5 gjëra që tregon grupi i gjakut për shëndetin tuaj

Shëndetësia

5 gjëra që tregon grupi i gjakut për shëndetin tuaj

Më: 27 maj 2015 Në ora: 07:22

Mund ta ndryshosh dietën dhe ushtrimet, por jo edhe grupin e gjakut, i cili përcaktohet nga substanca mikroskopike – të trashëguara nga prindërit – që jetojnë në sipërfaqe të qelizave të kuqe të gjakut tuaj
Këto substanca ndërveprojnë me sistemin e imunitetit në atë mënyrë sa që ndryshojnë rrezikun nga prekja prej disa sëmundjeve të njohura. Pra varësisht se cilin grup të gjakut e ke A, B, AB, ose O, keni më pak ose më shumë shanse të vuani nga problemet me zemër, kancer dhe disa sëmundje tjera. Më poshtë lexoni se çfarë do të thotë grupi i gjakut për ju:

Problemet me harresë
Grupi i gjakut AB mund të rrisë rrezikun për dëmtimin e aftësive kognitive, thuhet në hulumtimin e revistës “Neurology”. Më saktësisht, ata që kanë grupin e gjakut AB në moshë të shtyrë mund të përballen me problemet e të mbajturit mend, më shumë sesa personat me grupet tjera të gjakut.

“Ne dimë se grupi i gjakut AB ka lidhje me nivelin e faktorëve të koagulimit dhe proteinave në gjak,” thotë bashkautorja e studimit Mary Cushman, profesoreshë e mjekësisë dhe patologjisë në Universitetin e Vermontit. Deri sa kjo mund të ndihmojë në sqarimin se pse grupi i gjakut AB është më i predispozuar të ballafaqohet me problemet e harresës në pleqëri, mekanizmi i qartë se pse ndodh kjo nuk dihet, thotë Cushman.

Kanceri i stomakut
Lajm edhe më i keq nëse i përkisni atyre me grupin e gjakut AB: Rreziku që të prekni nga kanceri në lukth është 26 për qind më i lartë në krahasim me njerëzit që kanë grupin e gjakut B ose O, thuhet në studimin e “American Journal of Epidemiology”. (Nëse i përkisni grupit A, atëherë rreziku është 20 për qind më i lartë në krahasim me ata që kanë grupin B ose O.)

Një lloj baktere e quajtur H.pylori ndoshta është fajtori kryesor. Derisa gati dy të tretat e popullsisë së botës jetojnë me bakterin H.pylori, ata që kanë grupin e gjakut AB ose A mund të kenë reagim më të lartë të sistemit të imuniteti ndaj këtij bakteri e që mund të qojë në rritjen e rrezikut nga kanceri, thotë bashkautori i studimit Gustaf Edgren, epidemiolog në Spitalin e Universitetin Karolinska në Suedi.

Ulcerat
I njëjti bakter i cila mund të shkaktojë kancerin në stomak tek personat me grupin e gjakut A dhe AB mund të rrisë rrezikun e ulcerave për personat me grupin e gjakut O, thuhet në studimin e Edgrenit. “Ky grup gjaku disi modifikon përgjigjen imunologjike të trupit ndaj bakterit, por nuk e dimë se si ndodhë kjo,” thotë Edgren. Modifikimi i sistemit të imunitetit mund të sqarojë lidhjen, thotë ai.
Sëmundjet e zemrës

Falënderoni gjenet tuaja me fat, ju që keni lindur me grupin e gjakut O. Grupi juaj i gjakut ka deri në 23 për qind më pak rrezik të preket nga sëmundjet e zemrës, krahasuar me njerëzit që kanë grupe tjera të gjakut. Kjo sipas një studimi të “Harvard School of Public Health”. Njerëzit me grupet e gjakut AB dhe B janë të predispozuar më shumë të preken nga sëmundjet e zemrës, thuhet në rezultatet e studimit. Autorët thonë se grupet e caktuara të gjakut kanë lidhje me shkallën më të lartë të inflamacioneve, të cilat mund të jenë shkaktarë të pjesshëm për sëmundjen e zemrës.

Kanceri i pankerasit
Lajme të mira vetëm për ata që kanë grupin O. Ju keni 37 për qind më pak shanse të prekeni nga kanceri pankreatik në krahasim me njerëzit që kanë grupe tjera gjaku, thuhet në studimin e “Journal of the National Cancer Institute”. Edhe një herë autorët e këtij studimi theksojnë rëndësinë e prezencës së bakterit H.pylori si një sqarim i mundshëm për shkallën më të lartë të sëmundjes tek personat që nuk e kanë grupin e gjakut O.

Çfarë tash?
Derisa duket se grupi i gjakut luan rol të rëndësishëm në rrezikun e prekjes nga sëmundjet, nuk është e qartë nëse roli që luan është i madh ose i vogël. “Këshilla më e mirë është të kemi një jetë të shëndetshme,” thotë Cushman. Ajo rekomandon të ushqyerit e duhur, ushtrimet dhe të shqetësohemi vetëm për gjërat që mund t’i kontrollojmë. Po ashtu nëse keni shqetësime për gjendjen shëndetësore – çoftë sëmundje të zemrës ose humbje kujtese – kontrollet e nevojshme tek mjeku duhen bërë rregullisht për t’iu shmangur sëmundjeve, thotë Cushman.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat