Kirurgjia estetike, çfarë rrezikoni nëse e aplikoni jashtë vendit

Shëndetësia

Kirurgjia estetike, çfarë rrezikoni nëse e aplikoni jashtë vendit

Më: 1 prill 2015 Në ora: 13:23

I kanë vënë edhe një emër, një pseudonim të lehtë e të pazakontë pas të cilit fshihet një ndërhyrje delikate dhe e rëndësishme përderisa i takon trupit dhe shëndetit tonë. Po flasim për të ashtuquajturat “udhët e bisturisë”, “udhëtimet” e bëra me objektivin e qartë për t’iu nënshtruar operacioneve të kirurgjisë estetike në vendet në të cilat kostot janë më të përballueshme se sa në vendin tonë.

Për një lifting të lehtë, ose për një rritje të dimensionit të gjoksit, janë të shumtë ata që kanë zgjedhur Kroacinë, Brazilin, Marokun, Indonezinë, Tailandën dhe Afrikën e Veriut për t’i bërë ndonjë ndryshim pamjes së tyre të jashtme. Në fakt, ekzistojnë dy avantazhe për të bërë diçka të tillë larg “shtëpisë”: së pari, jeni larg nga sytë paragjykues të miqve, të afërmve dhe kolegëve të punës dhe së dyti, çmimet janë të përballueshme.

Por fenomeni duhet analizuar me kujdes dhe ndonjë indikacion më shumë se si mund të përballohet kjo përvojë, vjen nga mjeku Gianluca Campiglio, sekretari i ISAPS, International Society of Aesthetic Plastic Surgery (Shoqata Ndërkombëtare e Kirurgjisë Plastike e Estetike), organizata më e madhe në botë e kirurgjisë estetike që përfshin profesionistë të 94 vendeve.

Në bazë të eksperiencës së tij, ekzistojnë disa pyetje që gjithkush duhet t’ia bëjë vetes përpara se të pranojë bisturinë në trup. Ato tetë më të rëndësishmet i gjeni në vijim, të shoqëruara me përgjigjet relative të mjekut Campiglio.

1) Jeni të sigurt se ndërhyrja që do t’i nënshtroheni është më e përshtatshmja për ju?

“Mund të ndodhë që pacienti të prezantohet me idenë që të bëjë një liposucion, ndërkohë që në të vërtetë, ndërhyrja e duhur për të është adominoplastika. “Vetëm kirurgu estetik mund të përcaktojë se cila është procedura më e përshtatshme, por sigurisht duhet të verifikojë që pritshmërinë e pacientit duhet të jenë reale, duke shpjeguar se çfarë përmirësimesh mund të japin ndërhyrjet”.

2) A i keni të qarta mundësitë e mundshme të komplikacioneve?

“Është e nevojshme që mjeku t’ju njoftojë mbi të gjitha pasojat për sa u përket shenjave, sigurisë dhe rreziqeve. Po kështu, është mirë që pacienti të reflektojë me qetësi mbi vendimin e tij, pa presionin e humbjes së avionit të kthimit: sigurimi i pacientit është prioriteti kryesor”.

3) A është i kualifikuar kirurgu të cilit do t’i drejtoheni?

“Të shkoni në vendet e Botës së Tretë për t’iu nënshtruar një ndërhyrjeje estetike do të thotë t’i besoni një të panjohuri perfekt, pa asnjë garanci profesionalizmi. Ndaj është e nevojshme që të verifikoni se ai ka bërë studime të posaçme dhe të ketë përvojë në ndërhyrjen që ju do të bëni”.

4) A e flet rrjedhshëm gjuhën që ju njihni kirurgu dhe stafi i tij?

“Bërja e qartë e asaj se çfarë doni në kirurgjinë estetike nuk është e thjeshtë, ndaj është mirë që gjuha e folur të mos jetë një pengesë, përndryshe prisni komplikacione”.

5) Në klinikën ku do të shkoni, a jeni siguruar se ka materiale cilësore?

“Duhet të keni garanci të mjaftueshme mbi materialet e përdorura dhe mbi strukturat sanitare me të cilat operohet. Jo gjithmonë standardet janë të garantuara”.

6) Ku do të sistemoheni pas operacionit?

“Udhëtimi menjëherë pas operacionit rrit rrezikun e embolës pulmonare dhe të trombozës. Mos mendoni as të shijoni detin ose të vizitoni vendin ku do të shkoni: janë të pakta trajtimet e kirurgjisë estetike që rekomandojnë një pushim menjëherë pas mjekimit, që mund të konsistojë në vajtjen në plazh ose nëpër muze pas 24-48 orësh”.

7) Pyetni se çfarë mund të ndodhë në rastin e komplikacioneve pas ndërhyrjes?

“Edhe pse ndërhyrja mund të jetë bërë mirë, komplikacionet nuk mund të përjashtohen asnjëherë. Kështu që mendoni se cilit mjeku do t’i drejtoheni në rastin e komplikacioneve dhe kush do të paguajë për një ndërhyrje të dytë ose një rishikim”.

8) A ia vlen vërtet që të operoheni jashtë vendit?

“Merrni parasysh kostot totale, përfshirë udhëtimin, qëndrimin, por edhe rreziqet pas tij dhe më pas vlerësoni gjithçka do të bëni. Sot çmimet e kirurgjisë plastike janë rritur në krahasim me disa vite më parë, klinikat duhet të garantojnë standarde të larta dhe ekzistojnë profesionistë shumë të kualifikuar, të cilëve mund t’u drejtoheni, duke u siguruar gjithmonë se bëhet fjalë për një specialist në kirurgjinë plastike”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat