave dhe të dinjitetit të tyre. Andaj, shënimi i kësaj dite ka për qëllim ndërgjegjësimin e publikut në lidhje me çështjet e shëndetit mendor si dhe në promovimin e shërbimeve të shëndetit mendor.

Nisur nga parimi i Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, se “Të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë në dinjitet dhe të drejta”, motoja për shënimin e kësaj dite është “Unë kam dinjitet”.

Me moton e aktivitetit “Unë kam dinjitet”, u bëhet thirrje të gjithë qytetarëve dhe autoriteteve përkatëse vendore për shtimin e vëmendjes në trajtimin e merituar dhe pranimin e këtyre njerëzve si pjesë e barabartë e shoqërisë sonë.

Me këtë rast u realizuan aktivitete të ndryshme me rezidentët e Qendrës për Integrimin dhe Rehabilitimin e të Sëmuarve Kronik Psikiatrik në Shtime, me ndihmën e vullnetarëve nga Organizata e Punëtorëve Social në Kosovë (SWOK), duke përfshirë: vizatime me rezidentë; lojëra të ndryshme me rezidentë (shah, pingpong, top etj); shfaqja e filmave të animuar; si dhe muzikë e drejtpërdrejtë për rezidentët.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin përfaqësues të institucioneve lokale dhe qendrore, organizatave vendore dhe ndërkombëtare, bizneseve, shoqërisë civile dhe familjarë të rezidentëve të QIRSKP-së.

Të gjithë pjesëmarrësit në këtë aktivitet, shprehën përkrahjen e tyre dhe të institucioneve më të larta vendore ndaj trajtimit të Personave me çrregullime mendore.

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, z.Gani Shabani, duke mbështetur personat me çrregullime mendore, e veçanërisht ata që janë nën përkujdesje institucionale shprehi gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen ndaj institucioneve të tilla, duke shtuar se "nëse ka ndonjë shërbim për të cilin Ministria e Shëndetësisë duhet të krenohet, ato janë shërbimet profesionale të shëndetit mendor".

Ndërsa, z.Curr Gjocaj, Drejtor i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), shtoi se "përkundër numrit të vogël të stafit, po ja dalim të ofrojmë shërbime të mira sepse këta persona janë pjesë e shoqërisë dhe duhet të gëzojnë të drejtat e tyre në shtetin e ri të Kosovës".

Feride Rushiti, Drejtoreshë Ekzekutive në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), përkujtoi se kjo festë korrespondon edhe me 16 vjetorin e themelimit të QKRMT-së, ku QKRMT në mënyrë të veçantë iu është përkushtuar trajtimit të personave me aftësi të kufizuara mendore. Sipas saj "këta njerëz janë pjesa më e ndjeshme e shoqërisë, që kanë problem t'i artikulojnë nevojat e tyre, madje edhe në shtëpitë e tyre. Kështu që zotimi i përfaqësuesve të institucioneve relevante për avancimin e shërbimeve të shëndetit mendor, është vendimi më i mirë për shtetin dhe shoqërinë tone".

Drejtori i QIRSKP-së, z.Miftar Zenelaj, falënderoi të gjithë pjesëmarrësit, institucionet, organizata dhe bizneset, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj rezidentëve të QIRSKP-së.

Pjesëmarrësit vlerësuan nevojën për të qenë më afër këtyre personave si pjesë e pandarë e shoqërisë dhe u zotuan për vazhdimin e përkrahjes institucionale.

Më pas pjesëmarrësit kanë vazhduar me një vizitë të përbashkët në ambientet e QIRSKP-së.

Në Ditën e Shëndetit Mendor, QKRMT ka ndarë nga një dhuratë simbolike për rezidentët e QIRSKP-së dhe organizoi një koktej rasti për ta.

QKRMT përmes kësaj komunikate gjen rastin që t’iu falënderohet të gjithëve për pjesëmarrjen në këtë aktivitet dhe po ashtu vlerëson lartë bashkëpunimin institucional të autoriteteve lokale dhe qendrore të Republikës së Kosovës.

Ky aktivitet është përkrahur nga Civil Rights Defenders.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat