Skizofrenia dhe diagnostikimi i saj

Shëndetësia

Skizofrenia dhe diagnostikimi i saj

Më: 21 prill 2015 Në ora: 12:51

Në fazat e hershme të skizofrenisë, pacientët tregojnë shenja të problemeve të të menduarit. Ata mendojnë që janë krejtësisht jashtë kontaktit me botën reale. Ata mund të përjetojnë halucinacione, kanë sjellje të ngurtë fizike, bëjnë fjalime të çorganizuara dhe paranojë.

Personat që vuajnë nga skizofrenia zakonisht përjetojnë halucinacione dhe deluzione. Këta persona tërhiqen nga grupet shoqërore (izolimi social), tregojnë aftësi të ulëta në zgjidhjen e problemeve dhe marrjen e vendimeve, si dhe kanë mungesë të motivimit.

Simptomat e skizofrenisë mund të grupohen gjerësisht në dy grupe: pozitive dhe negative. Simptomat pozitive përfshijnë çrregullime në mendime, të folurit, të parit, të nuhaturit dhe zakonisht pjesa më e madhe e individëve nuk vuajnë nga këto simptoma. Këto janë treguesit kryesor të psikozës. Në anën tjetër, simptomat negative iu referohen deficiteve në përgjigjet normale emocionale dhe psikologjike dhe përfshijnë alogia, avolition, anhedonia, etj.

Poashtu, pacientët me skizofreni mund të shfaqin efektin e rrafshuar të emocioneve. Kjo i referohet gjendjes së të qenurit pa emocione. Edhe pse efekti i rrafshuar i emocioneve mund të gjendet edhe në çrregullime të tjera mendore, ky efekt është më i zakonshëm në pacientët me skizofreni. Gjumi i tepërt mund të sugjeroj gjithashtu ekzistencën e çrregullimit.

Për dekada me radhë, shkaqet e sakta të skizofrenisë nuk janë identifikuar. Ka pasur mosmarrëveshje të mëdha dhe debate të gjata që kanë të bëjnë me shkaqet dhe faktorët e mundshëm që janë sugjeruar por ndaj të dyjave është ekspozuar modifikim ose refuzim i plotë. Megjithatë, mjekët kanë arritur në përfundim se skizofrenia shfaqet si rezultat i çrregullimeve gjenetike apo faktorëve të mjedisit. Gjenetikisht, sëmundja është e trashëgueshme përmes trashëgimisë së gjeneve nga të afërmit e parë (prindërit, vëllai, motra). Teoritë mjekësore sugjerojnë se dobësitë e përgjithshme të histoneve dhe proteinës së zinkut 804A mund të kenë lidhje të drejtpërdrejtë me trashëgiminë e skizofrenisë.

Nga ana tjetër, faktorët e mjedisit të tillë si abuzimi afatgjatë i drogave të forta dhe ambienti përreth mund të çojnë në skizofreni. Gjatë shtatzënisë, kur nëna është e ekspozuar ndaj kushteve të vështira dhe të kequshqyerit, dhe kur është e ekspozuar ndaj stresit të rëndë para lindjes shanset e lindjes së një fëmiu skizofrenik rriten shumë. Pasojat e tilla mund të jenë si rezultat i mungesës së punësimit, vështirësive financiare, dhunës në familje, dhe diskriminimit. Këto presione sociale dhe jetësore janë parë si kontribues kryesorë në këtë çrregullim.

Hulumtime të ndryshme shkencore janë kryer për të përcaktuar marrëdhëniet në mes të mosfunksionimit të trurit dhe skizofrenisë. Psikologët besojnë se skizofrenia ka një ndikim të madh në njohuri. Humbja e kujtesës dhe deficitet neuro-njohëse janë treguesit simptomatologjik të skizofrenisë. Psikologët këshillojnë se psikoterapia është ilaç për këtë çrregullim. Neurologët, nga ana tjetër, propozojnë se skizofrenia shfaqet si rezultat i ndryshimeve në strukturën e trurit, reagimeve kimike të tij dhe aktiviteteve të neuroneve. Një keq-interpretim midis neuroneve dhe receptorëve mund të çojë në skizofreni.

Parandalimi i skizofrenisë ka rezultuar në vështirësi për praktikuesit mjekësor. Kjo qëndron për shkak se nuk ka asnjë lidhje të drejtpërdrejtë dhe të besueshme ndërmjet sëmundjes dhe çrregullimeve të tjera të tilla si psikoza. Diagnoza e skizofrenisë fillon duke kërkuar ndihmë nga psikiatri në fazat e hershme të zhvillimit. Çdo person i cili tregon simptomat e psikozës duhet diagnostikuar sa më parë që të jetë e mundur.

Sipas sociologut Marvin Ross, nuk ka teste laboratorike për skizofreni, prandaj diagnoza përfshin ekzaminimin ekskluziv mendor. Diagnoza do të përfshijë vlerësimin e sfondit të familjes së pacientit për të përcaktuar nëse çrregullimi është i trashëguar, historinë emocionale dhe përgjigjet ndaj stimujve, simptomat aktuale që ai/ajo ka, dhe identifikimin e ndonjë çrregullimi tjetër që mund të ndikojë në pacientin.

Trajtimi i skizofrenisë përfshin administrimin e barnave antipsikotike. Në rast se pacienti përgjigjet dobët për medikamentet e para, atëherë Clozapina, Thorazina dhe Prolixina mund të përdoren. Megjithatë, kujdes i madh duhet të ndërmerret duke përdorur Clozapinën pasiqë ajo ka efekte negative anësore në qelizat e bardha të gjakut. Pacientët gjithashtu duhet ti nënshtrohen trajtimit psikologjik që përfshin llojet e ndryshme të terapive mbështetëse duke filluar nga terapitë e familjes deri tek terapitë e sjelljes. Për më tepër, teknikat e sjelljes të cilat përfshijnë aftësitë shoqëruese dhe ndërtomin e lidhjeve të mira mund të japin përfitime të frytshme për pacientin nëse administrohen mirë.

Në mënyrë të ngjashme, përdorimi afatgjatë i barnave antipsikotike mund të rezultojë në dyskinesia tardive, i cili është një çrregullim i karakterizuar nga rritja e lëvizjeve të trupit. Çrregullimet skizofrenike që rezultojnë nga ekspozimi ndaj kushteve të vështira të mjedisit mund të menaxhohet duke mësuar se si të përballemi me kushte të tilla në mënyrë efektive./Përgatiti: Dr. Besa Maloku – arbresh.info/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat