Harta e akneve në fytyrë, zbuloni shkaqet dhe zgjidhjet (Foto)

Shëndetësia

Harta e akneve në fytyrë, zbuloni shkaqet dhe zgjidhjet (Foto)

Më: 4 gusht 2015 Në ora: 17:45

Nëse vuani nga aknet, nuk duhet të fajësoni vetëm lëkurën e yndyrshme. Shumë specialistë besojnë se aknet në zona të caktuara të lëkurës mund të pasqyrojnë probleme të ndyshme të shëndetit. Një ekspert britanik zbulon disa “sekrete” lidhur me aknet dhe tregon mënyrat sesi mund të zgjidhet problemi. John Tsagaris, praktikant i mjekësisë kineze beson se aknet mund të rezultojnë nga një sërë faktorësh, si stresi, dieta ushqimore, dehidratimi dhe alergjitë, por edhe për shkak të aktivitetit hormonal.

“Në mjekësinë kineze, aknet interpretoheni si një efekt i disbalancës së sistemit që kontrollon shëndetin e lëkurës, që përbëhet nga mushëritë dhe veshkat”, shpjegon ai. Sipas modelit të tij, lëkura ndikohet nga ndryshimet në nivelin hormonal, që ndikojnë në prodhimin e yndyrës dhe pH të lëkurës, çka shton rritjen e baktereve dhe shpie në mbylljen e poreve. Praktikanti këmbëngul se lëkura nuk është problematike, por ajo pasqyron imbalancat e brendshme të trupit.

Balli

Kur aknet shfaqen në ballë, rekomandohet të shohim me kujdes dietën ushqimore. “Konsumimi i më pak ushqimeve të papërpunuara dhe reduktimi i sasisë së yndyrnave në dietë mund të ndihmojë, pasi këto ndikojnë negativisht në sistemin tretës”, këshillon eksperti, duke shtuar se dieta përmirësohet duke konsumuar një sasi të madhe uji dhe duke fjetur 9 orë të mira gjumë, çdo natë.

Faqet

Kur aknet mbulojnë faqet, besohet se shkaku kryesor është stresi dhe stili i varfër i jetesës. “Duhanpirja dhe/ose alergjitë e tjera mund të jetë një faktor, megjithatë duhet parë dieta dhe stili i jetesës në tërësi”, thotë eksperti. Zgjidhjet e mundshme? Perimet e gjelbra dhe bari i grurit. Mos harroni reduktimin e mishit dhe produkteve të bulmetit.

Goja dhe mjekra

Këto janë zona ku aknet shfaqen për shkak të problemeve hormonale dhe stresit. “Duhet ta lejoni trupin të funksionojë në mënyrën e duhur dhe jo ta trajtoni atë si një makinë dhe të mbani gjithmonë parasysh se gjumi i mirë, çlodhja, hidratimi dhe ndjekja e një diete të shëndetshme mund ta bëjë lëkurën të duket energjike dhe e shëndetshme”. Mungesa e hidratimit mund të çojë në imbalancë të veshkave dhe shpërthim të akneve në zonën e mjekrës.

Hunda

Kur aknet shfaqen në këtë zonë, kjo është një shenjë e dietës së varfër dhe mungesës së tretjes. Sipas ekspertit, janë toksina, hormonet e tepruara dhe radikalet e lira që shkaktojnë inflamacion dhe akne. Ai rekomandon konsumimin e: kungullit, kastravecit, shalqirit, karrotave, lakrës së bardhë dhe lakrës së gjelbër, aloe vera, orizit të kuq, thjerrëzave, luleradhiqeve, patateve, qershive, papajave, hurmave etj. Nga ana tjetër, duhen shmangur: sheqeri i tepruar, produktet e bulmetit, çokollata, kafeina, pijet e gazuara, arrat, farat, gocat e detit dhe ushqimet me yndyrna, të skuqura dhe të konservuara.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat