Kultura e ushqyerjes – si ndikon në rritjen e fëmijëve të shëndetshëm

Shëndetësia

Kultura e ushqyerjes – si ndikon në rritjen e fëmijëve të shëndetshëm

Më: 30 korrik 2015 Në ora: 17:39

Për të përmirësuar të ushqyerin e fëmijëve, u duhen ngulitur zakone të mira ngrënieje, që në fëmijërinë e hershme.

Në ditët e sotme bashkë me ushqimet që konsumojmë, marrim edhe substanca toksike. “Mjafton të përmendim ndotjen me antibiotikë dhe hormone të mishit, ndotjen me antiparazitarë (insekticide, akaricide, antikriptogramikë etj.) të bimëve, si dhe substancat artificiale që ndodhen në ujin e pijshëm. Duhet të përpiqemi të zvogëlojmë në maksimum sasinë që merret nëpërmjet ushqimit, të këtyre substancave”, shprehet Gianfranco Trapani te botimi “Fëmijët në tryezë”.

Një ushqyerje në mënyrë të rregullt dhe të ekuilibruar, duke përdorur ushqime biologjike dhe biodinamike, zvogëlon mundësinë e prekjes nga sëmundjet kronike dhe degjeneruese.

Disa këshilla për mënyrën e të ngrënit:

* Fëmijët duhet të hanë në tryezë dhe me televizor të fikur.

* Duhet shmangur ngrënia midis vakteve, në radhë të parë sepse përgjithësisht përdoren ushqime të rënda (kek, çokollatë, patate të skuqura...), por, edhe sikur të jenë ushqime të shëndetshme, të ngopin dhe të presin oreksin.

* Ushqimet duhet të jenë të pasura me fibra dhe drithëra dhe duhen përtypur mirë, që të mbrojnë dhëmbët nga kariesi dhe patologjitë e sëmundjeve të gojës.

Për ata “fëmijë që nuk futin gjë në gojë”, citojmë mendimin e disa studiuesve të School of Human Resources të Universitetit të Ilinoisit, të cilët këmbëngulin se, kur fëmijët lihen të lirë të hanë atë që duan, veçse në orare të caktuara, marrin plotësisht kaloritë që u nevojiten.

Te fëmijët ekziston një mekanizëm kontrolli, që rregullon thithjen e kalorive të përgjithshme në harkun e 24 orëve. Një vakt më i rënduar do të pasohet nga një tjetër më i lehtë.

Natyra “i ka marrë masat” që fëmijët të rriten të shëndetshëm dhe pa mungesa, mjaft që t’u jepet një shumëllojshmëri ushqimi, e ekuilibruar në përbërës, me një shkallë sa më të ulët të ndotjes së mjedisit, me ritme të rregullta e jo të detyruara dhe sidomos pa u futur frikë apo ankth të tepruar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat