Rritet numri i të vdekurve nga mbidoza

Shëndetësia

Rritet numri i të vdekurve nga mbidoza

Më: 2 gusht 2015 Në ora: 16:31

Numri i përdoruesve të lëndëve narkotike edhe këtë vit mbete një problem në rritje. Kureshtja e të rinjve për të eksperimentuar dhe naiviteti i drogave të lehta morën jetën e rreth 6 deri 7 për qind nga 1200 përdorues problematik që janë të regjistruar në qendrën rehabilituese “Labyrinth”.

E në Klinikën Psikiatrike të Qendrës Klinike Universitare aktualisht janë 21 pacientë që po marrin Metadonin me dozat e tyre ditore, kurse në repartin e varësisë me qëllim të detoksimit janë të shtrirë dy pacientë.

Por numri i të arrestuarve për kontrabandim me narkotikë nga Policia e Kosovës gjatë periudhës kohore janar-korrik të këtij viti ka shënuar ulje në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Edhe përkundër daljes në treg me vetëm dy vitet e fundit të drogës së llojit GBH(Gama Hydroksybutyrate), ajo vazhdon të mbetet më e kërkuar, e ndjekur nga heroina. Përdorimin i drogës kanabis po paraqet rrezikun më të madh te grup moshat 14, 16 dhe 18, si dhe rastet ekstreme, te moshat 12 vjeçare, për shkak të qasjes së lehtë në droga, dhe çmimet e lira të këtyre drogave.

Për trajtim të përdoruesve të narkotikëve, Kosova nuk ka një qendër rehabilituese, ku mund të trajtohen këta persona, që deri më tani janë duke marrë vetëm trajtime ditore.

Drejtori i qendrës “Labyrinth”, Safet Blakaj, tha për KosovaPress se përqindja e të vdekurve nga mbidoza është goxha e lartë.

“Na kemi të regjistruar diku rreth 1200 e diçka deri më ditën e sotshme të përdoruesve problematikë të drogës. Kur po them përdorues problematik të drogës janë ata të cilët janë të varur shumë prej drogës, të cilët nuk mund të funksionojnë si shkak pasojë i përdorimit të drogës... fatkeqësisht diku më tepër se gjashtë, afërsisht shtatë për qind e tyre kanë vdekur si pasojë e përdorimit të drogës, e kjo është përqindje goxha e lartë”, tha Blakaj.

Blakaj thotë se problemi qëndron te qasja e lehtë në droga dhe se problem et ligjore janë të ulëta. Ai thekson se edhe një kimist e farmacist i shkathët mund të krijojë çfarë do lloj droge.

Drejtori i Qendrës Klinike Psikiatrike, Shaban Mecinaj, thotë se në këtë qendër, 21 pacientë vijnë të marrin Metadonin. Ai madje ka theksuar se të rinjtë janë ata të cilët më së shumti po atakohen me përdorimin e drogave të marihuanë, ekstazi e me GBH (Gama Hydroksybutyrate).

“Janë dy pacientë të shtrirë në repartin i cili numëron gjashtë shtretër dhe ofron ndihmë 24 orëshe do të thotë duke përfshirë edhe kujdestarinë e personelit të mesëm...Nëse flasim për këto drogat do të thotë grupit të kanaboiteve dhe këtyne psiko-stimuluese GBH, eksatzia e tjerë atëherë grup moshat janë të reja, fatkeqësisht duke filluar nga klasat e fundit shkollës fillore të them ashtu, të shkollave të mesme dhe gjen përdorues tek të dy gjinitë, dhe siç thamë këto quhen edhe droga të dhunës për shkak se zakonisht përdoren dhe keqpërdoren në mënyra të ndryshme, në mesin e të rinjve”, tha Mecinaj.

Se grup - moshat e reja janë ato të cilat po atakohen më se shumti nga lëndët narkotike e thotë edhe Safet Blakaj.

Ai tha se ky problem po vazhdon të mbetet te moshat 14, 16, 18 e në disa raste ekstreme edhe te ato 12 vjeçe.

“Droga e tipit kanabis dhe marihuanë është në rritje dhe përdoret shumë posaçërisht tek të rit, fatkeqësisht. Kur po them tek të rinjtë pra mosha mesatare e fillimit të përdorimit të tipit kanabis ka rënë dukshëm ndër vite, pra tashti mosha mesatare është diku rreth 16 vjeç . Ka raste ekstreme të hershme mirëpo ato i konsiderojmë si eks treme, çfarë është mosha 12. Sido që të jetë edhe mosha 14, 16 edhe 18 janë shumë të atakuar, të rrezikuara për problemet që i paraqet përdorimi i drogës kanabis”, tregoi Blakaj.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani tha se konfiskimi i të gjitha llojeve të trafikimit të substancave narkotike ka një rënie, në përjashtim të heroinës e cila ka një ngritje prej 7 kilogramë nga viti i kaluar. Sipas tij Kosova është ballafaquar me substanca narkotike të llojit marihuanë, ku ka pasur një destinacion nga Shqipëria drejt Kosovës, e që tani kjo po shënon rënie për vetë faktin e luftimit të kësaj dukurie nga shteti i Shqipërisë, e që ka kaluar transit nga Kosova për në vende tjera.

“Nëse iu referohemi personave të arrestuar mund të them që kanë qenë diku mbi 380 persona që janë arrestuar nga periudha janar- korrik të vitit 2014 dhe afërsisht rreth 200 persona që janë arrestuar këtë vit, pra edhe këtu vërehet që është një rënie e arrestimit të personave të dyshuar që janë marrë kryesisht me kontrabandimin me narkotik...Sasia e substancave të konfiskuara nga ana e policisë së Kosovës të gjitha llojeve të trafikimit të substancave narkotike ka një rënie me përjashtim ta themi që diku ka heroina ka një ngritje diku që janë konfiskuar diku rreth 8 kg 596 gram kemi një ngritje diku për 7 kg më tepër se sa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar sepse ka pasur një konfiskim më të vogël”, tha Kelani.

Drejtori i Qendrës Sociale, Vehbi Mujku, thotë se moskujdesi i prindërve duke lejuar fëmijët të dalin në orët e vona e ku po i ekspozohen rrezikut me lëndët narkotike, duke filluar edhe nga shërbimi i restoranteve edhe për moshat nën 18 vjeç.

“Numri nuk është shumë madh këtu tek ne. Kemi diku pesë, gjashtë raste ose brenda vitit të cilat janë të ndërlidhura. Mirëpo tu e pas parasysh se jemi institucion nuk kryejmë shërbime drejtpërdrejt atëherë edhe numri nuk është aq i madh. Kurse informatat i kem të gjithë, se numri është në rritje ...Kemi një moskujdes të mirëfilltë prindëror dhe fëmijët e moshave 16-17 vjeçare ende pa arrit moshën 18-të vjeçare gjinden deri në orët e vona në mbrëmje, gjinden në lokale, në ambiente të hapura, dhe fatkeqësisht shumica e tyre janë edhe ata të cilët janë përdorues të pijeve alkoolike me birra në dorë, me cigare, me ashish dhe ata shërbehen”, tregon Mujku.

Regjionet të cilat po përfshihen më së shumti në problematikën e drogës, është regjioni i Prishtinës më pastaj vjen Prizreni, si dhe regjioni i Mitrovicës.

Për këtë po kërkohet që të bëhen programe parandaluese në atë mënyrë që qytetarët dhe të rinjtë të ndërgjegjësohen dhe të kenë informata lidhur me llojin dhe me pasojat që mund të vijnë nga përdorimi i drogave. Megjithatë, Klinika Psikiatrike, rehabilituese specialistike-psikiatrike “Labyrinth”, Qendra Sociale, dhe Policia e Kosovës, bënë thirrje që prindërit të kenë më shumë nën kontroll lëvizjet e fëmijëve të tyre dhe se fëmijët e tyre të merren me aktivitet të sportive e kulturore. Ata madje thanë që duhet të ekzistojë edhe një vullnet nga institucionet, nga shoqëria civile që të bëhet një qendër rehabilitimi pasi që shteti i Kosovës nuk e ka një të tillë për të i rehabilituar këta personat e varur nga droga.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat