Si të mbrohemi nga infarkti i miokardit

Shëndetësia

Si të mbrohemi nga infarkti i miokardit

Më: 30 maj 2015 Në ora: 13:33

Infarkti i miokardit është një neurozë e një pjese më të vogël ose më të madhe të muskulit të zemrës e shfaqur për shkak të furnizimit të pamjaftueshëm me gjak. Shkaktari më i shpeshtë është mbyllja e ndonjërës prej arterieve koronare nga ndonjë koagulim gjaku. Zemra është një muskul njësoj si gjithë muskujt e tjerë të trupit. Arteriet e furnizojnë zemrën me gjak të pasur me oksigjen, në mënyrë që ajo të tkurret dhe ta hedhë gjakun në pjesën tjetër të trupit. Kur muskuli i zemrës nuk furnizohet me sasinë e duhur të oksigjenit, funksioni i saj ulet. Kur muskuli i zemrës nuk merr oksigjen, ai fillon të “vdesë”.

Simptomat

Simptoma tipike të infarktit të miokardit janë: dhimbje kraharori e shoqëruar me vështirësi në frymëmarrje; djersitje profuse ose e tepruar; të përziera; dhimbje e kraharorit, që mund të përshkruhet si shtrëngim, rëndim, presion ose si dhimbje tipike. Por disa herë pacientët nuk i kanë këto shenja tipike. Shenja të tjera mund të jenë: vështirësi në tretjen e ushqimeve; dhimbje e nofullës së poshtme; dhimbje e lokalizuar vetëm në supe ose në krah, ndonjëherë edhe të vjella. Në disa raste, pacienti mund të përjetojë IM me simptoma minimale. Te gjinia femër edhe te të moshuarit shenjat e infarktit të miokardit mund të jenë jotipike ose të lehta. Në këto raste ata paraqesin lodhje të tepërt edhe dobësi. Sulmi në zemër maskohet pas sëmundjes së gripit: djersitje, lëkurë e ftohtë, plogështi, të cilat janë shenja të gripit. Madje dhe ndjenja e presionit apo dhimbjeve në gjoks janë shenja tipike të sulmit në zemër.

Parandalimi

Shenjat paralajmëruese mund të jenë edhe dhimbjet dhe ënjtjet në shputat e këmbëve. Nga kraharori dhimbja mund të përhapet në qafë, nofull, supe ose kurriz dhe shoqërohet me vështirësi në frymëmarrje, të përziera dhe djersë. Ne nuk i kemi në dorë tiparet gjenetike dhe sëmundjet e trashëguara, por ne mund të mënjanojmë faktorët e rrezikut për sëmundjet kardiake duke ndaluar duhanpirjen, duke marrë çdo natë 100 mg aspirinë, duke kontrolluar tensionin arterial, diabetin, kolesterolin, duke bërë jetë aktive dhe ushtrime fizike.

Diagnostifikimi dhe koha kur duhet kërkuar ndihmë mjekësore

Te pacientët që përjetojnë dhimbje të kraharorit diagnoza dhe trajtimi bëhen në mënyrë të përkohshme. Fillimisht pyetet i sëmuri se kur filloi dhimbja, si u përhap dhe nëse kjo dhimbje shtohet në qetësi apo gjatë një veprimtarie fizike. Pacienti pyetet gjithashtu nëse ka apo s’ka vështirësi në frymëmarrje, nëse ka të përziera apo djersitje difuze. Anamneza mjekësore përfshin edhe faktorët e riskut si: duhanpirja, diabeti, hipertensioni arterial, kolesteroli i rritur, familjarë të tjerë me probleme zemre dhe probleme me enët e gjakut. Me anë të pyetjeve arrihet të bëhet dallimi midis anginës së qëndrueshme nga ajo e paqëndrueshme. Angina (dhimbja) e qëndrueshme është e paparashikueshme. Për shembull, shfaqet gjatë ngjitjes së shkallëve ose dhe kur përshkohen 100 metra dhe qetësohet shpejt kur pacienti pushon.

Angina (dhimbja) e paqëndrueshme mund të shfaqet pa paralajmërim kur trupi është në qetësi dhe kur pacienti nuk ka stres. Simptomat anginale vijnë dhe si pasojë e ngushtimit të arteries koronare. Dhimbja e kraharorit ka dhe shkaqe të tjera si: gastriti, tromboza në mushkëri, pneumonia dhe refluksi i stomakut. Ekzaminimet që duhen bërë janë: ekzaminimi fizik, elektrokardiograma, ekoja e zemrës dhe prova e biçikletës. Për sa i përket ndihmës mjekësore, duhet thënë se dhimbja e gjoksit përbën një urgjencë mjekësore. Përveç infarktit të miokardit, ka dhe çarje të aortës ose probleme të mushkërisë.

Nëse mendoni se po përjetoni një infarkt miokardi, duhet marrë menjëherë një tabletë aspirinë 100-miligramëshe. Shumë pacientë humbin jetën përpara se të kërkojnë ndihmë mjekësore dhe kjo ndodh për arsye se ata i shpërfillin shenjat që mund të shfaqen nga frika se mos ndodh diçka e keqe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat