7 mënyra sesi të kujdesemi për dhëmbët

Shëndetësia

7 mënyra sesi të kujdesemi për dhëmbët

Më: 6 korrik 2015 Në ora: 16:28

Një buzëqeshje e bukur mund të vlejë shumë. Mirëpo, shumë prej nesh nuk arrijnë t'i kushtojnë shëndetit oral vëmendjen e duhur. Një dentiste londineze thotë se shpesh njerëzit i lajnë dhëmbët në momentin e gabuar gjatë ditës, i lajnë shumë shpejt, ose përdorin pajisje të vjetëruara. Rekomandimi i saj vjen pas një studimi që gjeti se një në tre njerëz harrojnë t’i lajnë dhëmbët në mëngjes, ku 35 për qind e tyre fajësojnë partnerin që "i shpërqendron nga pastrimi, ose u zë tualetin". Ajo na jep disa këshilla sesi të kujdesemi për dhëmbët ashtu siç kujdeset një dentist dhe si të shmangim dëmtimet:

1. Mos i lani dhëmbët nga lart poshtë

Larja e dhëmbëve në këtë mënyrë i dëmton mishrat. Dhëmbët duhet të lahen me lëvizje të buta rrethore, duke i masazhuar ata dhe mishrat e dhëmbëve. Kur nuk lahen si duhet, nga mishrat fillon të dalë gjak. Ndaj, duhet bërë kujdes që furça të jetë e butë. Dentistja rekomandon që ta “ndani” gojën në katër pjesë dhe të shpenzoni një kohë të barabartë për secilën prej tyre. Edhe pse shumica i lajnë dhëmbët për 30 sekonda, koha optimale e larjes së tyre është 2 deri në 5 minuta.

2. Përtypeni çamçakëzin vetëm për 10 minuta

Nëse mbahet gjatë në gojë, çamçakëzi shkakton probleme. Dentistja thotë se ai duhet mbajtur derisa të largohet aroma e pakëndshme e gojës. “Në të kundërt, fillon dhe shkakton probleme të tjera. Dhëmbët janë krijuar për t’i copëtuar gjërat dhe çamçakëzi është i butë. Ndaj, ata fillojnë të përplasen me njëri-tjetrin dhe të thyhen”. Ndërsa stomaku bëhet gati për tretjen e ushqimit, ai fillon të prodhojë acid. Kjo e dëmton shtresën e stomakut deri në pikën që mund të shkaktohet ulçerë te ata që përtypin çamçakëz gjatë gjithë ditës.

3. Përdorni luleshtrydhe dhe sodë buke

Ky kombinim vepron si një zbardhues natyral. Dentistja rekomandon që të merrni tetë luleshtrydhe, të cilat duhet të jenë të buta dhe gjysmë luge çaji sodë buke, për të krijuar një pastë. Vendosni një copë pambuku midis dhëmbëve dhe kafshojeni, lyeni me pastë dhëmbët dhe fshijeni atë që t’i zbardhni ata. Soda është gërryese dhe mund të largojë shenjat që lë kafja, çaji dhe duhani.

4. Lajini dhëmbët para mëngjesit

Mund të mendoni se duhen larë pas vaktit të mëngjesit, por është më mirë që t’i lani përpara. Gjëja më e mirë është që dhëmbët t’i lani menjëherë pasi çoheni nga shtrati. Kjo pasi, shumë prej nesh konsumojnë ushqime me acid, si ananasi dhe lëngjet e frutave në mëngjes dhe ky acit mund ta dobësojë veshjen e dhëmbëve. Ndaj, nëse i lani dhëmbët pas mëngjesit, e çoni sheqerin e tyre në dhëmbë dhe veprimi gërryes është më i madh. Nëse harroni dhe i lani pas mëngjesit, prisni një orë derisa pështyma ta neutralizojë acidin. Ndërsa në darkë, larja e dhëmbëve duhet të jetë gjëja e fundit që bëni para se të bini për të fjetur. Kur i lani dhëmbët natën, më mirë mos e shpëlani gojën që ta ruani fluorin e pastës. Mos harroni që nuk duhet futur asgjë ushqim në gojë pas larjes së tyre!

5. Lani gjuhën

Çelësi për një frymëmarrje të freskët është të pastroni gjuhën, pasi kushdo harron ta bëjë këtë. Kjo ka rëndësi pasi gjuha përmban pjesën më të madhe të baktereve. Bakteret emetojnë squfur, çka e bën frymëmarrjen më të rëndë. Pastrimi i gjuhës mund të bëhet me furçë, ose një larës gjuhe special.

6. Përdorni furçë elektrike

Këto furça janë shumë më të mira për pastrimin e dhëmbëve, krahasuar me furçat e thjeshta. “Është si të lash rrobat në lavatriçe dhe jo me dorë”, thotë dentistja.

7. Përdorni fillin dentar

Njerëzit duhet ta përdorin fillin dentar thuajse përditë. Kërkimet e mëparshme kanë treguar se pastrimi i tyre me fill dentar mund të zgjasë jetën. Njerëzit me sëmundje në mishrat e dhëmbëve (xhinxhivave) janë dy herë më të prekur nga sëmundjet koronare, sesa të tjerët. Kjo pasi sëmundjet e mishrave të dhëmbëve bëjnë që bakteret e dëmshme të çlirohen në gjak, duke dëmtuar arteriet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat