Mbrojtja nga shtatzënia

Shëndetësia

Mbrojtja nga shtatzënia

Më: 27 mars 2015 Në ora: 23:09

Metodë ideale për t`u mbrojtur nga shtatzënia nuk ekziston. Për këtë arsye është me rëndësi që të vendosni vetë për metodën e cila ju konvenon më së shumti dhe që u përgjigjet nevojave tuaja. Në këtë broshurë mund të gjeni një prezantim të shkurtër ku informoheni për të gjitha llojet e mundshme të mbrojtjes nga shtatzënia që zbatohen në Zvicër; për efikasitetin e tyre, për çmimin si dhe mundësitë e furnizimit me to. Për sqarime më të hollësishme drejtohuni në një qendër për planifikimin familjar (falas) ose te mjeku shtëpiak. Shkruani pyetjet që doni t'i parashtroni dhe caktojeni një takim.

Rrethi vaginal
Është një rreth elastik i cili vendoset në vaginë që përmban dy hormone të ngjashme me ato që i prodhon femra.
Rrethi vendoset ditën e parë të menstruacioneve dhe tërhiqet të njëjtën ditë tri javë më vonë.
Një pauzë parashihet pas tri jave gjatë së cilës vijnë menstruacionet; në këtë mënyrë siguria është e garantuar.
Pas shtatë ditëve duhet vendosur një rreth tjetër.
Kujdes : pauza nuk duhet të zgjasë më shumë se shtatë ditë.

Patchi i lëkurës
Është një mjet kontracepcioni (i mbrojtjes nga shtatzënia) i cili përmban dy hormone të ngjashme me ato që prodhon femra. Shitet në një amballazhë që përmban 3 patche të cilat ngjiten mbi lëkurë, një herë në javë.
Me patch duhet pushuar pas 3 jave.
Menstruacionet vijnë gjatë kësaj pauze, mbrojtja nga shtatzënia është e garantuar.
Duhet ta veni një patch pas 7 ditëve.
Kujdes: pauza nuk duhet zgjatur kurrë.

Pilula estroprogjestative
Pilula (hapat) është një mjet hormonal për mbrojtjen kundër shtatzënisë. Bën shumë efekt nëse mirret rregullisht çdo ditë në të njëjtën kohë. Në rast harrese prej më shumë se 12 orësh, mbrojtja nga shtatëzënësia nuk është e garantuar.
Një pauzë prej 7 (apo 6) ditësh duhet marrë parasysh pas 21 (apo 22) hapave. (Ekzistojnë disa lloje të hapave që mund të merren pa ndërprerje).
Menstruacionet vijnë gjatë pauzës.
Mbrojtja nga shtatëzënësia është e garantuar gjatë pauzës.
Kujdes: pauza nuk duhet të zgjatet kurrë.

Pilula progjestative
Pasi të mbarohet një amballazhë, vazhdoni menjëherë me amballazhën e re pa bërë pauzë edhe nëse keni gjakderdhje.
Menstruacionet mund të pakësohen, të çrregullohen ose të mos vijnë fare.
Kjo pilulë mund të përdoret edhe nga nënat që kanë fëmijë në gji.
Nëse e harroni pilulën më shumë se 12 orë, mbrojtja nga shtatzënia nuk është e garantuar.

Spiralja DIU
Spiralja është një gjësend (objekt) plastik i vogël me gjatësi 2.5 - 3.5 cm, i cili është i mbështjellur me një tel të hollë bakri ose me një progjesteron. Spiralen e vë mjeku në mitër. Me ndihmën e një fije të najllonit të ngjitur për te, mjeku ose mjekja e nxjerrin spiralen me lehtësi.
Zëvendësimi i spiraleve me progjeseron bëhet një herë në 5 vite.
Zëvendësimi i spiraleve me tel bakri bëhet një herë në 3 ose 5 vite.
Spiralja u propozohet dhe është metodë e mirë e mbrojtjës sidomos për gratë të cilat kanë lindur (kanë femijë).
Konsultoni mjekun në rast se jeni të shqetësuar, nëse keni infektim, dhembje jo të zakonshme, apo në rast mungese të menstruacioneve.
Vendosja dhe tërheqja e spirales bëhet gjatë një vizite te gjinekologu apo gjinekologia.

Injeksione 3 mujore
Këto injeksione mirren te mjeku apo gjinekologu çdo 12 javë.
Marrja e këtyre injeksioneve mund të shkaktojë çrregullime apo ndërprerje të menstuacioneve.
Me ndërprerjen e marrjes së injeksionit 3 mujor gjakderdhja dhe frytësimi (mbetja sërish shtatëzënë) rregullohen spontanisht.
Kjo megjithatë mund të zgjasë disa muaj.

Implanti hormonal
Implanti që vendoset nën lëkurë vihet dhe hiqet nga gjinekologu me anestezi lokale. Ai është efikas gjatë një periudhe 3 vjeçare dhe efekti i saj fillon 8 orë pas vendosjes.
Eshtë një shkop i vogël plastik që përmban një hormon me pro-gesteron. Ai vendoset nga gjinekologu drejtpërdrejt nën lëkurë, në pjesën e brendshme të krahut. Ai është pothuajse i padukshëm, por mund ta ndjeni nën lëkurë.
Implanti mund të provokojë menstruacione të çrregullta, ose mosardhjen e tyre.
Menjëherë pas heqjes së implantit, gruaja mund të mbetet shtatëzënë.

Prezervativi për femra
Është një membranë e hollë plastike e cila vendoset në murin e vaginës:
Mund të vendoset disa ore para marëdhënies seksuale.
Përdoreni gjatë çdo marëdhënie seksuale para penetrimit.

Kondomi (prezervativi)
Prezervativi, pariseri ose goma. Në treg gjinden me emra dhe modele të ndryshme. Prezervativët me shenjën "OK", "CE", "MD" janë të sigurtë.
Prezervativët është mirë që të përdoren gjatë çdo marrëdhënie seksuale, pra edhe gjatë menstruacioneve.
Nëse kondomi dëmtohet gjatë kontaktit seksual apo mbetet brenda në vaginë, që të pengohet shtatzënia e padëshirueshme duhet të mirret pilula urgjente.
Për personat që janë alergjikë ndaj lateksit ekzistojnë prezervativë të përbërë nga poliuretani.
Prezervativi mashkullor është i vetmi mjet kontraceptiv i cili mbron nga sëmundjet ngjitëse seksuale dhe nga sida.

Pilula urgjente
Ndryshe thirret „pilula e së nesërmes“ dhe aplikohet në raste urgjente.
Përdoret për ta penguar një shtatzëni të paplanifikuar:
Kur kondomi pëlcet, ose rrëshqet
Kur harrohet të mirret pilula para një marrëdhënie seksuale
Pas një marrëdhënie seksuale pa mbrojtje, po ashtu edhe pas një dhunimi.
Nëse janë përdorur metoda të pasigurta për mbrojtje nga shtatzënia.

Spermicidi me benzalkonium
Spermicidi është materje kimike i cili i shkatërron spermatozoidët (farën). Këto materie i bëjnë spermatozoidet të paafta për mbarësim.
Vendoset në fund të vaginës para marrëdhënies seksuale. Spermicidi ka vetëm efikasitet lokal.
Spermicidi ka formën e tamponit (shkopit).
Shikojeni mënyrën e përdorimit që gjendet në amballazhë.

Diafragma
Diafragma është një mjet mbrojtës prej gome në formë gjysmësfere e rrethuar nga një unazë elastike. Femra e vendos vetë para marrëdhënies seksuale në mbrendësi të vaginës në mënyrë që ajo komplet të mbulojë qafën e mitrës. Përdorimi i diafragmës duhet shoqëruar gjithnjë nga një spermicid. Ajo mund të përdoret disa herë.

Metodat e vetobservimit
Me anë të kësaj metode femra i përcjell shenjat e ciklit të vet menstrual. Duke i numëruar ditët fertile (ditët kur mund të mbetet shtatzënë) dhe ato jofertile. Gjatë ditëve fertile çifti nuk guxon të ketë marrëdhënie seksuale. Përdorimi i kësaj metode kërkon motivimin e mirë e të dy partnerëve.

Lidhja e tubave (sterilizimi i femrës)
Lidhja e tubave dhe vazektomia janë metoda të vetme që kanë rezultat definitiv. Janë metoda shumë të sigurta. Këto metoda u këshillohen personave dhe çifteve të cilët janë të sigurtë se nuk dëshirojnë apo nuk mund të kenë më fëmijë. Planifikimi familjar është në dispozicion të çifteve të cilët dëshirojnë të bisedojnë për këtë vendim të rëndësishëm.
Sterilizimi nuk ndryshon jetën seksuale të femrës.
Cikli i menstruacioneve mbetet i njëjtë dhe menstruacionet vazhdojnë si përpara.

Vazektomia (sterilizimi i mashkullit)
Vazektomia te meshkujt nuk e ndërron kualitetin e jetës seksuale. Prapë vjen deri te ereksioni, orgazmi dhe derdhja e spermës. Disa javë pas operacionit, sperma nuk përmban më spermatozoide.
Ndërkohë, një mjet mbrojtjeje i efektshëm është mëse i domosdoshëm.
Ku duhet drejtuar për ta bërë lidhjen e tubave apo një vazektomi ?
Te gratë është i domosdoshëm një operacion në kirurgji për të cilin duhet qëndruar në spital.
Operacionin e kryen gjinekologu apo kirurgu.
Te meshkujt, operacioni bëhet në kabinet mjekësor apo spital brenda një dite. Këtë operacion e bën kirurgu apo urologu.

Metodat e pasigurta të mbrojtjës nga shtatzënia
Metodat e poshtëshënuara nuk duhet asnjëherë të përdoren nëse nuk dëshironi të mbeteni shtatzënë.
Këto metoda nuk janë mjaft të sigurta.
Numrimi i ditëve apo Ogino…
…kjo metodë është e pasigurtë ngase femra nuk është makinë, sëmundjet e ndyshme, ndërrimet e fuqishme emocionale, lodhja, problemet e ndryshme, mund të shpejtësojnë apo të ngadalësojnë pjekjen e vezës dhe daljen e saj.
Coitus interruptus (ejakulimi jashta vaginës)...
...ose të ashtuquajturit -me u ruajtë -është metodë e pasigurtë sepse mjafton që mashkulli vetëm për një moment të vonohet gjatë tërheqjës së penisit nga vagina, apo gjatë ereksionit mund të ndodhë që një pikë e vogël lëngu sperme të derdhet në vaginë dhe të shkaktojë shtatzëninë e padëshiruar.
Spermicidi i përdorur pa mbrojtje tjetër…
…nuk është i sigurtë ngase ka efekt të kufizuar. Ai gjithmonë duhet të përdoret se bashku me kondomin ose diafragmen.
Dushi vaginal...
...është i pasigurtë meqenëse spermatozoidët janë shumë të shpejtë.
Ata mund të depërtojnë brenda, në mitër (anë) për disa sekonda.
Pas përfundimit të mbrojtjes nga shtatzënia e padëshiruar a mund të mbetem prapë shtatzëne ?
Lidhja e tubave dhe vazektomia janë të vetmet metoda me rezultat definitiv. Me të gjitha metodat tjera fertiliteti (aftësia për të mbetur shtatzënë) në përgjithësi kthehet menjëherë.
Pas injeksionit tremujor, kthimi i fertilitetit (aftësisë për të mbetur shatzënë) ndodh mesatarisht 5 muaj pas injeksionit të fundit, te disa femra duhet pritur më shumë se një vit.

Cilat metoda janë efikase ?
Asnjë metodë nuk është 100% efikase. Efikasiteti varet nga aplikimi korrekt i metodës së mbrojtjes. Informohuni në mënyrë precize mbi rregullat e përdorimit dhe aplikoni ato.
4 Metodat shumë të sigurta: lidhja e tubave te femra dhe vazektomia te meshkujt, injeksioni tremujor, DIU me progresteron, implanti hormonal.
4 Metodat e sigurta: pilula estro-progjestative, pilula progjestative, DIU (spiralja me tel bakri), rrethi vaginal, patchi i lëkurës.
4 Metoda mjaft të sigurta: prezervativi mashkullor apo femëror, diafragma, spermicidi me benzalkonium.
Metoda pak të sigurta: metoda e vetobservimit, metoda Ogino ose numërimi i ditëve, tërheqja, dushi vaginal.

Cilën metodë ta përdor kur e kam fëmijën në gji ?
Pas lindjes ekziston mundësia për të mbetur shtatzënë edhe para lajmërimit të menstracioneve të para.
Kështu që nëse nuk dëshironi të mbeteni shtatzënë, menjëherë përdoreni një metodë mbrojtëse (kontracepcion).

Metodat e mëposhtëme nuk e pakësojnë qumështin e nënës dhe nuk e dëmtojnë foshnjën :
Prezervativi
Pilula progjestative (minipilula)
Injeksioni tremujor
Që nga muaji i gjashtë pas lindjes: DIU apo spiralja me bakër apo me progesteron dhe implanti.
Spermicidi me benzalkonium.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat