Ushqimet që ulin rreziqet e sëmundjeve të zemrës

Shëndetësia

Ushqimet që ulin rreziqet e sëmundjeve të zemrës

Më: 26 maj 2015 Në ora: 17:39

Me siguri deri tash e keni kuptuar se cila është dieta ideale që ndihmon në parandalimin e sëmundjeve të zemrës: Mbushni pjatën me fruta dhe perime, ushqime të pasura me omega-3 e herë pas here nga një copë çokollate të zezë, duke hequr nga tavolina ato ushqime që përmbajnë përqendrim të madh yndyrash.

Studimet e fundit kanë treguar se këto janë ushqimet bazë që ndihmojnë në reduktimin e rreziqeve të sëmundjeve të zemrës.

Boronicat

Vetëm një gotë lëng boronicash të shtrydhura në ditë, ndihmon në uljen e shtypjes së gjakut dhe shton elasticitetin e arterieve, raporton “Journal of the Academy of Nutrition and Dietetics”. Pjesëmarrësit e një studimi të cilët konsumuan nga 22 gram pluhur të boronicave të thara (e barabartë me një gotë lëng boronicash të freskëta) për tetë javë rresht, përjetuan ulje të gjakut për 5 për qind dhe ulje prej 6.5 për qind në elasticitetin e arterieve. Arsyeja? Boronicat ndihmuan në rritjen e oksidit nitrik, një element ky i rëndësishëm për zgjerimin e venave të gjakut deri në 69 për qind. Më shumë hulumtime nevojiten për ta kuptuar se si, saktësisht, boronicat shkaktojnë këtë efekt, por s’ka kurrfarë efekti negativ nëse konsumoni këtë frutë të ëmbël çdo ditë.

Avokado

Një avokado në ditë mban kardiologun larg sysh. Njerëzit që shtuan një avocado në dietën e tyre ditore ndjenë përmirësime në nivelin e tri-glicerideve (kolesteroli I keq), thuhet në një studim të publikuar në “Journal of the American Heart Association”. Pas pesë javësh, ata që mbanin një dietë normale pa yndyra dhe që konsumonin të paktën një avokado në ditë, përjetuan një rënie prej 13.5 për qind të triglicerideve, krahasuar me rënien prej 8.3 për qind tek ata që vetëm mbanin një dietë normale pa yndyra dhe pa ngrënë avokado. Studiuesit ia atribuojnë efektet pozitive për zemër avokados falë acideve yndyrore mono strukturale, fibrave, antioksidante dhe përbërësve tjerë. Megjithatë, kjo nuk iu ndihmon nëse nuk hiqni nga menyja ushqimet me shumë kripë. Shtoni më shumë avokado në dietën tuaj dhe kombinojeni atë me sallata dhe ushqime tjera të shëndetshme.

Tërshëra dhe drithërat tjera

Njerëzit që hanë kokrra drithërash si për shembull tërshërë, oriz të kaltër, dhe bukë të zezë me fara gruri kanë më pak shanse të preken nga sëmundjet vdekjeprurëse, sidomos për shkak të sëmundjeve kardio-vaskulare, thuhet në një studim të “Journal of the American Medical Association”. Njerëzit që konsumojnë drithëra – deri në pesë, gjashtë racione në ditë – kanë deri në 15 për qind më pak shanse të vdekshmërisë për shkak të problemeve me zemër, thonë shkencëtaret. Studimet e mëhershme kishin zbuluar se fibrat në drithëra mund të ndihmojnë në uljen e nivelit të kolesterolit në gjak dhe uljen e shtypjes së gjakut, që ndihmon në ruajtjen e zemrës. Rishikoje edhe një herë dietën dhe fut sa më shumë drithëra.

Bajamet

Shkrini yndyrën dhe mbajeni zemrën e shëndoshë? Kjo tingëllon si “win-win” situatë. Pjesëmarrësit që kanë ngrënë sasi më të madhe bajamesh për gjashtë javë rresht kanë përjetuar rënie më të shpejtë të triglicerideve (kolesterolit të keq) sesa ata që nuk kanë përfshirë bajamet në dietën e tyre. Thuhet në një studim të “Journal of the American Heart Association”. Yndyra e tepërt në bark dhe rritja e nivelit të kolesterolit janë të lidhura me sindromin metabolik, një grup faktorësh të rrezikshëm që mund të rrisin rreziqet e sëmundjeve të zemrës dhe shkaktojnë problem tjera shëndetësore. Bajamet janë një burim i pasur i acidit olik, një acid i ngopur në yndyrë, si dhe fibra dhe fitosterol. Mos harroni të konsumoni ca kokrra bajame në ditë.

Çaji

Edhe pse adhuruesit e çajit konsiderohen si persona që ushqehen shëndetshëm, ka fakte po ashtu se çaji përmbajnë antioksidantë, siç janë flavonoidet, që mund të ndihmojnë në luftimin e rreziqeve kardiovaskulare dhe mund të ulin rrezikun nga kanceri dhe diabeti. Në një studim të kryer në Holandë, pirja e tri deri në gjashtë filxhanë çaji në ditë, lidhet me uljen deri në 45 për qind të rrezikshmërisë nga vdekja prej sëmundjeve të zemrës (krahasuar me ata që pinë më pak se dy filxhanë çaji në ditë).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat