Efektet e të ftohtit te të sëmurët me zemër

Shëndetësia

Efektet e të ftohtit te të sëmurët me zemër

Më: 2 shtator 2015 Në ora: 09:22

Të ftohtët i bën dëm zemrës. Kjo dihej, por një studim i kryer së fundmi në Kanada e përforcon akoma më tej këtë fakt. Sipas studiuesve të Universitetit të Manitoba-s, sa herë temperatura bie me 10 gradë, rreziku i një infarkti rritet me 7 për qind.

“Kemi studiuar efektet e temperaturës në rrezikun e infarkteve dhe kemi vënë re se ekziston një lidhje mes temperaturës ditore dhe infarkteve. Sa më të ulëta temperaturat, aq më i madh rreziku për atak në zemër”, thonë studiuesit, të cilët shtojnë se prania e borës nuk ka të njëjtin efekt.

Temperaturat e ulëta lidhen edhe me një rrezik tjetër që mund të kërcënojë shëndetin: atë të iktuseve ishemike tek personat me probleme të qarkullimit të gjakut.

Studimi i kryer me 290 mijë pacientë ka treguar se një ulje me 5 gradë e temperaturës mesatare ditore mund të shkaktojë ndryshime, për shkak të viskozitetit më të madh dhe koagulimit të gjakut.

Masat parandaluese mund të jenë terapitë e përshtatshme antikoagulante dhe shmangia e ekspozimit në të ftohtë.

Studimi është kryer në Universitetin e Manitoba, Winipeg. Kjo zonë e Kanadasë njihet si një nga më të ftohtat. Në vitin 1879, aty është regjistruar temperatura -47 gradë Celcius.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat